Kryeministri në zonat e përmbytura: Shteti në këmbë. Dëmet do të kompensohen

Kryeministri Edi Rama ishte dje mes banorëve të zonave të përmbytura në jug të vendit, si pasojë e reshjeve të rrëmbyera të shiut.

Në mesditë, Kryeministri mbërriti në Novoselë, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet. Në një takim informues mbi situatën me ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Prefekten e Vlorës, kryetarin e komunës Novoselë, deputetët e qarkut të Vlorës, të cilët janë vendosur që në momentet e para në zonat e përmbytura në mbështetje të shtabeve të emergjencës u raportua se të gjitha strukturat e shtetit kanë një mobilizim maksimal dhe se për momentin ka rënie të ujërave, çka lehtëson operacionet e emergjencës.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi raportoi se Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile është në kontakte të vazhdueshme dhe ka informuar hapa pas hapi, shtabet e emergjencave, që me marrjen e njoftimit nga shërbimi meteorologjik. “Situata e emergjencave civile është njoftuar nga Qendra e Monitorimit të Motit në Sllovaki dhe nga Shërbimi Meteorologjik Shqiptar që më datën 28. Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka informuar imtësisht dhe hap pas hapi të gjitha shtabet e emergjencave në prefekturat Vlorë, Fier, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan.”

 

Nisur nga ngjarjet e ndodhura në vitin ‘71 dhe në vitin 2005 në këtë rajon, sipas Premçit, kjo situatë është krijuar si pasojë e reshjeve me intensitet tepër të lartë të shiut në rajonin e Gjirokastrës, gjë që ka shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Vjosë, duke dëmtuar kryesisht komunat Levan, Novoselë dhe Frakull, me rreth 1100 familje me prezencë uji në lartësinë mbi 1 metër. “Deri më tani janë evakuuar 300 familje; Po kështu janë evakuuar rreth 10 mijë krerë bagëti. Problem ka qenë rezistenca e banorëve, sepse ende nuk është krijuar kulturë në komunitetet e rajoneve, qoftë të jugut, qoftë të veriut, për ta lënë shtëpinë kur njoftojnë shërbimet e specializuara meteorologjike dhe ato të pushtetit vendor dhe pushtetit qendror,” – tha Premçi.

 

Prefektja e Vlorës Etiona Hoxha tha se kjo situatë po nxjerr edhe probleme të mëdha, të trashëguara, të cilat duhet të adresohen. “Sigurisht që kjo është një situatë e trashëguar. Një projekt për sistemin e gjithë rrjetit të kanalizimeve për komunën e Novoselës, që është dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë në vitin 2011, të mund të zbatohet dhe të implementohet sa më shpejtë të jetë e mundur, me përmirësimin e situatës. Po qe se kjo gjë do të ishte bërë dhe do të ishte e kaluar që në 2011, do të ishim në një situatë shumë herë më të mirë sot,” – theksoi prefektja e Vlorës. Ajo informoi se janë marrë masat për të siguruar të gjithë sasinë e nevojshme të ndihmës ushqimore.

 

Mobilizimi maksimal i të gjithë strukturave të shtetit, edhe pse një situatë e jashtëzakonshme, theksoi Kryeministri, bëri që të evitohen humbjet në jetë njerëzore. Kryeministri apeloi banorët të bashkëpunojnë dhe të evakuohen kur këto struktura ia kërkojnë. Ndërsa njoftoi se do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve.

 

“Sigurisht që nga njëra anë është e qartë se kemi të bëjmë me një situatë tërësisht të jashtëzakonshme përsa i përket motit, çka e dëgjon edhe nga banorët që jetojnë në këtë zonë, por çka rezulton edhe nga të dhënat historike meteorologjike. Por nga ana tjetër, unë jam shumë krenar, sepse pa filluar “tërbimi” i motit, emergjencat civile bazuar në të dhënat meteorologjike, të kolauduara ndërkombëtarisht, janë përgatitur dhe të gjitha strukturat përgjegjëse të shtetit, në nivelin qendror dhe në nivelin e prefekturave kanë qenë të gjitha në këmbë dhe deri tani kanë shmangur çdo lloj dëmi në jetë njerëzit, dëm i pariparueshëm, kanë shmangur dëme të mëdha përsa i përket bagëtive dhe janë në krye të detyrës për të qëndruar deri në fund, në krah të njerëzve.

 

Nga ana tjetër kemi shumë shtëpi të përmbytura dhe të dëmtuara. Do të bëhet një raport i hollësishëm i të gjitha dëmeve. Ndërkohë kemi filluar të komunikojmë edhe me partnerët ndërkombëtarë. Sot paradite kemi qenë në komunikim më Brukselin, për të vlerësuar mundësinë e një mbështetjeje në këtë aspekt.

 

Po ashtu, një falënderim të veçantë kam për Ministrin e Bujqësisë dhe për të gjithë skuadrën që ai ka angazhuar qysh në shtator-tetorin e shkuar, në mënyrë që në tërësi të ketë një funksionim normal të hidrovoreve, që në tërësi të ketë një funksionim normal të strukturave, çka ka ndodhur dhe kjo është diçka pozitive.

 

Sigurisht që me këtë rast i paguajmë edhe një çmim kostove të krijuara në vite me ato çka i kemi bërë mjedisit, me ato çka i kemi bërë pyjeve, me ato çka i kemi bërë shtretërve të lumenjve dhe me bllokimin shumëvjeçar të shumë kanaleve. Vetëm gjatë kësaj periudhe 16 mujore, ne kemi hapur një sasi kanalesh në territoret ku fshati prodhon, të barabartë me dyfishin apo trefishin e sasisë së kanaleve të trajtuara në njëzet e kusur vite. Ka ende shumë punë për të bërë dhe do t’i adresojmë këto probleme, sigurisht bazuar në planin e parashikuar të 4-vjeçarit, por patjetër, edhe duke adresuar çka ka sjellë kjo fatkeqësi natyrore për gjithë pjesën e prekur nga dalja prej shtratit e lumit Vjosa.

 

Le të shpresojmë që moti do të shkojë duke u përmirësuar, edhe pse parashikohet një tjetër stuhi dhe një tjetër prurje e madhe reshjesh rreth të mërkurës. Me lutjen që kjo të jetë e gabuar si parashikim, ne jemi të përgatitur. Dhe apeli im për të gjithë banorët, të cilëve strukturat shtetërore u kërkojnë të lënë shtëpinë është që të mos ngurojnë ta lënë shtëpinë dhe të mos e lënë veten pre të panikut mesnatës, apo pre të panikut kur gjërat shkojnë aty ku bëhen jashtëzakonisht të vështira dhe jashtëzakonisht të rrezikshme.”

 

Ndërsa kryetari i komunës Novoselë Kanan Shaka kishte një apel:

 

“Në radhë të parë falënderojmë të gjithë strukturat shtetërore për mbështetjen që kanë dhënë. Kemi 3 ditë këtu, bashkë me ta dhe falë Zotit deri tani nuk kemi pasur asnjë humbje jete. Janë marrë masat të gjitha. Të gjithë deputetët, të gjithë strukturat, i gjithë Shtabi i Emergjencës së Prefekturës kanë qenë në këmbë. Vetëm kemi pasur një problem nga opozita, e cila u thoshte njerëzve mos u largoni. Kështu që i bëj thirrje të mos merren me këto probleme, por të ndihmojnë popullin të dalë nga situata që jemi tani. Pastaj le të merremi me njëri–tjetrin.”

 

 

 

***

 

Pas Novoselës, Kryeministri Rama inspektoi edhe një tjetër zonë të prekur rëndë nga përmbytjet në Fier, Levanin, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, deputetët e Fierit, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Prefekti i Fierit.

 

Prefekti i Fierit Xhevit Bushi u shpreh se situata është monitoruar në mënyrë të vazhdueshme që nga momenti i parë.

 

“Prurjet kanë qenë gjigande, të papara ndonjëherë në histori, siç thonë ata që e kanë ndjekur dhe sa mbajmë mend. U përmbytën rreth 5 mijë hektarë tokë, të mbjella me të lashta, por ajo që është më e rëndësishme, është mbjellja në sera që është 34 hektarë dhe që prodhimi ishte në momentet e fillimit të daljes në treg dhe tani, uji i ka marrë me vete. Kemi ndërhyrë e kemi evakuuar 120 familje. Vazhdojmë e monitorojmë situatën, qoftë në pjesën e komunës Frakull dhe në Dermenas, e cila doli si problem mbrëmë në darkë. Falë funksionimit me kapacitet të plotë të hidrovoreve të Darzezës e të Semanit, situata aty vazhdon të normalizohet për momentin. Jemi duke e monitoruar në mënyrë të vazhdueshme, në bashkëpunim me kryepleqtë, kryetarët e komunave dhe shtabin e emergjencës që ndodhen non stop këtu. Tani jemi në një situatë që të evakuojmë edhe blegtorinë.”

 

Kryeministri Rama theksoi edhe një herë se prioritet është shpëtimi i çdo jete njerëzore. Ndërkohë që do të bëhet edhe identifikimi, inventarizimi i dëmeve si pasojë e përmbytjeve, të cilat do të kompensohen.

 

“Sigurisht që faza kritike ka qenë e lidhur në mënyrë ngushtësisht intensive me shpëtimin e çdo njeriu dhe familjeje në rrezik dhe me gjithë ndihmën e mundshme për të shpëtuar bagëtitë. Tani, duke qenë tërësisht të përgatitur edhe për një prurje të dytë të fortë reshjesh siç parashikohet, mbase nuk do të jetë rasti, por sidoqoftë ky është parashikimi dhe ne jemi tërësisht të përgatitur për këtë. Do të fillojmë paralelisht me fazën që ka të bëjë me identifikimin, inventarizimin e të gjitha problemeve dhe dëmeve që kanë ardhur si pasojë dhe duke e trajtuar situatën si situatë fatkeqësie natyrore, do të adresojmë pastaj, problemet me shumë vendosmëri, në mënyrë që humbjet e mëdha sidomos të fermerëve, që siç e tha edhe prefekti kanë pasuar dëme në investimet e tyre, të kompensohen. Ky është objektivi që pason menjëherë atë të parin dhe më themelorin, për të mbrojtur çdo njeri, çdo familje dhe mundësisht për të shpëtuar të gjitha bagëtitë e rrezikuara, në ndërkohë që me patjetër nuk do të lëmë pas dore, edhe dëmet e jashtëzakonshme që i janë shkaktuara fermerëve të kësaj zone.“

 

Për të ndjekur situatën janë ngritur shtabet e emergjencave në çdo Prefekturë, në koordinim nga Qendra e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në operacionet e shpëtimit janë përfshirë edhe njësi të Forcave të Armatosura.

SHKARKO APP