Kosovacentrizmi është eurocentrizëm
Projekti i pavarësisë së Shqipërisë më 1912 ka dështuar, ngase nuk arriti që brenda shtetit kombëtar t’i inkorporonte të gjitha trojet e banuara me shumicë shqiptare. Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë projekt i përbashkët i komunistëve shqiptarë (kosovarë) dhe atyre jugosllavë në Konferencën e Bujanit, 1943-1944, projekt i cili u pengua nga nacionalizmi serb.
Pastaj u bë edhe platformë e “Ballit Kombëtar” (dekalogu i famshëm) si forcë që doli nga historia politike shqiptare për të mos u rikthyer më!?
Aktualisht, pas debaklit të Kreshnik Spahiut në zgjedhjet në Shqipëri, këtej Bjeshkëve të Nemuna, projekti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pos që është ide e partisë minore “Lëvizja për Bashkim”, zë një vend qendror në projektin e lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë. Por a ka gjasa?
Pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk ishte projekt zyrtar i asnjë qeverie shqiptare në asnjë periudhë të zhvillimit të shtetit shqiptar, pos Qeverisë profashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vitin e kaluar kryeministri shqiptar Sali Berisha, euforik përtej realitetit – kurse pushteti i tij i përfshirë në krimin e organizuar – po festonte 100- vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, ai po e parandiente humbjen e pushtetit nga opozita e Edi Ramës, prandaj u lëshua në euforinë nacionaliste duke “sharë” gjysmën e dynjasë si “albanofobë”, por megjithatë nuk i ka mëshuar tezës së bashkimit në mënyrë kategorike.
Mirëpo reagimi amerikan ishte i menjëhershëm dhe decidiv.
Washingtoni zyrtar u kërkoi partive politike dhe liderëve të përqendroheshin tek prioritetet si integrimi euroatlantik.
Berisha humbi zgjedhjet, kurse kartën e nacionalizmit shqiptar Edi Rama po përpiqej që ta racionalizonte.
Por nacionalizmi si patologji shoqërore nuk racionalizohet dot, sepse është para së gjithash emocion.
Dhe shpërtheu në Beograd, dhe pas incidentit atje, nacionalizmi shqiptar i medializuar skajshmërisht u shndërrua në eufori kolektive.
Etnonacionalizmat ballkanikë po rikthehen në histori, në kohën kur kombi etnik si bashkësi e njerëzve me disa qendra influence po del nga historia, sepse shteti kombëtar po e merr fuqinë dhe patronazhin mbi kombin.
Në këtë mësymje po rizgjohet edhe nacionalizmi i fjetur shqiptar, që në Tiranë po eksportohet nga Kosova, si kundërvënie nacionalizmit ekspansionist dhe hegjemonist serb.
Rikthimi i nacionalizmit etnik në zemër të politikëbërjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor – që konsiderohej se me pavarësimin e Kosovës ishte nxjerrë në margjina dhe manifestimi i tij euforik, veçmas pas ndeshjes së futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, tek fqinjët e shqiptarëve shkaktoi një frikë joracionale, kurse tek kosovarët rriti ndjenjën që aspiron krijimin e “një shteti unik” shqiptar.
Bashkimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tash për tash, as që është projekt i elitave, pos njëfarë ndjesie emotive e turmave – njëfarë konstrukti dhe harte mentale.
Mirëpo, pas dhjetë apo njëzet vjetësh, nëse të dyja republikat tashmë do të jenë anëtare të BE-së, e mundshmja është një konfederatë e shqiptarëve në Ballkan, pa i cenuar interesat e fqinjëve dhe pa e trazuar askënd.
Dilema e madhe është nëse elitat politike në Prishtinë dhe Tiranë janë të gatshme për t’u angazhuar dhe për ta mirëpritur bashkimin eventual, qoftë ai bashkim edhe i legjitimuar ndërkombëtarisht.
Për një bashkim klasik – me një deklaratë – si akt politik mes Shqipërisë dhe Kosovës as që mund të bëhet fjalë në rrethanat aktuale ndërkombëtare dhe rajonale.
Elitat politike dhe kulturore në të dyja vendet nuk janë ende të gatshme për një kthesë të tillë të madhe dhe dramatike, ngase Tirana i druan fort kosovarizmit (është përplasur keqas gjatë Luftës së Dytë Botërore me një Qeveri kosovare progjermane), pra i druan eksportimit të problemeve tipike kosovare atje, kurse Prishtina i druan në njëfarë mënyre shpushtetizimit, përkatësisht humbjes së influencës karshi Tiranës.
Kësisoj Prishtina do të mbetej provincë e margjinalizuar dhe inferiore karshi qendrës.
Prandaj kjo çështje mbetet të shihet pasi që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në BE, pra është një proces i gjatë dhe mund të ndodhë që diferencat mes të dyja vendeve të rriten ndërkohë,
me rritjen e afirmimit të pavarësisë së Kosovës në botë, përkatësisht me anëtarësimin e saj eventual në OKB.
Në këtë kontekst, për shkak të zhvillimit në kondita të ndryshme historike përgjatë tërë shekullit 20 dhe për arsye të krijimit të një identiteti të dallueshëm kulturor, veçmas shtetëror (politik) në çfarëdo solucioni të afrimit mes dy shtetesh, Kosova duhet patjetër ta ruajë identitetin e saj shtetëror, pra mund të ndodhë më së shumti ndonjë lidhje konfederale, treg e mbrojtje të përbashkët.
Në anën tjetër, duke qenë se Shqipëria është anëtare e OKB-së, si dhe anëtare me të drejta të plota në NATO dhe pretendente për t’iu bashkuar bllokut të vendeve evropiane, reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-së dhe BE-së, karshi ndonjë nisme eventuale konkrete do të ishte decidiv dhe i ashpër: Jo!
Sigurisht që ShBA-ja dhe BE-ja në këto rrethana as që e imagjinojnë ndonjë veprim unilateral ndërshqiptar, madje qoftë edhe në nivel të ndonjë nisme politike.
Washingtoni dhe Brukseli zyrtar domosdo që do të reagonin madje edhe me kërcënimin për izolim nga rruga e integrimeve evropiane.
Në anën tjetër, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ajo ka pos të drejtave të saja edhe përgjegjësitë – një anëtari të NATO-s nuk i lejohen pretendime të tilla aneksuese që rrezikojnë paqen rajonale ose globale.
Sipas nenit 1 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, (1949) palët marrin përsipër, siç parashikohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara, që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare në të cilën ato mund të përfshihen me mjete paqësore në një mënyrë të tillë që të mos vihen në rrezik paqja, siguria dhe drejtësia ndërkombëtare, si dhe të shmangen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në çfarëdo mënyre që nuk është në përputhje me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
Po ashtu neni 7 i nxjerr parësore obligimet e shteteve ndaj OKB-së, përkatësisht Këshillit të Sigurimit. “Ky traktat nuk prek dhe nuk do të interpretohet sikur prek në çfarëdo lloj mënyre të drejtat dhe detyrimet sipas Kartës, që kanë palët që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, ose përgjegjësinë parësore të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Prandaj rikthimi i idesë së unitarizmit do të ishte një rrezik i madh si për Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe për Republikën e Kosovës. Kjo e dyta madje do të rrezikonte edhe vetë aleancën me SHBA-në dhe do të mund të nxiste një zinxhir reagimesh në fqinjësinë e saj, ku jetojnë numër relativisht i madh i shqiptarëve, pra do të rrezikonte sigurinë e tyre.
Ndërsa në planin ndërkombëtar, Shqipëria dhe Kosova do t’ia bënin “bllok” vetes sa u përket integrimeve në BE që të dyja, ndërsa Shqipëria edhe do të mund të sanksionohej nga NATO-ja, e Kosova do të izolohej edhe nga miqtë e saj tashmë tradicionalë.
E në planin e brendshëm duhet ditur me saktësi se çdo intencë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, së pari e shkatërron kohezionin e brendshëm (komunitetet joshumicë do të ngriheshin në këmbë për të refuzuar), ndërsa Kosova do të ndahej përfundimisht në urën e lumit Ibër dhe në njëfarë mënyre do të merrte fund edhe projekti i shtetit sovran kosovar – si projekti më i madh i Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Shqiptarët duhet ta zbërthejnë vetë enigmën, përse ta zëmë ShBA-ja dhe NATO-ja me 1999 nuk e zbatuan “projektin” e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që do të kishte kosto shumë më të ulët, madje në këtë model do të joshej edhe Serbia (natyrisht duke i dhënë pjesë të tokës kosovare – veriun) por e projektuan pavarësinë e Kosovës, e cila mori shumë kohë e para.
Pavarësia e Kosovës së këndejmi nuk është projektuar nga Perëndimi për ta zhbërë me një deklaratë ekzaltuese politike të shqiptarëve.
Zërat se shqiptarët janë “tradhtuar” ose braktisur nga Bashkimi Evropian janë zëra të humbur si në shkretëtirën e Tatarëve, sepse shqiptarët nuk kanë më një armik që mësyn zhbërjen e tyre, ata vazhdojnë ta kenë armikun nr. 1 luftën e ashpër e të paskrupullt për pushtet dhe dominim shoqëror.
Aktualisht përderisa po e shkruaj këtë kolumne, Kuvendi i Shqipërisë “funksionon” pa opozitën parlamentare që është në bojkot, kurse Kuvendi i Kosovës as që po mund të konstituohet, pesë muaj pas zgjedhjeve!?
Për politikat e këqija ekonomike dhe korrupsionin e nepotizmin, mujshinë mes grupeve politike e fetare (veçmas në Kosovë) nuk është fajtore Serbia, ose ndonjëri nga fqinjët e shqiptarëve. Në këtë aspekt pak ndihmon bashkimi, ose edhe sjell rreziqe të reja.
Prandaj është koha që shqiptarët të qetësohen, (ikën ethet e Beogradit!?), t’i thonë jo nacionalizmit dhe të mësyjnë emancipim e mirëqenie, njëkohësisht të mos i harrojnë integrimet evropiane, përkatësisht perëndimorizimin e dy shoqërive.
Ky është interesi kombëtar i shqiptarëve.
Një Shqipëri qytetare, e mirëqenë dhe demokratike, me të drejta të lulëzuara të njeriut dhe atyre civile, shoqëri e hapur dhe e perëndimorizuar, sikur edhe një Kosovë e pavarur e vlerave të përbashkëta evropiane, janë projekt shumë më sipëror sesa një shtet unitarist shqiptar, i përplasur në mes grupeve mujshore politike, ideologjive, krahinave e feve dhe i rrjepur nga oligarkët shqiptarë.
Kosovacentrizmi së këndejmi përballë albanocentrizmit, përkatësisht unitarizmit (ose imperializmit të vonuar shqiptar!?) është eurocentrizëm, që d.m.th. mburojë për identitetin perëndimor të saj dhe intencë për kthesën e madhe nga tregjet perëndimore, si dhe relativizim i ekspansionit ekonomik turk.
*Koha Ditore