Kur i ble torturat me para
FEJTON
Nga Hyskë Borobojka
Torturat për njeriun e gjorë janë të shumta e të shumëllojshme. Kjo është e vërtetë dhe e provuar, si dy e dy që bëjnë katër. Njeriu në jetën e tij, të gjatë apo të shkurtër, nuk shpëton dot prej tyre, qofshin këto të lehta apo të rënda (sa mund të të dërgojnë në atë botë). Qëmoti, një burrë të ndjerë e zuri taksirati të rruhej te një berber kërbaç, aq sa brisku i tij ia bëri lakër fytyrën Por ai s’u ankua e s’nxori asnjë psherëtimë, aq sa dhe vetë berberi, me brisk në dorë, u çudit e i tha:
-Qënke burrë i fortë! Si nuk nxore asnjë rënkim e s’bërë asnjë ankesë!?
-Komunistët kur torturoheshin nuk nxirrnin nga goja asnjë fjalë! – iu përgjigj ai me krenari.
Këtyre formave të vjetra të torturave u kemi thënë rrini me shëndet atje në muzeun, por s’kemi shpëtuar nga disa tortura të reja, kur udhëtojë me autobusët urbanë në unazën e Tiranës. Ti apo unë, në një orë të caktuar qëndrojmë në stacion e presim urbanin të shkojmë në punë. Ai i uruar e i bekuar s’vonon të vijë (Qëllon edhe vonohet ca si tepër, po ç’të bëjë, një dorë hekura e llamarinë është). Sa hipin në të ndjen një kënaqësi të madhe kur gjen ndonjë ndenjëse të lirë apo ta lëshojnë në shenjë respekti, edhe pse s’je ndonjë VIP. Si zë vend mirë e bukur, urbani niset, por në njërin nga stacionet ngulet dhe s’di të shkulet. Shoferi ka dalë dhe një udhëtar pyet fatorinon:
Sa do qëndrojë këtu autobusi?
-Atë e di shoferi dhe s’e di unë! – i përgjigjet ai, duke mbledhur ndonjë biletë të hedhur nga qytetarët, për ta shitur për të dytën herë.
Autobusi meazalla se lëviz nga vendi e bashkë me të edhe udhëtarët. Nuk vonoi “shumë” dhe vjen drejtuesi i tij duke u mbllaçitur (si duket fakirit s’ia kishte përgatitur mëngjes a drekë në shtëpi nikoqiria dhe detyrohet të ushqehet rrugëve, ku të mundë) Më në fund thyhet këmba e shejtanit dhe vazhdon përsëri udhëtimi. S’ka kaluar më shumë se tre stacione dhe shoferi njofton me gojën e fatorinos, se udhëtarët duhet të zbresin e të hipin në autobusin tjetër që vjen, pasi ky që keni hipur nuk bën më tutje. Qytetarët, si puna ime e tëndja, janë të bindur e të urtë. Madje s’kanë guxim të pyesin shoferin se ç’ishte kjo zbritje në mes të unazës, pasi kanë frikë të madhe. Ku ta dish se dhe ky mund të jetë si ai shoferi i linjës urbane të Kamzës më thikë në brez, që mund të inatoset e të ther si bagëtitë në thertore, apo në rrugë kur mungon kjo e fundit?!
Tani fillon tortura e vërtetë. Qytetarët shtyjnë njëri-tjetrin për të dalë sa më parë e për të zënë autobusin tjetër. Një grua me paterica rrëzohet e lëshon kujen. Ata që kanë me vetë karroca me fëmijë apo të mbushura plot me perime e fruta, torturohen, jo vetëm për t’i zbritur, por me keq akoma për t’i hipur në autobusin tjetër. Njerëzit ngjishen njëri pas tjetrit si sardelet në kuti. Dikush lëshon një ulërimë se e kanë shkelur në kallon, që ka në këmbën e majtë. Më në fund tortura mbaron. Shoferit i dha Zoti udhë dhe autobusi merr yrysh e niset. Një nga qytetarët psherëtin i çliruar nga një siklet i madh:
-Qoftë me kaq, shpëtuam!?
Po harron fakiri se akoma s’kanë mbaruar as stacionet ku duhet të zbresë e as torturat. Autobusi nuk ka vetëm shoferin, që ndalon ku t’i teket për të ngrënë diça e për të lagur gojën me një kafe të mire, një lëng të shijshëm apo të bëjë një dorë muhabet me një mik që takon në mes të rrugës. Ai ka dhe fatorinon që, si një psikolog i mbaruar me “kurs të posaçëm”, psikologjis udhëtarët, kujt duhet t’i japë biletë e t’i marrë paratë dhe kujt apo cilës t’i marrë paratë e të mos i japë biletë (sa për ditët e festave dhe fundet e javës, fatorinot kanë “Shën Lekun”. S’mbajnë bileta as në dorë e as në xhap, kanë vetëm një detyrë, të mbledhin sa më shumë para nga udhëtarët). Edhe këta që lodhen duke shkuar nga kreu në fund të autobusit kanë nevojë të çlodhen pak.
U zgjatëm pak si tëpër, sepse as shoferët e as fatorinot e autobusëve urbanë nuk i kanë qejf zgjatjet, pasi falët e shumta janë fukarallëk. Rruga e unazës është e “gjatë” dhe ata të gjorë “lodhen” e u thahet goja për një pijë freskuese, një akullore apo një copë bukë e një pjatë gjellë dhe kush i ndalon ta qëndrojnë autobusin brenda apo jashtë stacionit, duke i lënë udhëtarët të presin sa të tërbohen e të torturohen nga rrezet e nxehta të diellit, korrentet e ftohta të erës, e zhurmat shurdhuese të te ndonjë qytetari fjalaman.
Dhe tortura nuk mbaron këtë. Kur vjen stacioni ku duhet të zbresë qytetari për të shkuar në punë, shikon orën dhe ve rë se ka kaluar më shumë se një gjysëm ore nga fillini i punës. Ai tani ka një torturë tjetër, prandaj niset me frikë e datë në zemër. Do ta pranojë shefi i zyrës apo përgjegjësi i biznesit në punë apo do ta dërgojnë në shtëpi dhe do t’i duhet të fillojë përsëri torturat me autobusët urbanë të kryeqytetit.