Kosova si biznes i veteranëve të luftës

Sa luftëtarë ka pasur Kosova. Sa fëmijë duhen shkolluar dhe sa gjenerata. A ka fund kjo histori marrëzie. Marrëzi kjo e ndërtuar nga politikanët. E veshur me një tragjedi dhe një elitë që po na ngulfat.

Sa herë që dalin në protestë veteranët, kujtesa kthehet te lufta. Politikanët, rektorët, mjekët, përkulen dhe secili nga ta dëshiron të përvetësojë figura komandantësh, duke pasur frikë të ndërtojnë vizion politik për të ardhmen pa prezencën e tyre.

Duke i përdorur ata dhe duke u dhënë më shumë sesa që u duhet dhe më shumë sesa meritojnë, po shtroj hapur dilemat për jetën e një shteti, për “mrekullinë” e tij që po kontrollohet nga një meritokraci shkatërruese.

Në historinë e luftës së Kosovës, jo rrallë, ka pasur momente që gjatë luftimeve kanë qenë vetëm pak veta. Ndonjëherë, më vjen keq ta them të vërtetën e luftës dhe numrin e atyre që kishin luftuar për lirinë.

Sot, mbi 60 mijë kandidatë janë regjistruar për të marrë privilegjet e luftëtarit të lirisë. Po të bëhemi cinikë me numrin e tyre, do të thoshim se me aq luftëtarë nuk do të na duhej askush për të na ndihmuar dhe çliruar.

Nuk dua të flas për luftën e heronjve, as për lirinë dhe përkushtimin, e as për të bëmat e tyre në luftë. Po më dhemb shumë fenomeni i meritokracisë, qe po zgjatet e stërzgjatet më shumë sesa që koha e pasluftës na lejon. Zgjat edhe më shumë sesa pasuria e këtij vendi e duron. Sepse gjithçka po shkatërrohet me presionin e meritokracisë.

Pyetja është: A është e vërtetë që njerëzit e Kosovës i kanë bërë të gjitha për luftëtarët e tyre?

Me bindje them se kanë bërë më shumë sesa e meritojnë. Por, nuk po u mjafton!

Në disa momente, veteranët, po sillen si mercenarë. Po kërkojnë trofe të vazhdueshme të tyre. Duke harruar se lufta për liri është ndjenjë. Është obligim dhe s’ka të bëjë me privilegje të përjetshme.

Qytetarët e Kosovës shumë herë kanë mbyllur sytë. Kanë heshtur kur komandantët kanë lënduar dikë, ose kur kanë vrarë dikë. Kanë heshtur kur kanë marshuar mbi dinjitetin tonë. I bëmë të pasur. Kanë marrë sa kanë dashur. I bëmë doktorë shkencash. I bëmë deputetë. I bëmë kryetarë komunash. I lejuam të bëjnë histori dhe të bëjnë feude.

Çka mund të bëjnë qytetarët e Kosovës më shumë se kaq për heronjtë e tyre?

Edhe kur i bëmë të gjitha dhe i lejuam, e vërteta është se ata nuk po dinë të ndalen. Na kanë zënë frymën.

Renditja e numrave për regjistrim në zyrat e shoqatave të luftës për të kërkuar privilegje, dëshirës së madhe për të ndërtuar rrëfime për trimëri, për të joshur kamerat dhe për të dalë në televizor – janë imazhet e së sotmes për komandantët e lirisë.

Edhe për këta që, sot, protestuan para Rektoratit dhe po uzurpojnë momente historie në emër të asgjëje.

Nga mënyra se si sillen me shtetin, me të drejtën dhe me pronën, epiteti i luftëtarëve të lirisë po zbehet. Një pjesë e veteranëve, me të bëmat e tyre, po shndërrohen në mercenarë, duke konsumuar gjithë meritokracinë e luftës dhe epitetin e luftëtarit.

Ne po heshtim duke mohuar të vërtetën. Dëgjojmë histori “të vërteta” ku krijohen personazhe dhe ngjarje prej së “vërteti”. Por, s’ka pse shkruhet, sepse po dëgjojmë fjalime, shkrime e rrëfime konkrete për ngjarjet që po ndërtohen nga individë jashtë ndodhive origjinale. Rrjedhimisht, ato po bëhen të besueshme për qytetarët. Me dokumentarë të paguar, janë shndërruar në ngjarje të vërteta.

Disa komandantë dhe disa ngjarje janë bërë në njëfarë mënyre kolektivisht të vërteta, sepse komuniteti i ka bërë të tillë, përgjatë viteve. Janë bërë investime pasiononte, me shumë fantazira. Ka shumë njerëz që heshtin dhe preken kur dëgjojnë rrëfime të paqena, të identifikuara si përfytyrime personale.

Për vite jemi ndier te rraskapitur nga debatet dhe nga të panjohurat që dilnin rrugës. Më shumë sesa beteja për liri, lufta verbale dhe konkrete ka qenë e ngarkuar nga intrigat, keqkuptimet se kush është patriot dhe kush është tradhtar. Kush është shqiptar dhe kush proserb, që, fatkeqësisht, përbënin gjuhën e keqkuptimeve më normale të asaj periudhe por edhe të kohës që po jetojmë tash.

Kjo gjuhë vazhdon të jetë pasojë e papjekurisë shpirtërore dhe zvetënimit moral. Tashmë është e qartë se në politikën kosovare një pjesë e komandantëve kanë hyrë nga kureshtja, të tjerët si mercenarë në emër të meritokracisë, por edhe për të shitur mend, e disa edhe më keq: për të ngatërruar punë. Rrethanë e mjedis më ideal për njerëz të tillë se Kosova as që mund të mendohej.

Kosova një dekadë e më shumë për disa ka qenë një tmerr, për disa ka qenë dhimbje dhe është ende dhimbje. Ndërkaq për disa të tjerë vazhdon të jetë biznes.

Unë distancohem nga kjo mënyrë e uzurpimit të jetës. Po e bëj detyrën e qytetarit qe po sheh një degradim lirie nga njerëzit që luftuan për të.

* Titulli origjinal i shkrimit: Alltia si mosel shkollimi. Ky artikull eshte shkruar pasa perpjekjes se veteraneve te luftes per te hyre me force ne mjediset e Universitetit. Ata kerkojne 1500 te drejta studimi per femijet vetem per kontributin e prinderve. Lapsi.al

SHKARKO APP