Krizën e refugjatëve ta përballojnë ata që e shkaktuan
Nga Sadedin Çeliku
Kriza e sotme e refugjatëve, jo vetëm nga vendet në konflikt, por dhe nga vende të tjera i ka rrënjët e thella, ndaj kërkon analizë të thelluar për të gjetur shkakun kryesor, shkaktarët e vërtetë dhe ilaçin që e kuron këtë sëmundje. Kriza ekonomike-financiare e viteve 2008 e më pas, ka prekur mjaft vende edhe pse ka përpjekje për ta kamufluar atë, për ta zbehur sikur s’ndodhi dhe s’po ndodh asgjë. E vërteta është se edhe ato vende që nuk janë prekur, kanë mbetur në situata stanjacioni dhe pritet kohë pas kohe të shpërthejë edhe atje. Ritmet e zhvillimit të ekonomive janë rrudhur dhe rritja ekonomike ka arritur shifra rekord të ulëta.
Globalizmi, prioritetet e zhvillimit, tregu i lirë, çmimet, investimet dhe lëvizja e kapitaleve dhe e njerëzve janë shndërruar në një treg për shkencëtarët, të cilët po i studiojnë këto fenomene dhe tashmë ata janë kthyer në kryefjala të ekonomive sot në botë. Bota po kërcënohet nga rikthimi i ekonomisë së depresionit si në vitet 1928-1932. Ekspertët e financave dhe të ekonomisë moderne, nobelistë etj, janë turrur në garë për gjetjen e zgjidhjeve dhe shpëtimin e ekonomive globale në mënyrë që të rivendosin ekonomitë në binarët e tregut kapitalist. Kështu, Ben Bernauke, këshilltar i Presidentit Obama për ekonominë, në librin e tij “Depresioni i Madh” jep detaje të këtij depresioni që karakterizohet nga rënia drastike ekonomike, papunësia, falimentimi i bankave, varfëria, paqëndrueshmëria e tregjeve financiare, si dhe mjaft plagë të tjera që rrjedhimisht të çojnë në këtë depresion. George Cooper, në librin “Origjina e Krizave Financiare” kritikon tezat e nobelistit Pol Samuelson, sipas të cilit gjërat janë të thjeshta: kërkesa thotë ai lind ofertën, kjo çon në uljen e çmimit të mallrave dhe se ajo që është e drejtë për mallrat e konsumit është e drejtë edhe për faktorët e prodhimit, kapitalin etj. Përvoja e globalizmit nuk e vërteton atë, por përkundrazi tregojnë se një ligj i tillë në ekonomi të globalizuar favorizoi pikërisht spekullantët që çuan botën në krizë. Kurse nobelisti tjetër Paul Krugman, në botimin e librit “ Kthim në Ekonominë e Depresionit “thotë se burim i fatkeqësisë botërore qëndron tek liberalizmi i lëvizjes së kapitalit e cila e ekspozon botën ndaj krizave të panjohura më parë. Sidoqoftë ekspertët mendojnë se teoritë mbi nevojën e ndërhyrjes së shtetit për të rregulluar deviacionet në ekonomi të anatemuara si socialiste e deri marksiste, janë të nevojshme dhe shpesh të domosdoshme. Në ditët e sotme këto teori preken dhe gjatë fjalimeve të liderve botërorë të cilët kanë kuptuar se sistemi kapitalist kërkon reforma dhe ndryshime të modeleve ekonomike. Por pavarësisht teorive të tyre, tashmë në rend të ditës kanë dalë shumë pyetje të cilat kërkojnë reagim serioz dhe përgjigje të shpejta. Por një gjë është e vërtetë thotë populli “ Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë. “ Pra në praktikë gjërat kanë vështirësi dhe vërehen krejt ndryshe. Janë krijuar organizata të tëra politike, ushtarake, ekonomike e financiare që në thelb e në përmbajtje përfaqësojnë interesat e të mëdhenjve. A nuk ndodh kështu me Naton, Bashkimin Europian, Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, FAO-n, dhe pse jo dhe me Organizatën e Kombeve të Bashkuara? Njëherësh duhet të pranojmë se krizat ekonomike-financiare, prodhojnë kriza morali dhe kësisoj ato bëhen pjesë integrale e plagëve sociale të cilat agravohen çdo ditë në shoqëritë globale. Varfëria, papunësia, droga, pabarazia, kapitalet etj, janë bashkudhëtare në sistemin që jetojmë në këtë shekull të ri e të trazuar, por me probleme që po shfaqen si të vjetra. Varfëria si plaga më e madhe e këtij shekulli nuk është për shkak se nuk mundemi të ushqejmë të varfrit, por për shkak se nuk mundemi të ngopim të pasurit. Në se do të analizojmë krizën e tanishme të refugjatëve duhet domosdoshmërisht të biem dakord se ky eksod nuk është thjesht migrativ dhe as ekonomik, por më shumë se kaq. Në rradhë të parë kemi përballë një konflikt në ato vende që u krijua në emër dhe për llogari të demokracisë por ajo rezultoi një aksion artificial ku paraprinë faktorët politikë e ushtarakë. Konfliktet e armatosura në vendet e Afrikës Lindore si Libi, Liban, Egjypt, Siri, Irak nuk i krijuan popujt e këtyre vendeve, por të mëdhenjtë. Tash e sa vite ato vende ndodhen të shkatërruara plotësisht madje disa me konflikte e luftë civile. Sa i takon Sirisë ndofta do duhen dekada të tërë të rimëkëmbet sepse gjithçka është shkatërruar plotësisht. Ky masiv i madh populli, që humbi gjithçka kishte, të pa strehë, pa bukë, pa punë dhe asnjë të ardhme kërkon rrugëdalje, të cilët duhet ta përballojnë ato që e krijuan. Në këto kushte qindra e mijëra refugjatë nga Siria dhe Afganistani që ka 50 vjet me trazira kërkojnë ndihmë dhe solidaritet dhe jo sjellje brutale dhe mbyllje kufijsh. Dhënia strehë e refugjatëve nuk duhet ta përballojnë vendet në zhvillim por as ato në tranzicion. Atë do duhet ta përballojnë vendet e zhvilluara sepse janë pikërisht ato që kanë përgjegjësinë kryesore për këtë eksod. Vendet e zhvilluara, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës por dhe ndonjë vend tjetër duhet të bëhen të përgjegjshëm, humanë dhe solidarë me fatkeqësitë e atyre njerëzve që nuk kanë bërë asnjë faj, nuk kanë asnjë përgjegjësi, kanë humbur gjithçka krijuan ndër vite dhe kërkojnë një vënd të fusin kokën dhe t’ia fillojnë nga e para.
Vonesat, indiferentizmi, neglizhenca, dhe javashllëku për zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme si në Siri me ISIS-in, problemi palestinez, problemi i Ukrahinas, i Kosovës dhe hapja e vatrave të reja të konfliktit nuk janë ogur i mirë për kontinentin e vjetër. Në radhë të parë Bashkimi Europian duhet të ndryshojë kursin e politikave të zgjerimit. Nuk mund të ketë Union dhe as të ardhme në se zgjerimi bëhet selektiv, në të bardhë e në të zi. Ndofta një politikë më liberale nuk do të kishte sjellë këtë krizë e cila në ditët në vijim mund të ketë përkeqësime të situatave. Siç e kam theksuar dhe në shkrimet e kaluara gadishulli ballkanik ka mjaft probleme disa prej të cilave po ziejnë.Maqedonia ka injoruar marrveshjen e Ohrit e cila do ti jepte disa të drejta më shumë shqiptarëve etnikë, por dhe mungesa e vullnetit për zgjidhjen e emrit dhe të konfliktit grek ka vite që nuk zgjidhet. Këto situata dhe problemet ekonomike kanë çuar në emigrimin e mjaft qytetarëve maqedonas. Bosnja duket e qetë por dhe atje ka probleme midis boshnjakëve dhe serbëve. Ndërkaq problemi shqiptar është sa i lehtë aq dhe i vështirë sepse kemi të vetmin komb në Europë të ndarë në pesë shtete, ku ju mohohen të drejtat më elementare sikurse janë në Preshevë, Strugë, Kumanovë, Gostivar e Tetovë, Tuz e Ulqin në Malin e Zi, dhe problemi Kosovar që po zvarritet pa fund. Nëse vëndet e Ballkanit do të futeshin në bllok në Bashkimin Europian sigurisht që do kishte emigracion të ligjshëm e të kontrolluar por kryesorja është se nuk do të kishte më konflikte ndëretnike, do të kishte bashkëpunim ekonomik bilateral e multilateral e më gjerë. Kriza e refugjatëve duhet të zgjidhet shpejt dhe pa vonesa. Çdo javashllëk e burokraci në zgjidhjen e çështjes, çdo masë e sforcuar do ta përkeqësonte situatën edhe më keq. Është koha e reflektimit. Që të mos gjendet më e papërgatitur, Bashkimi Europian duhet ta analizojë me kujdes situatën e krijuar dhe të marri masa jo për vendosur gardhe dhe as tela me gjëmba, por të zbatojë politikat e hapjes, të zgjerimit të unionit, e cila sigurisht do zgjidhë e amortizojë mjaft probleme që shqetësojnë sot kontinentin tonë.