Kujt i shërben degradimi i studentit te Publiku!

Nga Aranit Muraçi

E drejta e protestës është themelore për çdo vend demokratik. Para kryesisë së Kuvendit protestuan sot rreth 20-30 studentë, të cilët siç edhe kuptohej, ishin kundër Reformës në Arsimin e Lartë. “Reforma nuk kalon!”, bërtisnin ata në kor, si dhe ishin kundër tarifave për Arsimin e Lartë në universitetin publik. Dy-tre policë dhe mediat që ndiqnin protestën e tyre, e kthenin atë gati në qesharake. Asnjë pedagog nuk i mbështeste para dyerve të Kuvendit, (ndoshta pas kuintave). Dhe për më tepër mbi 20 mijë studentë dihet se studiojnë aktualisht në universitetin publik.      

Në një kohë sezoni provimesh, kur studentët duhet të ishin sot duke studiuar për të dalë sa më mirë në provime, për qytetarët që kalonin rrugës, bëhej edhe më e pakuptimtë protesta e tyre.   

Vetëm gjatë javës së fundit në një nga universitetet publike të vendit, në atë të Elbasanit, policia arrestoi një sekser provimesh, që u merrte para studentëve për një notë kaluese ose qoftë edhe për një notë të mirë. Gjatë viteve të fundit janë arrestuar edhe pedagogë e sekserë të ndryshëm, të përfshirë në këtë fenomen që përfiton një kategori e ngushtë njerëzish por që po rrënon çdo ditë e më tepër universitetin publik shqiptar. Por asnjë fjalë nuk u tha në këtë protestë të studentëve apo qoftë edhe në protestat e kaluara mbi atë që i prek interesant e tyre më shumë dhe familjet shumta e të ndershme shqiptare. Arsimi është një e mirë publike për të gjithë dhe jo për disa.

Pra, protesta e disa studentëve më tepër se ndonjë kërkesë për të drejtat e tyre, tregon thjesht degradimin e universitetit dhe nivelin e studentit shqiptar.     

Eksperienca e viteve të fundit ka treguar sesa shumë studentë që kanë përfunduar studimet në Shqipëri, e kanë pasur të vështirë të diplomohen por akoma më të vështirë më pas të gjejnë një vend pune. Disa prej tyre kanë investuar dhe janë arsimuar me shumë mundime, llogaritë e të cilëve askush nuk i bën veçse ata vetë, por janë larguar jashtë vendit, të zhgënjyer, për të mos u kthyer ndoshta më kurrë, siç edhe pretendojnë. Dhe ka rezultuar që talenti i tyre të jetë vlerësuar në ato vende “ku puna ka vërtet vlerë” . Përballë tyre në Shqipëri kanë triumfuar kategoria që angazhohen në fushata elektorale, me njërën apo tjetrën parti. Fushata aktuale ka tërhequr një grup studentësh me vete, të tjerët studiojnë…por a ka ndonjë bilanc nga oborri akademik, se në fund cilët triumfojnë!?

Sidoqoftë ajo, efektet e reformës do të preken disa vite më vonë, kur këta studentë që ngrihen e protestojnë sot, do të kenë përfunduar studimet dhe do të jenë në tregun e punës. Nepotizmi, korrupsioni, blerja e diplomave etj, janë fenomene të njohura tashmë dhe kanë “infektuar rëndë” administratën publike. Një raport i fundit ndërkombëtar tregon se për t’u bërë gjyqtar apo prokuror në Shqipëri, duhet të paguash nga 100 mijë deri në 300 mijë euro. Biznes me leverdi, për ata që paguhen për të dhënë drejtësi, sepse kaq para çdo anëtar i familjeve të  zakonshme shqiptare nuk i prek gjatë gjithë jetës. Dhe për këtë studentët e drejtësisë nuk janë shfaqur aspak të shqetësuar, për t’u ngritur ndonjë ditë në protestë!? A e dinë vallë studentët se si kusht për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian janë reformat e thella që duhen marrë në thuajse çdo sektor jetik të vendit?            

Asnjë shqetësim deri tani në protestën e studentëve. Protesta e tyre ka mbetur vetëm te thirrja “Reforma nuk kalon”. Por ç’është reforma e Arsimit të Lartë? Kush e ka përgatitur, pse, kujt i shërben, e kujt jo? Ç’të mira i sjell studentit, pedagogut, universitetit, arsimit, publikut, dhe çfarë nuk shkon? Një analizë e gjerë mes përfaqësuesve të oborrit akademik, për të gjetur formulën e duhur e për të ndalur degradimin e universitetit publik, në vend të protestës së një grushti studentësh që çuditërisht në Shqipëri përbën edhe lajm mediatik dhe i ushqehet publikut të gjerë “me 1001 halle” si një hall më tepër, do të ishte ndoshta zgjidhja e duhur për të shpëtuar arsimin e lartë nga kolapsi që po e kanos. Por duhet vetëm një analizë e atyre përfaqësuesve që kanë ndonjë meritë në kërkime shkencore, dhe ia kanë përkushtuar jetën arsimit, e jo nga të zgjedhurit e politikës nëpër departamente, fakultete e universitete publike, të cilët pasi i gëzojnë me vite e dekada postet e larta, befasojnë sot politikën me pretendimin që të mos politizohet arsimi, duke i kthyer kërkesat e tyre gati edhe me qesharake se ato të një grushti studentësh, që sot kanë braktisur sezonin e provimeve për të dalë para ekranit të televizionit. Mbase për t'u bërë protagonistë apo të famshëm në Shqipëri, siç ia kanë dalë shumë të tjerë në këtë vend, më shumë sesa t'i përkushtohen sezonit të provimeve. Vetëm mbi këtë këndvështrim protesta e atyre pak studentëve e ka një "vlerë", mbi gjithë këtë "sistem vlerash" që kemi ngritur dhe buron nga oborri akademik shqiptar! 

Gjithsesi, në çdo vend demokratik është themelore e drejta e protestës, por të kesh të drejtë dhe të dish se për çfarë të protestosh është tjetër gjë.         

 

SHKARKO APP