Kryetarokracia si formë moderne e Kultit të Individit në sistemin tonë politik
Nga Leonard Olli
Shëmtia e një sistemi nuk është thjesht në shfaqjen e tij në sytë e publikut, pasi kjo do ishte thjesht ana estetike. Shëmtimi i sistemit qëndron gjithmonë në thelbin e tij, në themelet e tij. E këtë fenomen e paraqet në mënyrën më ekselente sistemi ynë politik dhe sistemi zgjedhor aktual. Nuk mjaftoi që është i deformuar në mënyrën më disproporcionale të mundshme, nuk mjafton që u kanë hequr të drejtën votuesve të zgjedhin, duke I detyruar të votojnë “derr në thes” çorbën që u serverin kryetarët e partive, por tashmë, u dhanë edhe anonimatin e plotë. Nëse shikon me shumë pak vëmendje fletën e votimit lehtësisht konstaton se në krye si gjithmonë prijnë emrat e kryetarëve dhe më pas ka vetëm numërorë ose thjesht numra! Kryetarokracia si formë moderne e Kultit të Individit shfaqet ngadhënjyese në sistemin tonë politik, si një arritje e pamohueshme, ku me sistemin e listave të mbyllura ka abolutizuar rolin dhe egon e kryetarëve. Nuk ndesh asgjë më të shëmtuar dhe të pranuar nga vetë kryetarët që të jenë të pasuar nga numërorë dhe jo frymore, nga anonimati dhe jo individë të me emër, mbiemër dhe një histori që i ndjek nga pas. Edhe diktatura komuniste, pavarësisht se kastën e lartë politike gradualisht e orientoi drejt individëve pa vlera apo kontribute, nuk e kaloi cakun deri aty sa ti depersonalizonte apo ti shndërronte në numra! Sot, 30 vite më pas, paradoksalisht, pashallarët tanë shumëngjyrësh ia dolën të kalojnë edhe përshkrimet më të avancuara të George Orwell…. Tashmë kryetarët tanë të ‘lavdishëm’ kanë një ushtri me numra nga pas, ku ironikisht numrat e vegjël janë më të fuqishëm e dominues se numrat më të mëdhenj. Ky gjenialitet do t’ i kishte lënë pa fjalë mendjet e ndritura që krijuan lojërat e ndryshme të letrave apo lojëra të tjera zbavitëse. Ndërsa nga pikëpamja ekonomiko-financiare e imagjinoni se çfarë konfuzioni krijon aritmetika e re e politikës shqiptare. Madje, kaq shumë janë prekur numurorët nga kujdesi I kryetarëve të tyre, sa edhe në takime elektorale nuk guxojnë më të thonë Qeveria e partisë sonë do të realizojë këto reforma apo iniciativa ekonomike, por përmendin nominalisht emrat e kryetarëve të tyre. A thua se kryetarët do ti kryejnë këto reforma me të ardhurat e tyre personale. Edhe në diktaturë, qoftë edhe formalisht, I kishin mësuar të thoni Partia dhe udhëheqësi….. Sot ka mbetur vetëm udhëheqësi! Partitë shtet, tashmë kanë edhe kryetarët parti dhe ashtu si dikur në poezinë e Majakovskit, frikshëm është ringritur në piedestal vargu: Kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia dhe kur themi Partia nënkuptojmë Lenini! Në fund të fundit ne duhet të pranojmë pa shumë fjalë e pa hedhur shumë vickla se disa kafshë, si do Zoti kryetarët tanë, janë më të barabarta se kafshët e tjera, ose më mirë të themi se numërorët e tjerë. O Zot dhe ju shqiptarë, mos i falni më se e dinë shumë se çfarë po bëjnë dhe në çdo humnerë po e çojnë vendin!
Shënim: Leonard Olli, është kandidat i Bindjes Demokratike për deputet në Qarkun e Korçës dhe ekspert i çështjeve zgjedhore në Shqipëri!