Kultura e Komanit vlen ma shumë se katër shtylla elektriku

Nga Ardian Ndreca

 

Lista e monumenteve të kulturës që janë shkatrrue, vjedhë, braktisë e harrue këto 20 vitet e fundit asht mbresëlanëse. Prej te afresku i Shën Premtes në Valsh, tek shtëpia e Luigj Gurakuqit, Abacia e Shirgjit, afresket e Rubikut, varrezat tumulare prej Fushës Shtojit deri në Korçë, ikonostase e ikona të panumërta e tash së fundit po rrezikon edhe vendbanimi mesjetar i Komanit.

Katër shtylla tensioni të naltë, të cilat siç dihet janë të destinueme me sjell dritë dhe energji, do të na e pakësojnë edhe atë pak dritë njohunish që kemi rreth Mesjetës sonë dhe do të na zhysin në terrin e injorancës tue na e fshi edhe nji copë histori.

E dijmë të gjithë se në epokën në të cilën jetojmë, konsideratat e natyrës ekonomike fitojnë gjithëherë mbi ato tjerat, edhe pse nji supremaci e tillë nuk asht se na ka përmirësue dukshëm si individë dhe si shoqni.

Të rrezikosh për katër shtylla interkonjeksioni nji vendbanim mesjetar që po ia shpërblen punën arkeologëve dhe ekspeditave që kanë punue në këto vitet e fundit, do të ishte nji miopi e mirëfilltë politike. Nji histori 1500 vjeçare si ajo e qytetnimit të Komanit nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të logjikës ekonomiciste të ndonji burokrati që s’din as vorrin e gjyshit të vet e jo ma të jetë i interesuem për historinë tonë mesjetare. Mesjeta s’na ka lanë as bunkere dhe as çerdhe hafijesh, por nji qytetnim që na bashkon me shumicën e vendeve tjera europiane dhe asht studjue prej arkeologësh dhe studjuesish në za. Tue humbë Mesjetën ne humbim rranjët e mbrujtjes sonë si komb, bjerrim fillin e identitetit tonë. Asht e çuditshme por vetëm në Mesjetë kemi qenë, për nji herë të vetme, faktorë në historinë botnore, e sot dikush nuk po ngurron me zhdukë gjurmët që na kanë shty idealisht drejt atij kulmi që s’asht përsëritë ma.

Për nji gja jemi të sigurtë, ato shtylla për të cilat Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë paska dhanë lejen me vendimin nr. 367 të datës 12.12.2014, s’kanë me krijue asnji histori, maksimumi do t’i kursejnë investuesve do pare të mira, të cilat s’kanë asnji mundësi me balancue historinë tonë të humbun.

Barbaria moderne shpeshherë kalon nën stilografin e ndonji politikani, nëpunësi të papërgjegjshëm apo pehlivani të rradhës që me nji të rame shthur edhe ato pak vjega që kanë mbetë prej historisë sonë të kalueme.

Nji popull pa histori asht si nji i pagojë, për të cilin të tjerët thonë çka të duen pa pasë frikë se mund t’i kundërshtojë kush.

SHKARKO APP