Kriza financiare po vjen si një cunam

Nga Spartak Ngjela

Pasuria e një kombi qëndron te sasia e punës së konsumuar.

Gjendja e shoqërisë shqiptare duket e pashpresë. Shpresa e një shoqërie që është sistemuar në një shtet vjen nga largpamësia dhe brilanca e një qeverie.

Ja kjo është arsyeja që shqiptarët presin më shpresë një brilancë qeverisëse, shkojnë në zgjedhje, dhe pastaj humbasin shpejt në pesimizmin që s'i lë më të shpresojnë. Sjellin një tjetër qeveri, dhe po prapë kështu…

Kur pra do të shërohemi nga kjo sëmundje që lind gjithmonë mungesën e shpresës? Atëherë kur qeveritë që kanë ardhur për të qeverisur do ta kuptojnë se "pasuria e një kombi qëndron te sasia e punës së konsumuar".

Ky është sekreti, por a e kanë ditur në këta 22 vjet kryeministrat shqiptarë këtë? Asnjëri prej tyre, as edhe ky i sotmi. Prandaj sulen të gjithë që të ecin bashkë me parazitizmin.

Shqiptarët e Shqipërisë në këta 22 vjet kanë jetuar më të ardhurat e një pjese të punës që një milionë shqiptarë kanë kryer në Perëndim. Prandaj ka pasur kudo parazitizëm: kafene dhe qeveritarë e administratorë që marrin e marrin mita e ryshfete e tanxhente, dhe vjedhin edhe arkën e shtetit me anë drejtorësh hajdutë në Tatime, Taksa e Dogana.

E njëjta gjë gjithmonë. Pa drejtësi dhe pa punë: ky është realiteti shqiptar. Kurse Perëndimorët kërkojnë refroma. Natyrisht që kanë të drejtë: po kujt ia kërkojnë? Injorancës që ka ardhur për të vënë pará me anë të fuqisë së shtetit? Po cila mund të jetë e ardhmja jonë e afërt?

E ardhmja jonë e afërt do të jetë një krizë e përgjithshme financiare, sepse kjo qeveri nuk di të organizojë prodhimin, nuk di të vendosë drejtësinë, dhe, sigurisht që, për derisa nuk di t’i bëjë këto, edhe nëse ka pasur vullnet për t'i bërë gjërat, fakti që nuk di t'i bëjë, do të “mbretërojë" me klientelën e vet për të fituar pará. Por pará s'ka.

Duhen gjetur patjeter! Normal. Por, pikërisht këtu e ka nisur fillësën e vet kriza që pritet. Dhe do ta kemi shume shpërthyese krizën që po vjen ngadalë si një cunam. Do të jetë një Dallgë e madhe. Amerikanet e mëdhenj të financës na kanë thënë se "Dallgës duhet t'i përgjigjesh me Dallgë". Ok.

Në regull. Po ku do ta gjejë Dallgën kryeministri aktual, te broçkullat, apo të reforma në prodhim? Nuk ka reformë në prodhim, dhe tregu po varfërohet. Kryeministër: Kujdes nga dallga financiare se do të jetë e madhe!… atë nuk do të mund ta ndalin dot as katër klerikë, dhe as tre lapsa më tre ngjyra të ndryshme…

SHKARKO APP