Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar

Nga Fatmira Nikolli –
Në buzëmbrëmjen e një nate me hënë të plotë, Olsi Çekiçi, 44 vjeç, i divorcuar e baba i dy fëmijëve, pas një debati që nuk i dihet filli, vret dhe përçudnon trupin e së ëmës në të 70-at. Ndërsa akti makabër kryhej, fqinjët 50 metra më larg dëgjojnë ulërima e klithma, por kanë frikē të dalin. ‘Ai qe i lojtur, prej tij ndërronim rrugë gjithnjë’, thonë banorët e lemeritur të Buçimasit. Ata e dinë që ai ka qenë në burg, ka shitur e ka përdorur lëndë narkotike, ka hyrë e ka dalë në spitalin psikiatrik të Elbasanit disa herë. Hora ia njeh mirë namin e dallditë të sëmurit. Arallëku mes tyre e tij ka qenë zonë e paprekshme për t’i shpëtuar destinit fatal të nënës Firdes Çekiçi.
E nënë Firdesi, para natës së të enjtes, e ka shoqëruar të birin nëpër spitale, e ka ndjekur në burgje dhe kur nuk pati më ku ta linte, e mori në shtëpi, pse Shqipërisë që lë miliona për SPAK e reforma që s’prodhojnë veç riciklim të vetes e propagandë, i mungojnë strukturat spitalore për strehimin e kurimin e përhershëm të të sëmurëve mendorë. Herë mbas here, sheh prindër të përlotur që ndajnë të njëjtin fat me Firdesin: nuk kanë ku t’i lënë të sëmurët e tyre. Atëherë i marrin në shtëpi, ku bashkëndajnë të njëjtat orë me vdekjen, derisa ora iu vdes.
Firdesi është një prej dhjetra nënave që vdesin për një spital në një shtet asocial që i lë rrugëve të sëmurët e vet. Firdesi me gjasë ka mbrri në etimologjinë e emrit vet, ndërsa ne, vijojmë frymimin në të kundërtën.
Një spital për të sëmurë nuk prodhon vota, prodhon shoqëri të shëndosha, e shoqëritë e shëndosha nuk votojnë të sëmurë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?