Kur “destabiliteti” zëvendësohet nga “impulset”
Nga Skënder Minxhozi/
Një nga zyrtarët kryesorë të LSI, Spartak Braho, tërhoqi gjithë vëmendjen e imagjinueshme, kur dërgoi një javë më parë një letër për krerët e shtetit, në lidhje me atë që ai e konsideronte si planin për destabilizimin e vendit. Letra, e cila nuk u publikua asnjëherë, por u komentua gjatë në shtyp, ngrinte një teoremë komploti të cilën presidenti Nishani e hodhi poshtë, kur tha se nuk shihte ndonjë rrezik për sigurinë kombëtare, pas leximit të saj.
Dje Braho ka dëshmuar në prokurori në lidhje me hetimin e hapur për këtë çështje. Si zakonisht në këto raste, kur më e rëndësishme është ajo thuhet në derën e prokurorisë sesa brenda saj, Braho ka thënë tashmë publikisht prej ditësh se rreziku i destabilizimit ka ardhur duke u qetësuar. Çka relativizon dhe atë që ai mund të ketë dëshmuar tek zyrat e prokurorit të përgjithshëm.
Tani që furtuna CEZ-Dia duket se po transformohet gradualisht në një proces negociatash për ndryshimet në qeveri, edhe letra e mësipërme, e cila intrigoi të madh e të vogël ato ditë, përfshihet në po atë logjikë.
Në momentin që fjala “destabilitet” po zëvendësohet ngadalë me fjalën “impulse”, kemi rastin të kuptojmë se nuk ka qenë fjala për ndonjë komplot që do të minonte themelet e shtetit, por thjesht për një lojë të vogël pushteti, nga ato që janë konsumuar rëndom në katet e larta të politikës në 25 vjetët e fundit. Dhe që, siç po shohim, kanë shumë më pak dramë dhe suspans, nga fabula e madhe që u prodhua vetëm pak ditë më parë nga rrjedhja e një dokumenti që nuk duhet të kishte dalë nëpër faqet e gazetave. (Javanews.al)