Kufirin në Surrel‎

Nga Astrit Patozi

Edhe vetë Parlamenti është një ndërmarrje si të gjitha të tjerat. Siç është, fjala vjen, ajo e shërbimeve qeveritare, kur jo thjesht Kryeministri, por edhe drejtori apo drejtoresha, i shikon si miza punonjësit, të cilët e kanë emrin me laps.

Është ky thelbi i një kërkese që i bëhet kryetarit të Parlamentit që të informojë OSHEE për pagesën e faturave të energjisë nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Natyrisht, do të ishte naivitet të mendoje se kjo ide gjysmë e çmendur dhe gjysmë aventureske ka dalë prej mendjeve të ndryshkura që drejtojnë sot ndërmarrjen e shpërndarjes së energjisë elektrike. Më kujtohet ish-kryeministri Majko, sot deputet i PS, i cili njëherë e një kohë, kur drejtonte qeverinë, pati një shpërthim kundër Korporatës, e cila atëherë kishte emër tjetër, për shkak të korrupsionit, që i kishte zënë frymën. Ai i quajti “horrat e KESH-it”. (Atëherë nuk kishte as CEZ, as OSHEE dhe as OST.)

Vështirë që të besohet se pasardhësit e atyre “horrave”, ose edhe ata vetë, se shumë prej tyre janë transferuar këto vite te nënproduktet e KESH-it të dikurshëm, të jenë trimëruar papritmas dhe të jenë venë në krye të fushatës kundër vjedhjeve në sistem.

Është jashtë çdo dyshimi se ky karshillëk që e shtrin guximin e OSHEE deri në Parlament, nuk buron nga rrënojat e një gërmad- he shtetërore, në të cilën është koncentruar me një dendësi të pashoqe dështimi, korrupsioni dhe abuzimi ekstrem i politikës, përzier edhe me kreativitetin e vetë atyre që Pandeli Majko i quante asokohe me atë emër përçmues.

Pas kësaj nisme është vetë shefi i qeverisë, në gjoja përpjekjen e vet për të bërë shtet, i cili sipas tij fillon te raporti që kanë shqiptarët me konsumin e energjisë elektrike. Kur burgjet po mbushen me fakirë që mund të kenë bërë ndonjë lidhje të paligjshme, herë nga halli se nuk kanë të paguajnë, herë nga një zakon i rrënjosur nga eksperienca e gjatë e rrumpallës, e herë në bashkëpunim me “horrat” e vetë OSHEE- së, por ku nuk ka vend për eksponentët më në zë të krimit të organizuar.

Këta të fundit operojnë mu në mes të kryeqytetit, vrasin e presin dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, pasi janë në mbrojtjen e posaçme të qeverisë. E treguan dhe para tri ditësh kur e mbytën Tiranën në krisma e  gjak. Kushedi, mbase ata dhe bandat e tyre rezultojnë në rregull me pagesat e faturave të energjisë dhe për këtë u takon që të mar- rin edhe një letër përgëzimi nga Edi Rama.

Kjo kërkesë është fyese në radhë të parë për institucionin më të lartë të Republikës, por edhe për çdo përfaqësues të popullit në veçanti. Është poshtëruese edhe për vetë kryetarin e Parlamentit, i cili trajtohet si drejtor shkolle apo si përgjegjës i mirëmbajtjes së rrugëve, që me porosi të Kryemi- nistrit duhet t’u kontrollojë faturat vartësve të vet.

Por edhe këtu ka një kapërcim të frik- shëm, pasi Ilir Meta, nëse ka punonjës në varësi, këta janë administrata e Kuvendit, dhe jo deputetët. Qofshin këta edhe të vetë LSI-së, nëse do të kishin një grimë person- aliteti, pasi kryetarin e partisë së tyre kanë mundësi ta respektojnë, jo duke shkelur detyrimisht mbi dinjitetin e deputetit. E le më pastaj ata të opozitës, të cilët me kryetarin e Kuvendit i lidh vetëm seanca e ditës së enjte dhe asgjë tjetër më shumë se kaq.

Unë nuk e di me siguri, por ndoshta Ilir Meta është gati ta gëlltisë pa ndonjë merak të madh këtë fyerje edhe personale për arsyet që jo vetëm ai i di. Nuk e kam fare shqetësim reagimin apo mosreagimin e tij, për sa kohë e shoh si bashkëpërgjegjës me  Edi Ramën për katrahurën ku po e zhysin dita-ditës vendin, për shkak të keqqeverisjes së përbashkët.

Unë gjithashtu nuk e di se ç’do të bëjë Pandeli Majko dhe kolegët e tij, deputetë të Partisë Socialiste, me këtë kërkesë ekstremisht depersonalizuese. Mbase edhe ai mund të ketë ndryshuar opinion për “horrat” e dikurshëm të KESH-it, të cilët nën udhëheqjen e Edi Ramës, në një vit, mund të jenë shndërruar papritur në “engjëjt e OSHEE-së”.

Nuk dua t’i paragjykoj, por mbase ata edhe mund të thyhen nga llogaritë e kandidimit apo moskandidimit pas dy vjetësh, të cilën sigurisht e përcakton drejtori i përgjithshëm i të gjitha ndërmarrjeve të Shqipërisë, Edi Rama. Jam shumë e bindur që pas kësaj nuk do të ishte ndonjë kapërcim i madh nëse deputetëve do t’u kërkoheshin edhe faturat e ushqimeve që blinin në supermerkato, tabulatet e telefonit, justifikimi i kafeve që pinin në mëngjes dhe ndoshta edhe se sa herë seks bënin në javë.

Dhe pa asnjë dyshim që kjo “transparencë” do të shtrihej edhe në sektorët e tjerë, në prokurori, gjykata, në NGO, madje edhe te partitë dhe organizatat politike, sepse e gjithë Shqipëria, sipas Edi Ramës, është një ndërmarrje e madhe, nën hyqmin e qeverisë së tij. Madje edhe vetë kjo e fundit ka vetëm një zë dhe vetëm një figurë, të tjerët janë figurantë.  Por mendoj se do të mjaftonte edhe vetëm reagimi i deputetëve të opozitës për të ruajtur në një farë mënyre integritetin dhe dinjitetin e cenuar rëndë të Parlamentit të Sh- qipërisë. Për t’i bërë të qartë Edi Ramës, këtij “kalorësi” të shtetit ligjor, se arrogancën dhe arbitraritetin mund ta ushtrojë i lirë në godinën përballë Kryesisë se Kuvendit ose edhe në vilën e re të Surrelit (gjithmonë po e lanë), por jo këtu.

Se në republikë parlamentare është qeveria që i jep llogari Kuvendit, dhe jo e kundërta. Se asnjë deviacion psikologjik dhe i formimit të tij të mangët demokratik nuk do të kthehet në normë për shoqërinë shqiptare, pavarësisht nga problemet e saj. Se imponimi i standardeve talebane në ush- trimin e pushtetit, qoftë edhe kur merr si përgjigje përuljen brenda gardhit të maxhorancës, janë fitore të përkohshme, që mund të kënaqin vetëm politikanët vanitozë dhe të dëshpëruar, të cilët në finale i shoqëron gjithmonë ajo shprehja “i paafti e gjen vetë rrugën e humbjes”.

"Panorama"

SHKARKO APP