Ku do t’i gjejë paratë Aleksandër Vuçiç?

 

Nga Hajdar Muneka

Kur ndodhin ngjarje të rëndësishme politike, siç ishte edhe takimi i udhëheqësve të rajonit në kuadër të Forumit të Vjenës që u mbajt këtë mes javë në Tiranë, çdonjërit i bën përshtypje pjesa që lidhet me profesionin e tij. Vëmendja ime u tërhoq nga deklarata e kryeministrit serb Vuçiç lidhur me mungesën e investimeve europiane ne rajon. Mendoj se ai dha një mesazh të qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë. "Na duhen para, jemi të tejngopur me seminare, por na duhen fonde për të vënë në jetë projektet. A mund të na jepni para? Në qoftë se nuk na i jepni, na thoni se kemi paratë tona". Fakti që asnjeri nga pesë liderët më të rëndësishëm të rajonit që ishin të pranishëm e mjaft të vëmendshëm kur Vuçiç lëshoi këtë deklaratë nuk tha diçka tjetër, dëshmon se ai kishte folur me zërin e të gjithëve. Është një farë revolte adresuar Brukselit që kohët e fundit e kemi dëgjuar më se njëherë edhe nga goja e kryeministri tonë Rama.

Nuk diskutohet se Vuçiç nuk ka para të tijat të lira, pasi po të kishte nuk i lutej as Vjenës e as Brukselit. Por mendoj se në këtë rast kryeministri karizmatik i Beogradit nuk bëri shantazh, por e kishte seriozisht kërcënimin. Duke patur parasysh lidhjet e ngushta tradicionale të Serbisë me Rusinë shumëkush mund të ketë menduar se serbi në deklaratën e tij ka parasysh Rusinë. Unë mendoj ndryshe. Edhe pse Ballkani ka qenë e vazhdon të mbetet një ëndërr e vjetër e saj, Rusia, me njëmijë halle brenda vendit dhe e përfshirë edhe në një luftë që nuk i dihet fundi, nuk ka ndonjë plan për të zgjidhur hallet e shumta të Ballkanit.

Besoj se Vuçiç llogarit Kinën. Me vendin me popullsinë më të madhe të botës Serbia ka marrëdhënie të ngushta, të trashëguara që nga mesi i shekullit të kaluar. Edhe në ditët e tyre më të vështira të dy vendet i janë gjendur pranë njëri tjetrit. Ndonëse kanë kaluar dekada e janë ndërruar breza të tërë udhëheqësish këto marrëdhënie jo vetëm që nuk u dobësuan, por kanë ardhur në rritje e forcim. Kohët e fundit ofertat financiare të Pekinit ndaj Beogradit kanë qenë mjaft joshëse. Përveç marrëveshjeve të nënshkruara, në kuadrin e nismës kineze të Europës Qendrore e Lindore,13 vetëm në vitin e kaluar, ku Serbia është një përfituese potenciale, janë edhe disa marrëveshje të tjera në vlerë disa qindra milionë euro gati për nënshkrim. Banka kineze e Zhvillimit, por edhe banka të tjera kineze, po tregojnë një interes gjithnjë në rritje për investime të rëndësishme në infrastrukturë, telekomunikacion dhe transport. Madje partneriteti i ri kino – serb nuk ndalon vetëm në bashkëpunimin ekonomik. Midis dy vendeve tashmë është vendosur edhe një partnership i ngushtë politik. Kina është partner zyrtar strategjik i Serbisë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis dy qeverive qysh në vitin 2009. Fqinji ynë verior është i vetmi vend europian që nuk përkrah asnjë nismë ndërkombëtare ku flitet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Kinezët e konsiderojnë jo vetëm Serbinë, por gjithë Ballkanin si një mundësi reale e mjaft të favorshme për realizimin e projekteve që kapin shuma të mëdha e që vetë vendet e rajonit janë të pafuqishme t’i jetësojnë. Financime të tilla afatgjata janë jo vetëm me interes të lartë përfitimi, por garantojnë edhe konsolidimin e pranisë së tyre në Europë. Një vakum i krijuar nga ana e Europës patjetër që e favorizon kapitalin kinez për të zënë vend në Ballkanin Perëndimor. Më vonë Kina do t`a përdorë këtë mundësi që i jepet për të hyrë më lehtësisht me mallrat dhe teknologjinë e saj në Europën kontinentale.

Mendoj se këtë ka patur parasysh Vuçiç në deklaratën që bëri në Tiranë. Brukseli ka dëgjuar deklarata njëlloj, ndoshta edhe më të forta, nga një tjetër kryeministër, nga Urban i Hungarisë, vend anëtar i BE. Është në dorën e Europës të veprojë: ose të hedhë para në këtë rajon ose të marrë të mirëqenë deklaratën e kryeministrit serb e t'ua hapë rrugën të tjerëve të bëjnë zgjedhjen më të mirë për ta e për ne. Është e pamjaftueshme që akoma të vazhdojmë të kënaqemime përkëdheljen si “nxënësit më të mirë të klasës”, siç na thonë shpesh përfaqësues e komisionerë të ndryshëm europiane, kur na përgëzojnë për përmbushjen e detyrave të shtëpisë. Më shumë se njëherë Brukseli ka shprehur shqetësim serioz për ekspansionin kinez e rus në Ballkanin Perëndimor. Ky shqetësim do të fashitet vetëm kur ky rajon i rëndësishëm i Europës do të bëhet pjesë e rendit të ditës së axhendës europiane.

Prapë po e mbyll me një shprehje të vjetër kineze: etja nuk shuhet me ujin e largët. E përkthyer në shqip: asnjeri nuk ngopet me lugë të zbrazët.Ndaj më pëlqen të them se deklarata e Aleksandër Vuçiç ja vlente të dëgjohej. Shpresoj ta kenë dëgjuar edhe ata të Brukselit.

SHKARKO APP