Kur opozita “hyn në ujë”!

Nga Mero Baze

Qeveria dhe opozita janë përfshirë në një debat në distancë, lidhur me gjestet simbolike të opozitës për të ndihmuar zonat e përmbytura dhe atë që konsiderohet si “shou” politik në fatkeqësi të tilla.

Në një koment të tij rreth kësaj situate, kryeministri u angazhua se qeveria do të jetë më pak prezente në ekrane dhe më shumë në terren. Ndërkohë kryetari i opozitës mblodhi Grupin Parlamentar dhe bëri thirrje për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme, pasi u kthye nga njëra prej zonave të përmbytura në Jug.

Në të vërtetë në situata të tilla solidariteti nuk bën dëm. Edhe gjestet e opozitës që çojnë disa pako ushqimesh, nuk mund të kritikohen. Por ajo që irriton njerëzit në këto raste, është një lloj përpjekje për ta përdorur solidaritetin ndaj njerëzve në nevojë, si një vazhdim të betejës politike.

Në situata kur vendi përfshihet nga fatkeqësi, debati politik fokusohet vetëm për gjëra të rëndësishme, që mund të kenë ndikim mbi situatën.

Në rastin konkret banorët nuk presin shumë gjëra nga politika dhe në fakt nuk kanë çfarë presin, sidomos nga opozita. Ata presin ndihmë nga pushteti dhe nga solidariteti i mijëra qytetarëve, qofshin këta edhe opozitarë që duan t’i ndihmojnë.

Ndihma e opozitës në këtë rast është shumë e mirëpritur, por mënyra si ajo serviret nuk është përpjekje për tu dëshmuar si ndihmë, por përpjekje për të dëshmuar një pushtet paralel. Disa detaje qesharake të ngritjes së Shtabeve të Emergjencës nga PD-ja apo administrimi ndaras i ndihmave, nuk është solidaritet, por thjesht politikë që vë në siklet gjithë palët, sidomos ata që ndihmohen.

Për të qenë serioz, duhet të themi se situata në Vlorë dhe Fier nuk është ende në kufijtë e mbijetesës, por është një situatë me plot probleme që duhen menaxhuar me kujdes dhe operativitet. Në këtë rast, opozita do të bënte shumë punë sikur të forcohej pranë Shtabeve zyrtare të Emergjencës dhe të jepte ndihmën e saj, qoftë dhe fare simbolike. Në këtë rast vlen më shumë solidariteti se sa makaronat. Por edhe nëse nuk ka mundësi të shkojë në terren, le ta bëjë mbështetjen ndaj zonave të përmbytura dhe nga Tirana, dhe nga ekrani, dhe nga salla e parlamentit, kudo që ndodhet. Njerëzit kanë nevojë të dëgjojnë se ndaj tyre ka vëmendje dhe kjo ka shumë rëndësi.

Nga ana tjetër, është detyrë e opozitës të jetë vigjilente; të shikojë nëse ka diçka që nuk shkon në operacionet e shpëtimit, të shikojë nëse ka korrupsion në ndarjen e ndihmave etj. Kjo është vërtetë një detyrë opozitare.

Është po ashtu detyrë e opozitës të bëjë debat nëse këto fatkeqësi janë shkaktuar nga neglizhime të punëve të qeverisë. Ky është një debat, që mund të bëhet pasi të përfundojë emergjenca e kësaj situate.

Është po ashtu shumë humane, që opozita të mbledhë ndihma, të shkojë t’i shpërndajë ato qoftë dhe vetëm, edhe pse mirë do të ishte t’ua çonte Shtabeve të ngritura për këtë çështje.

Marrë nga gazeta "Tema"

E vetmja gjë qesharake dhe e padobishme është që të sillesh si pushtet palalel në mes të ujërave të Vjosës, që kanë vërshuar fushave. Të shkosh aty, mes njerëzve të përmbytur, për tu thënë atyre që ne nuk e njohim këtë qeveri që iu shpresoni t’iu shpëtojë se kemi një qeveri tonën dhe ta kthesh përpjekjen për mbijetesë në garë elektorale, është qesharake dhe bezdisëse dhe për vet viktimat e përmbytjes. Kështu nuk zmadhohesh si opozitë. Kështu thjesht hyn në ujë!

SHKARKO APP