Kosova sot, bash ashtu siç thoshte Noli para nëntë dekadave
Nga Jakup Krasniqi
Këto që do të citoj e them në vazhdim, Fan Noli i ka thënë pas dështimit të Revolucionit të Qershorit. Pas Revolucionit që e bëri përpjekjen më të madhe për vendosjen e demokracisë në Shqipëri. I ka thënë atëherë, kur Shqipëria kishte rënë në kthetrat e një satrapi, natyrisht me mbështetjen e armiqve më të mëdhenj të shqiptarëve. I tha atëherë, kur Shqipëria e Ismail Qemalit, e Hasan Prishtinës, e Luigj Gurakuqit dhe e Fan Nolit po shkonte drejt një sulltanati që nuk ekzistonte më as në Turqinë e Ataturkut.
I tha atëherë, kur Shqipëria gjendej në një hallakam si Kosova sot. I tha atëherë, kur “brenda nate tradhtari bëhej patriot e patrioti bëhej tradhtar”. Kosova sot është bash ashtu siç thoshte Noli para nëntë dekadave. Për shqiptarët kjo është një profeci! Ndërsa shumë kohë para Nolit, J. Ph. Fallmerayer-i, (1860) studiuesi i njohur gjerman thoshte: “Tradhtia te shqiptarët falet shpejt e lehtësisht si një nga mëkatet më të natyrshme e që rëndojnë më pak”. Ndoshta kjo na ka bërë që të jemi mosmirënjohës ndaj sakrificës për liri, e tolerues ndaj mashtruesve të ndryshëm. Shikoni se çfarë mashtrimesh po bëhen me listat e veteranëve të luftës çlirimtare?!
Fan Noli, vetes i kishte ngarkuar disa misione (çfarë misioni kanë qeveritarët tanë sot?) dhe i realizoi shumë nga to, por jo pa brezin e artë të atdhetarëve e intelektualëve demokratë të devotshëm e të gatshëm për çdo flijim.
Së pari, ai bëri përpjekje të binte në kontakt me veprimtarët politikë e intelektualë shqiptarë jashtë atdheut, por nuk pat sukses deri sa u takua në Egjipt me: Spiro Dinen, Thanas Tashkon dhe Jani Vruhon, të cilët duke e parë përgatitjen e tij intelektuale, dashurinë ndaj kombit, vizionin dhe idealin që i valonte në gji e sidomos këmbëngulësinë e tij, duke i parë pra e njohur këto vlera të Nolit, ata e udhëzuan që të shkonte në SHBA, për t’i organizuar shqiptarët e Amerikës për të qenë në shërbim të Shqipërisë. Takimi me pionierë të Rilindjes Kombëtare ishte qëllim i kahershëm i Nolit, të cilin e realizoi në Misir dhe pa hezituar veproi ashtu siç e udhëzuan rilindësit mendjendritur. Dhe rilindësit nuk u gabuan në zgjedhjen që kishin bërë. Në atë kohë, rilindësit i zgjidhnin si “me kakallë” veprimtarët për independencën e Shqipërisë, po sot, si po i zgjedhin “liderët” politikë krerët e shtetit dhe qeveritarët përgjithësisht?
Së dyti, kishte për mision organizimin e shoqërive atdhetare të shqiptarëve të Amerikës, formoi gazetën “Kombi” e më pas (1912) themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, fillimisht sekretar e më pas edhe kryetar i saj. Jubileu i Pavarësisë është edhe viti jubilar i “Vatrës”, e themeluar nga Noli ynë. Pra, pavarësia e Shqipërisë dhe “Vatra” kanë një moshë.
Së treti, i vuri qëllim vetës që të çlironte kishën ortodokse shqiptare nga kthetrat e Patriarkanës Greke të Kostandinopojës, e cila për shekuj shqiptarëve ua mohonte të drejtën e ligjshme të tyre për predikim të fesë në gjuhën shqipe dhe ia arriti qëllimit, fillimisht në Boston (SHBA) më 1908 e pastaj, më 10-19 shtator 1922, në Berat u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pra Nolin e kishim Themelues të Autoqefalisë shqiptare, e sot kush është në krye të saj?!
Së katërti, ai duhet t’i çlironte 2 milionë shqiptarët nga pushtimi i gjatë osman, të cilët edhe me kontributin e tij e të brezit të tij, arritën të shpallin pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, por jo ashtu siç ishin të drejtat dhe aspiratat e shqiptarëve.
Së pesti, shteti shqiptar duhej të njihej nga Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe të anëtarësohej në Lidhjen e Kombeve, e cila u bë edhe në saje të këmbëngulësisë e të oratorisë së Fan Nolit, i cili kishte arritur t’i mahniste përfaqësuesit e sidomos përfaqësuesit e mëdhenj të Lidhjes së Kombeve me nivelin intelektual, me kulturën dhe oratorinë e tij të shkëlqyeshme. Anëtarësimi në Lidhjen e Kombeve pa dyshim që ishte meritë e Fan Nolit.
Së gjashti, të vendoste kontakte me shqiptarët, t’i organizonte shqiptarët, t’i çlironte nga injoranca shqiptarët dhe ky ishte misioni më e vështirë, pasi më shumë se 90% e shqiptarëve ishin analfabetë, nuk dinin shkrim e këndim. Si i kemi sot punët me injorancën?
Së shtati, duhet të demokratizonte shtetin shqiptar, por paraprakisht duhet ta çlironte nga kthetrat meskine të feudalëve të Shqipërisë së Mesme, të cilët i vlerësonte si “dallkaukë”, “katilë” e “Hosanna Barabba”. Dhe kjo qe gjoja më e vështirë për Nolin dhe arriti ta realizojë vetëm pjesërisht në qershorin e vitit 1924, të cilin, Robert Austini e quan Revolucioni i ikur i Nolit, që në fakt ishte Revolucioni i ikur i shqiptarëve, pasojat e të cilit ndjehen edhe sot dhe ndjehen shumë.
Pas këtyre misioneve, jo të gjitha të realizuara, Noli iu kthye ngritjes intelektuale, ku për së dyti do t’u kthehej studimeve për veprën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Betovenin dhe Revolucionin Frëng. Në Shqipëri nuk u kthye më asnjëherë, ashtu siç nuk ishte kthyer pas largimit as në fshatin e lindjes. Arsyeja ishte se fshati ishte tepër larg Shqipërisë, por edhe për faktin se iu përkushtua me tërë qenien çështjes shqiptare. Dhe nuk ka dyshim, ai kontribuoi shumë dhe në shumë fusha të jetës për Shqipërinë e shqiptarët. S’ka dyshim, pas Revolucionit të Qershorit. Noli qe edhe i zhgënjyer, ndoshta edhe për faktin se ai kishte bindjen se: “Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimëri e pushkë, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit; me kurajën civile e cila është më e lartë se e para”. (Cila është kurajë civile sot te ne?). Ndoshta dështimin e tij duhet ta kërkojmë te filozofia e shqiptarëve, e cila është më shumë se oportuniste.
Ndonëse më vonë i analizon mirë arsyet e dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924. Katër vite pas largimit nga Shqipëria, ai do të shkruante se ishin dy arsye pse kishte “ikur” Revolucioni i Qershorit: “Po kemi bërë dy lajthime fatale, të cilat duhet t’i njohim: me tradhëtorët e brendshme, me kllasin e bejlerëve, kemi mbajtur një politikë oportuniste në vend që t’i luftonim me sistem, pa mëshirë e pa pushim. Kllasën e katundarëve s’jemi përpjekur aspak ta organizonim e ta kishim si bazë. Ndofta do të ishim mundur edhe pa këto lajthime, po me këto lajthime kemi vrarë vetveten”. Pas shumë dekadash shtrohet përsëri pyetja: ku e vranë vetën pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim?!
Në artikullin në fjalë, Noli është i bindur se feudalët nuk i donte populli, se ata, pra, si Esatin më herët, ashtu dhe Zogun më vonë i kishin mundur, por kishin qenë të huajt që i mbanin në pushtet. Vërtet të huajt e sollën Zogun në pushtet, por këta të sotmit kush po i vendos në pushtet?! Ndërsa Faik Konica, pasi Zogu u shpall mbret ashtu si u shpall, tha: “Populli po e ‘donë”, ndoshta këtë e tha për të filluar një rrugë të “re” së bashku me mbretin?!
Por as ne nuk e nxorëm mësimin e duhur nga historia jonë! Edhe ne i bëmë gabimet e Nolit, pse nuk mësuam nga historia për t’i vendosur njerëzit e duhur në vendet e duhura! Prandaj, lavdia e fatkeqësia sikur po bashkëjetojnë.
Marrë nga Koha Ditore