Ku janë investimet për fasonët?

Megjithatë, meqenëse është preokupacion kryesor elektorati, po i referohem dhe po i drejtohem atij dhe shumë më pak sallës, normalisht duke respektuar kolegët e nderuar që ndodhen këtu.Sigurisht, nisma e madhe për këtë çështje nuk e ka zanafillën e saj si një bashkëpunim qeveri-biznes, kjo është evidente, por ka filluar si një nismë shumë pozitive, ku për herë të parë parlamenti dhe qeveria së bashku ecin në hullinë e një nisme të re dhe krijimit të një raporti të ri, ku nuk ka një palë pasive dhe një palë aktive, po si dy pjesë komplementare të maxhorancës, parlament dhe qeveri, vënë në lëvizje nismat shumë të rëndësishme dhe në mënyrë të veçantë ato që kanë rëndësi delikate. Pikërisht edhe paketa ka nisur si e tillë. Të gjithë e kujtojnë, ndonëse në sallë nuk u përmend, në një amendament për buxhetin, i cili diskutohej saktësisht një vit më parë, Grupi Parlamentar i LSI-së kërkonte mosrritjen e tatimit për biznesin fason dhe ky amendament vuri në lëvizje një iniciativë ku kompromisi i arritur në sallën e parlamentit ishte për ecjen përpara me një paketë integruese për biznesin fason, e cila u formësua kohë pas kohe më pas.

                Sigurisht është shumë korrekte, unë e përshëndes ministrin për raportimin e saktë që ai i bëri punës dhe veprimtarisë së qeverisë për takimet e shumta që ajo ka bërë me biznesin fason. Më bëri një përshtypje, ndoshta është edhe harresë, unë kështu dua ta perceptoj, edhe një iniciativë shumë pozitive e Grupit Parlamentar të LSI-së, i cili ka konsultuar dhe takuar dhjetëra biznese fason, të cilat kanë qenë në sytë e publikut dhe ku shqetësimet e vërejtjet e tyre janë vënë në dispozicion të qeverisë si kontribute që ajo t’i kishte parasysh kur do të shqyrtonte më së fundi përfundimin e kësaj pakete integrale. Besoj se ishte një praktikë për t’u nënvizuar dhe një krijim i një dimensioni të ri të komunikimit të parlamentit me elektoratin, të cilat prodhojnë nisma të caktuara që qeveria i jetëson me veprimet e saj.

                Megjithatë, duke ecur përtej këtyre harresave, një nga çështjet themelore e cila na vuri në lëvizje në atë kohë, ishte dhe mbetet një dhe vetëm një: punësimi i shqiptarëve.

                Jashtë kësaj optike, nisma nuk do ta kishte dhe nuk mund të kishte peshën e duhur dhe pikërisht për këtë arsye, çdo gjë që lidhet me punësimin është prioritare dhe shumë më e rëndësishme se të gjitha masat e tjera, të cilat rreshtohen në paketën fason. Por, nisur nga më sipër, përbën një shqetësim për mua për të cilin shpjegimet e ministrit nuk ishin ezauruese dhe nuk u referohen saktësisht atyre për të cilat është rënë dakord edhe me biznesin, por që edhe qeveria i ka marrë përsipër, sepse kemi pasur një prononcim shumë të qartë dhe unë e kam përshëndetur një deklaratë të Kryeministrit Rama, i cili ka thënë qartësisht në prezantimin e paketës fason se rritja prej 5% e tatim-fitimit për industrinë tuaj do të konsiderohet si kontribut për vetveten. Ky është një citim shumë korrekt i Kryeministrit. Më tej ai ka thënë edhe se ne, nga një qasje pasive, që do të ishte lënia në fuqi e të njëjtit nivel tatimi, që do të kishte konsekuenca, kalojmë në një qasje aktive, i cili  i bashkërenduar me fondin e punësimit, mirëqenies, rinisë dhe sporteve  të vënë në dispozicion, do të bëjë një sasi të konsiderueshme prej 5 milionë dollarësh në vitin e parë, që do të vihet në dispozicion të gjithë atyre që do t’u shtojnë vendet e punës.

Po kështu, në mënyrë shumë korrekte, edhe në paketën e hartuar, e cila u vihet në dispozicion me “One stop shop” bizneseve, citohet me saktësi po e njëjta shifër, e cila precizon qartë dhe mirë që pikërisht në vitin e parë është masa numër 18: rikthim i tatim-fitimit të industrisë fasone do të realizohet nëpërmjet rialokimit të një fondi të veçantë për punësim dhe aftësim në ministri. Fondi për punësim do të përllogaritet në vlerën 5 milionë dollarë në vitin e parë, që do të bëhet në mënyrë graduale. Edhe këtu jemi korrektë dhe besoj se nuk ka asgjë të keqe dhe kemi thënë fjalë, të cilat meritojnë të respektohen dhe të thuhen si të tilla.

Fati ka sjellë që në te kemi sot në dorë projektbuxhetin dhe projektbuxheti i Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Rinisë dhe Sporteve në dokumentin që ka ardhur në parlament nuk ka as zë të veçantë dhe nuk ka  asnjë shifër nga këto, të cilat kanë qenë një angazhim publik i Kryeministrit, por edhe një reflektim në paketën përkatëse, të cilin çdo njeri i interesuar për biznesin fason e ka në duart e tij.

Po e referoj. Fondi i tregut të punës është rreth 2 milionë dollarë. Jo vetëm që nuk është shtuar 5 milionë dollarëshi, që duhet të ishte këtu shtesë për industrinë fasone, jo vetëm që nuk është zë më vete, por është edhe më i ulët se një vit më parë, që ka qenë 2 milionë e 700 mijë dollarë.

Duke qenë se theksi kryesor ka qenë dhe mbetet efekti i punësimit dhe promovimi i fortë që ne i kemi bërë kësaj çështjeje lidhet pikërisht me këtë problem, ky mosvlerësim dhe kjo moskorrektesë sigurisht që  është shqetësim madhor, sepse do të komprometonte thelbin për të cilin nisma u mor dhe për të cilin ishte perceptuar si e tillë, si gjenerator i punësimit në Shqipëri, nga më të mirët dhe më të suksesshmit, gjë që praktika e verifikoi, pavarësisht skepticizmit të fillimit, kur ne bëmë një propozim të tillë.

Megjithatë, besoj se ditët janë përpara dhe ne jemi këtu në këtë shkëmbim pikëpamjesh dhe idesh pikërisht me qëllimin e vetëm të mirë që këto gjëra që ose janë harruar, ose ka pasur mungesë koherence apo çdo gjë tjetër të kenë mundësinë e tyre të madhe që të referohen siç duhet, të përmirësohen dhe të mbahet ai angazhim, të cilin ne e kemi marrë të gjithë së bashku, sepse, po e theksoj, nuk është një angazhim i qeverisë shqiptare, por i përbashkët qeveri-parlament. Edhe mirëkuptimi i gjetur në sallën e parlamentit për tërheqjen e amendamentit tonë një vit më parë ka qenë pasja në këmbim të një pakete integrale, e cila do t’i kishte të gjitha këto elemente brenda. Kështu që besoj se ky fakt nuk duhet të harrohet dhe reflektimi duhet të jetë shumë i shpejtë, sepse ardhja e projektbuxhetit e rëndon këtë çështje.

                Një problem tjetër i rëndësishëm është çështja e TVSH-së. Nga shifrat operative që unë i kam të freskëta, referimet nuk janë saktësisht ato që paraqiti ministri, përkundrazi janë të tilla: totali i aplikuesve është 103, të miratuar janë 70 dhe vlerta e kërkuar është 531  milionë, ndërsa vlerta e likuiduar është vetëm 260 milionë. Pra, nga një TVSH që kishte objektivin të ishte një TVSH automatike, që do të krijonte në kuptimin e mirë të fjalës një revolucion në këtë çështje, e cila përbënte një ngërç të jashtëzakonshëm për një industri që i ka problemet e likuidimeve financiare tepër delikate, sepse dihet se normat e fitimit të saj janë tepër të ulëta, ndodhemi në një vlerë likuidimi që është te 50%-shi dhe shumë larg objektivit tonë për këtë çështje. Thënë e gjithë kjo, masat këtu duhet të jenë të shpejta. Nuk besojmë se ka vështirësi praktike, por sigurisht ka vështirësi të karakterit burokratik të atyre burokratëve, të cilët nuk e kanë kuptuar ende se çfarë ka ndodhur me paketën e integruar të biznesit fason dhe që vazhdojnë të punojnë si më parë, duke thënë: “Ani se këta bëjnë paketa, ne vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë edhe më parë”.

                Së treti, ministri dha disa shpjegime në lidhje me masën 26 dhe 27 të paketës fason, që ka të bëjë me ligjin për rishikimin e taksave vendore. Nuk ka qenë një iniciativë, por një masë, e cila është e qartë në paketë dhe, ashtu siç është e shkruar, ashtu do ta interpretojmë.

                Në masën 26 thuhet: “Do të jetë rishikimi i ligjit nr. 181 të vitit 2013 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar”. Ky ligj kishte një afat kohor për të cilin ka kaluar gati një vit. Ne këtë ligj duhet ta kishim urgjentisht, sepse ne në mënyrë të drejtpërdrejtë kemi konstatuar se, jo nëpërmjet të tjerëve, por duke kontaktuar dhjetëra biznese nga unë personalisht dhe të gjithë kolegët deputetë të grupit të LSI-së, të cilëve u jam shumë mirënjohës për vullnetin dhe dëshirën që kanë treguar, një ndër problemet më të mëdha kanë qenë taksat shproporcionale dhe përthyerja e tyre brenda territorit, ku kemi pasur taksa dhjetë herë më të larta nga njëri rreth tek tjetri.  Rishikimi i kësaj ishte një element kaq delikat dhe penalizues për ta saqë është e papranueshme mosbërja e ndryshimit të një ligji, ndërkohë që në sallën e parlamentit kemi marrë nisma shumë më të vështira dhe më të komplikuara ligjore. Edhe këtu burokracia e rutinës ka bërë të sajën në këmbim të masave të shpejta, të cilat japin efekt të menjëhershëm.

                Sigurisht për sa i takon ligjit për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave të caktuara, zoti Ahmetaj e di më mirë se unë që ky nuk kishte të bënte me biznesin fason. Masa nr. 27 e thotë shumë qartë: “Ministria e Financave do të hartojë ligjin për faljen e kamatëvonesave për sigurimin shoqëror për industrinë fasone”. Kjo është një gjë e shkruar qartë dhe unë e përshëndes qeverinë që ka qenë kaq e qartë në të shkruar, por për këtë nuk ka asnjë realizim.                      

 Këtu jemi për të thënë që nuk e kemi bërë dhe që shkaku është ky. Dhe që kjo kryhet brenda këtij limiti kohe të caktuar, në mënyrë që besueshmëria e kësaj nisme qeveri-parlament të jetë e plotë, duke thënë që vërtet patëm një rrethanë objektive që na pengoi, por do ta bëjmë. Por që të themi se në një farë mënyre e kemi bërë, ky nuk është realiteti i gjërave. Pra, nuk e kemi bërë edhe këtë.

                Një çështje tjetër delikate ka qenë problemi i pajisjeve. Është rritur vërtet volumi i teknologjive të reja, po nuk është rritur baza e tyre. Dihet që ka pasur një pozitivitet të madh biznesi fason europian. Ka pasur hyrje teknologjish të reja. Po për sa i takon një problemi që ka qenë specifik, edhe përgjigja duhet të jetë specifike. Sepse me shumë të drejtë Kryeministri pohonte, shumë qartë, që “ballafaqim pas ballafaqimi shumë konkret midis përfaqësuesve të huaj dhe doganave, për çudinë që ju ndodh juve – ai është shprehur shumë qartë dhe në mënyrë figurative – kur sillni makina qepëse, që pjesa e sipërme quhet makineri, e përjashtohet nga TVSH-ja, kurse pjesa poshtë nuk përjashtohet nga TVSH-ja”. Pra, ai që quhej qëndrim jounik dhe që e konsideronte të pjesshme teknologjinë, duke mos e konsideruar një të tërë. Përsëri vazhdojnë praktikat e vjetra. Përsëri vazhdojnë të njëjtat probleme. Ato që vërtet kanë qenë të zhdoganuara dhe më parë dhe kanë qenë të privuara nga TVSH-ja vazhdojnë, por nuk është plotësuar me, që kanë qenë dhe preokupacionet, ato që biznesi fason ngrinte konkretisht.

                Nuk ka asnjë vështirësi për ta rishikuar këtë, por vazhdon një viskozitet i doganave si më parë, duke e konsideruar këtë një problem periferik dhe jo thelbin e gjësë, duke përsëritur atë komedi, të cilën me shumë të drejtë Kryeministri Rama e ka stigmatizuar në fjalën e tij në prezantimin e paketës fason. Gjithashtu, ka vërtet një iniciativë, dhe ne e përshëndesim nxehtësisht, për të vënë në dispozicion ambiente 1 euro, mjedise apo terrene. Por është fare e vërtetë edhe tjetra, që për biznese të cilat janë me qira dhe e kanë bërë tashmë investimin prej kohësh, 100%, për të cilat kishte një nisëm për t’i lehtësuar – sepse këta janë realitete konkrete, ndërsa ata të tjerët janë realitete që do të vijnë – nuk ka ndodhur ky lehtësim.

                Ky është një realitet, të cilin personalisht nuk e kam të dëgjuar, por të verifikuar një për një në terren. Sfidoj këdo që mendon të thotë të kundërtën. Thënë thjesht, ata vazhdojnë të paguajnë të njëjtat qira të forta penalizuese. Ndërkohë që për të tjerët që mendojnë të futen, ka një qëndrim të ri dhe shumë më inkurajues.

                Një element tjetër, me të cilin do të doja të shkoja drejt fundit të komenteve të mija pas këtij debati për problemin e rëndësishëm të masonëve, është problemi i zyrës së ngritur apo njësisë që ofron informacion për fasonët. Iniciativa meriton notën 10, për të ndërtuar një gjë specifike, por nuk mendoj se meriton të njëjtën nota mënyra e funksionimit atje. Qenia aktiv, qenia vërtet tërheqës dhe vënia në dispozicion me bollëk dhe me kompetencë të plotë profesionale e informacionit atyre që duan t’i futen këtij biznesi u nevojitet. Dhe e thënë e gjithë kjo, duhet të ngrihet rrënjësisht në një nivel dhe në një cilësi të re mënyra e funksionimit, në qoftë se duam që vërtet mekanizmin ta kthejmë në një mekanizëm funksional dhe mos ta shndërrojmë në një mekanizëm rudimentar, i cili qëndron aty për të shkuar radhën apo për të thënë që e patëm edhe këtë gjë. Gjithashtu, mendoj që edhe shoëroom-i, i cili është një mënyrë e re promovimi, pra një mënyrë praktike promovimi, besoj se do të ishte një nga detyrat e natyrshme pikërisht të one-stop-shop-it, si njësi funksionale, ku të gjithë së bashku, konsulenca në njërën anë, promovimi në anën tjetër, ecin me njëra-tjetrën, dhe në këmbim të qëndrimeve preferenciale të gjithë aktorët, të cilët operojnë biznesin fason, të organizuar apo jo, të ishin partnerë të kësaj njësie, po e quajmë, sepse është njësia, e cila funksionalisht duhet të merret 24 orë në 24 me këtë gjë, duke krijuar pra ambientin e hapur për të gjithë, i cili nuk i ndan, por i bashkon interesat e të gjithëve në zhvillim të një biznesi, i cili u pa qartë që kishte aftësi dhe vitalitet punësimi tepër të rëndësishëm dhe që vërtetoi në mënyrë të qartë bindjen tonë të një viti më parë dhe këmbënguljen tonë të një viti më parë për ta parë ndryshe biznesin fason dhe për ta parë jo thjesht praktik, por si një ushtrim pozitiv që më së fundi Parlamenti dhe qeveria ecin së bashku në drejtim të realizimit të objektivave të një maxhorance, që është e përgjegjshme, e merakosur për hallet e njerëzve dhe në radhë të parë për punësimin, e cila nuk fragmenton qëndrimet dhe veprimet e saj, përpiqet dhe lufton të jetë sinkrone, dhe sigurisht kontraston me  maxhorancat e mëparshme, të cilat vepronin të fragmentuara dhe kishin një vesh të shurdhër dhe një sy të verbër ndaj një problemi të madh, siç ishte papunësia, por edhe ndaj iniciativave mendjehapura për të hapur mundësi dhe opsione të reja që nxisin punësimin.

Në mbyllje të fjalës sime, sigurisht kam dhe një koment, që nuk ka lidhje me këtë, por në lidhje me ndonjë debat tek-tuk që kam dëgjuar, lidhur me mundësitë e vënies në lëvizje, sa bën lëvizje ky biznes fason, po nuk ka rëndësi, po ka rëndësi, andej, këndej.

Do të doja t’u jepja një përgjigje nga foltorja e Parlamentit këtyre skeptikëve, të cilët sigurisht nuk janë pjesë e maxhorancës tonë, që biznesi fason është një mesazh social shumë i fortë, por dhe një mesazh përtej shqiptar shumë i fortë, i cili krijon pozitivitet dhe emocione pozitive në drejtim të biznesit dhe jo negative,  dhe kushdo që i shikon në mënyrë sempliste dhe me mendje krejtësisht të mbyllur këtë gjë, nuk bën gjë tjetër,  veçse përpiqet të riciklojë negativitet pa fund të të shkuarës dhe është shumë i lumtur ai që flet të kundër biznesit fason, pra i pëlqejnë më shumë që dhjetëra-mijëra njerëz pa punë dhe në vështirësi ekonomike në shtëpi, por komoditeti i këtyre të tjerëve të jetë i paprekur, në vend që të vëmë në lëvizje iniciativa si të tilla, siç ishte kjo iniciativë e përbashkët qeveri-Parlament, për të çuar përpara këto problematika.

Gjithsesi, unë vlerësoj dhe inkurajoj gjithë punën e bërë dhe intensitetin e mjaft masave, të cilat nuk kanë qenë të lehta për t’u ndërmarrë,  sepse ka qenë një aksion kompleks dhe vullnetin e qeverisë për t’i qëndruar te koka këtij problemi dhe dëshirën  për të konsultuar dhe për të dëgjuar, dhe besoj që viti ushtrimor që kemi përpara dhe buxhetor do të ndihmojë për zhvillime të reja, dhe unë e shikoj vitin 2015 me këtë vullnet dhe me këtë qasje të re që u përvijua brenda vitit 2014,  si një vit, e besoj shumë këtë, bumi të biznesit fason dhe bashkë me të të rritjes së nivelit ekonomik të mijëra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët do të jenë  më pak të varfër një ditë më pas.

Fjala e Kryetarit të Grupit të LSI-së, z. Petrit VASILI gjatë seancës së sotme parlamentare.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP