Kur faqja e parë e një gazete futet në histori (Koha Jonë, e enjte 25 mars 1999)

Nga Roland Qafoku
Kjo është faqja e parë e gazetës “Koha Jonë” e numrit të ditës së enjte 25 mars 1999. Vetëm disa orë përpara se kalendari të shënonte këtë datë, NATO ndërmori sulmin me 100 raketa ndaj Serbisë përmes një vendimi që u quajt kundërgoditje ndaj genocidit që serbët ushtronin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ishte e para herë që aleanca më e madhe ushtarake në botë që nga krijimi i saj në vitin 1949 ndërmerrte një sulm ndaj një vendi dhe që vijoi për 78 ditë. Për herë të parë në histori Fuqitë e Mëdha ishin në krah të kombit shqiptar.
Paralelisht, situata në Kosovë ishte e tillë që nga njëra anë ushtria serbe vijonte vrasjet, dëbimin me dhunë të popullisë e deri te përdhunimet e grave dhe vajzave, Ushtria Çlirimtare e Kosovës i doli Zot popullit të vetë. Në Shqipëri mbërrinin çdo ditë karvane me njerëz që thjesht i kishin shpëtuar vdekjes por kishin parë tmerre me sy. Çdo ditë mbërrinin gjithashtu nga e gjithë bota djem dhe burra, por edhe vajza që shkonin të luftonin në Kosovë. Shqipëria e vogël për herë të parë në histori u shndërrua në një Shqipëri të madhe ku shqiptarët u bënë bashkë në territorin e shtetit të krijuar në vitin 1912, teksa një tragjedi. Në të gjithë vendin u instaluan me dhjetra kampe dhe çdo shtëpi u hap për shqiptarët e një gjaku, ndërsa spitalet u tejmbushën me të plagosur dhe të mbijetuar. Ishte nder dhe privilegj i madh për mua që si gazetar të mbuloja dhe shkruaja për një nga ngjarjet më të lavdishme të kombit shqiptar. Për herë të parë në historinë e medias shqiptare, gazeta nuk kishte sektorë. Për herë të parë gazetarët nuk mbulonin më politikën, kronikën, socialen, kulturën dhe sportin. E gjithë redaksia kishte vetëm një sektor, Kosova. Të gjithë ishim në dispozicion të saj. Secili ideonte vetë dhe shkonte vetë ku të mundte: Te kampi, në spital, nëpër shtëpi ku kishin bujtur shqiptarët e Kosovës apo edhe në rrugë kur shikonim që ata ecnin dhe kërkonin diçka. Kjo mënyrë spontane, çuditërisht solli organizimin më perfekt dhe kjo kishte një arsye. Të gjithë punonin për një ngjarje që hyri në histori si më e rëndësishmja pas Luftës së Dytë Botërore. Sikur avokatët e katër ish-liderëve të UÇK-së në Hagë të paraqisnin si provë raportimet në media, intervista, fotografi, filmime, fakte dhe detaje nga ajo kohë në Shqipëri, jam i bindur që procesi atje do kishte tjetër rrjedhë. Por me sa di, kjo nuk është bërë.
Bujtës në këtë situatë ishin edhe gazetarë të huaj. Ky fati i yni që të merrnim vesh jo vetëm informacione që nuk kishim mundësi ti kapnim, por edhe të krijonim një përvojë se si mbulohej një ngjarje e madhe botërore, më e madhja e atij momenti.
Krahas bllokut të ditës, ato 78 ditë kam mbajtur një ditar të veçantë dhe e kam quajtur ditari i luftës në Kosovë. Janë vërtetë shënime, detaje dhe fakte që kur i lexoj sot më krijojnë një ndjesi krenarie që isha gazetar në atë kohë. Dhe sigurisht, në arkivin tim, kam të ruajtur çdo numër të gazetës “Koha Jonë”. Nëse një ditë do shkruhet historia e medias shqiptare, padyshim që kjo faqe e parë do ketë vendin e saj.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?