Kryeministër! Je rrethuar nga servilë dhe pazarxhinjë!
Që nga 1 prilli kur në Kukës nisi reagimi kundër vendosjes së tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit protestat janë kthyer në ngjarjen kryesore të çdo dite. Sherri me miell në parlament të enjten ishte vetëm vazhdimi mosbindjes civile të opozitës. Në vetëm pak ditë, një mori protestash, me dhe pa opozitën, kanë nisur në qytete të ndryshme të vendit. Në Tiranë çdo ditë ka një forme proteste nga opozita, tregtarët, artisët dhe shoqëria civile. Në rrethe, gjithnjë e më shumë po ndjehet zëri i opozitarëve që kundërshtojnë Edi Ramën politikisht dhe qytetarëve që ankohen për taksat dhe varfërinë. Opozita zotohet se “ky është vetëm fillimi dhe Edi Rama s’ka parë gjë akoma”, slogan që kryeministri e përdori kundër PD-LSI, por tashmë po i kthehet kundër tij.
Dje partitë e frontit opozitar kanë gjetur një skemë të re proteste. Të rinjtë e forumeve rinore të PD dhe LSI u grumbulluan para banesës së kryeministrit Edi Rama në Surrrel, me synimin për t’i bllokuar hyrjen në shtëpi. Në rrugën ku kalon eskorta dhe kreu i qeverisë u vendos një tra simbolik që synonte të ndalonte kreun e qeverisë duke i kujtuar pagesën në Rrugën e Kombit. Ashtu si në Kukës edhe në Surrel, pak metra larg banesës së kryeministrit, incidentet mes protestuesve dhe policisë nuk munguan. Sigurisht nuk pati dhunë, por një pjesë e të rinjve, përfshirë deputeten e LSI-së, Floida Kërpaçi dhe kreun e FRPD, Belind Këlliçi u shoqëruan në komisariat. Të tjerëve që morën pjesën protestë iu sekuestruan kartat e identitetit. Ndërkohë që gjatë kohës zhvillohej tubimi sinjalet e valëve të telefonisë celulare dhe të internetit në Surrel u bllokuan. Shoqërimet në komisariat zyrtarisht u bënë për shkak se protesta nuk kishte leje, por cila polici do jepte leje për një protestë para shtëpisë së kryeministrit? Nëse ligjërisht protesta ishte ndaluar, fakti është se të rinjtë nuk bën akte dhune, përveç se hodhën parulla dhe vendosën një tra simbolik në mes të rrugës.
Tubimi i djeshëm në Surrel është një protestë artistike në krahasim me atë që pritet të ndodhë sot në Shkodër. Kryeministri ka njoftuar sot vizitë në qytetin që këtë dimër u godit më shumë nga përmbytjet. Deri tre javë më parë, një pjesë e Shkodrës ishte nën ujë dhe askush nga qeveria nuk mori mundimin të ishte afër banorëve për ndihmë. Nga ana tjetër, kryebashkiakja e zgjedhur nga PD, Voltana Ademi prej kohës ka denoncuar diskriminimin, që sipas saj, qeveria i ka bërë qytetit verior duke mos i dhënë fonde dhe asnjë investim të rëndësishëm. Qyteti që historikisht ka votuar të djathtën ndjehet sot si më i neglizhuari nga qeveria socialiste dhe e ka shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë me protesta sporadike. Në këtë situatë të acaruar, me miell në Kuvend dhe flakë në Kalimash, Edi Rama zgjedh të shkojë në bastionin e demokratëve për t’u folur për rilindjen dhe sukseset e mandatit të dytë. Është një vizitë që pas ujit të përmbytjeve, tymit të Kalimashit dhe stresit të taksave të reja, ngjan si provokim qeveritar për demokratët shkodranë. Ndaj dhe demokratët shkodranë sot janë përgatitur për reagim. Në njoftimet në media dhe në rrjetet sociale dega e PD dhe tregtarët që janë kundër taksave kanë paralajmëruar një ditë jo të qetë për Edi Ramën. Në të njëjtën orë që kreu i qeverisë do të jetë në takime për hapjen e qendrës kulturore, në rrugët e qytetit është parashikuar një tubim masiv. PD njoftoi se kryeministri do të pritet me protesta. Ndërsa dega lokale është përgatitur për të bllokuar hyrjen e kryeministrit në hyrje të qytetit. Garda e Republikës ka marrë masa dhe një pjesë e efektivëve të saj janë vendosur që sot në mbrëmje në qytet. Gjithësi, kryeministri ka parashikuar 4 takime në vende të ndryshme të Shkodrës, gjë që e bën të vështirë shmangien e incidenteve. Deputetë biznesmenë të PS ishin mbrëmë në Shkodër duke takuar të zgjedhurit vendorë dhe drejtuesit e demokratëve lokalë për të marrë garanci që takimi nuk do të ketë incidente.
Në situatën aktuale askush nuk parashikon se çfarë do të ndodhë. Aq më tepër që qeveria mban qëndrime që duket sikur shtojnë reagimin qytetar, pasi kërkon falje për taksën e Rrugës së Kombit, por nuk e heq. Kërkon ndjesë për dhunën ndaj kuksianëve, por nuk i liron nga burgu. U thotë tregtarëve se nuk ka taksa të reja, por vendos TVSH. Këto qëndrime, bashkë me problemet e tjera që kanë të bëjnë kapjen e të gjitha sistemeve dhe përdorjen e drejtësisë sipas interesave politike i kanë kthyer protestat e qytetarëve dhe të opozitës drejt radikalizimit.
Ndaj qeveria “Rama” duket këto ditë si nën shtetrrethim me protesta në Kuvend, protesta në qytete dhe së fundi protesta po shkojnë dhe në derën e shtëpisë së kryeministrit. Kryeministri Rama duhet të kthjellohet dhe të mos dëgjojë servilët dhe interesaxhinjtë të cilët e miklojnë derisa ti marrin ndonjë leje ndërtimi dhe kur të rrëzohet kalojnë me kryeministrin e radhës. Edi Rama duhet të kujtojë se si u rrëzuan paraardhësit e tij politikë si Berisha në vitin 1997 dhe Fatos Nano në vitin 2004.
Largo servilët zoti Kryeministër! Po të marrin në qafë.
Ed Vunoi