Kur qeveritë bien nga kryeneçësia
Kur qeveritë bien nga kryeneçësia
-Prej Edi Ramës te Ramiz Alia-
Nga “huliganët” e ambasadave të vitit 1990 e deri te “mbetësit”e universiteteve të 2018-ës kanë lëvizur shumë gjëra, por nuk ka ndryshuar asnjë grimë mendësia dhe kryeneçësia e qeverisë.
Nga Gjovalin Gjeloshi
Në fund të nëntorit të këtij viti, një javë përpara fillimit të protestave, botova në “Koha Jonë” një ligjëratë të porositur nga shoqata “Malësia e Madhe” me qendër në Detroit të SHBA. Një ndër shtyllat e ligjëratës, që u drejtohesha emigrantëve dhe diasporës, ishte: “Na ndihmoni të protestojmë sepse energji të vërteta të popullit kanë emigruar”. Përveçse ndihem mirë se paralajmërova protestat, në një pikë qenkam gabuar: nuk paskam llogaritur studentët.
Shtypi në fakt, përveçse të hetojë, duhet të paraprijë, të paralajmërojë. Mund edhe të turret kur ndodhin gjërat e të analizojë, ashtu siç po shpejtoj edhe unë të futem në rrjeshtin e të gjithë atyre gazetarëve që kanë shkruar gjatë këtyre ditëve për këtë temë të ditës, të parë nga dhjetra këndvështrime. Por kjo e fundit, megjithëse e domosdoshme që të shkruhet, të vendosë disi në bisht të situatës. Qeverinë aty e kishim bashkë me kryeministrin. Arroganca e pashoqe, deri në injorancë; prepotenca e padurueshme, deri në diktaturë; tallja ekstreme, deri në komedi; mungesa e edukatës minimale e të sjellurit në publik, deri në foshnjëri e çdo mangësi tjetër, jo për një burrë shteti, por për një njeri normal, nuk na janë shfaqur sot, por qysh ditën e parë kur ky njeri tha: nuk keni parë gjë akoma. Dhe vërtet e vetmja fjalë e vërtet dhe e sinqertë e tij, kjo paska qenë. Ç’nuk do të shihnim e ç’nuk po na shohin sytë tanë! E megjithatë shtypi nuk ka qenë krejt i bashkuar për të goditur fort dhe gazetarët nuk e patën nervin për të reaguar ndaj fyerjeve që u bëheshin edhe atyre vetë prej qeveritarëve, ashtu siç po veprojnë këtë dhjetëditor të mesdhjetorit.
Kur populli nuk duron më dhe del në rrugë, qeveria duhet t’i thërrasë mendjes: mos t’i quaj të rinjtë që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, huliganë apo “jashtëqitja e kombit” dhe mos të çirren udhëheqësit partiakë nëpër sheshe duke thënë se “ata nuk janë Shqipëria”, duke mos parë greminën se ku kishte nisur të binte qeverisja e radhës. Duke filluar nga fundi, prej Edi Ramës e deri te Ramiz Alia në fillesë, të gjitha qeveritë tona i ka karakterizuar mendjemadhësia, shkurtësia e dritës së të parit, kryeneçësia. Të gjitha qeveritë kanë vepruar sipas asaj fabulës së gomarit, i cili ndërkohë që po e hante ujku (e kishte filluar nga bishti), ai thoshte: ishalla jam në ëndërr. Ndodh, që një qeveri mund të jetë në gjumë teksa i proteston populli i vet, por së paku të ketë aftësinë për të dalluar ëndrrën nga realiteti
-Si iu dha? – thotë populli, – kur don me pyet se si reagoi njëri apo tjetri person për zgjidhjen e një situate që i është paraqitur. Ka dhjetra raste pozitive që tregojnë mençurinë e burrave të cilët japin zgjidhje të mençura e të drejta në kushte nga më të vështirat. Të gjithë kryeqeveritarëve tanë u jepet të thonë fjalën e fundit të parën, ndërkohë që ata nuk duhet ta thonë asnjë herë këtë fjalë. Nga “huliganët” e ambasadave të 2 korrikut të vitit 1990 e deri te “mbetësit” e universiteteve të dhjetorit 2018, mund të kenë ndryshuar dhe kanë ndryshuar shumë gjera, por nuk ka lëvizur kurrnji grimë mendësia e qeverisë. Ajo mbetet kryeneçe, deri në atë masë sa me i ra me varrè kokës, thotë – “ku krisi”; moskokëçarëse, deri në injorim total të atyre që protestojnë; injorante, deri sa të besojë se është në ëndërr si te ajo fabula e gomarit, e paaftë deri sa me e meritua, jo me e ulë, por me e rrëzua nga fiku.
“Profecisë” së Ramiz Alisë dhe propagandës së dalë boje, se Shqipëria nuk ishte as Lindje as Perëndim, “huliganët” iu përgjigjen duke kapërcyer kangjellat e ambasadave perëndimore dhe çarë kështu përfundimisht murin ndarës me botën demokratike. Ndërkohë që Ramiz Alia nuk realizonte kërkesën minimale, për të ndryshuar emrin e Universitetit të Tiranës, demonstruesit jo vetëm e detyruan me forcë të ndryshonte mendim, por ia tërhoqën zvarrë nëpër shesh edhe vetë njeriun, emrin e të cilit mbante universiteti. Ndërkohë që Sali Berisha s’pranonte as vërejtje as këshilla të kurrkuj, për 26 majin apo për ndryshime në qeveri dhe i lexonte siç i lexon sot Edi Rama protestat e studentëve, demonstratat e Lushnjes a Vlorës, (vartësit servilë e të paaftë e gënjejnë shefin e tyre: thuhet se në janar të vitit 1997, u shkarkua nga puna oficeri i SHIK-ut në Vlorë, i cili raportoi në qendër numrin e saktë të demonstruesëve), iu desh të largohej për tetë vjet me radhë nga pushteti, pas një shkatërrimi të paparë të vendit në historinë shtetformuese të tij.
Kryeministri i fundit duket më i zi se djalli, dhe “kungulli nëpër ujë, nuk ka për të shkuar pafundësisht pa u çarë”. Ky popull, pavarësisht lëshimit të tepruar të deritashëm, do ta kërkojë një ditë dinjitetin e shkelur me këmbë prej një njeriu që kujton se do ta hedhi lumin duke shkruar batuta humoristiko-banale në “feis-buk”. Studentët e ditës së parë ishin pak dhe protestuan vetëm për një pikë. Kjo më duket ngjashëm me bërthamat e dy orteqeve, të cilat vijnë duke u rritur kur marrin teposhten. Mendoj se nuk ka rrugë tjetër, nëse këtij populli i ka mbetur pak dinjitet, përveçse të kontribuojë në rritjen e këtyre dy orteqeve: të numrit të protestuesve dhe së dyti, listimi i kërkesave të ligjshme të tyre, të cilat natyrisht nuk mund të jenë 8, por 18 e më tepër.
Studentët nuk janë të kryeministrit. Ata nuk janë rritur në strehën vorfnore të financuar prej qeverisë, që tashmë të interesohen vetëm për tetë pikat e tyre dhe të mos shikojnë se çfarë ndodh jashtë mureve të fakultetit apo godinave të fjetjes, në vatrat e tyre familjare. Ashtu siç do të rritet në vijimësi orteku i pjesëmarrësve në protestë, do të zmadhohet edhe orteku i kërkesave që duhet t’u japë rrugë kjo qeveri.
Studentët janë bijë e bija të punëtorëve, të naftëtarëve e metalurgëve, me të cilët qeveria ka bërë veshin e shurdhër kur janë lënë pa punë dhe pa pensione të veçanta. Studentët janë bijë e bija të fermerëve dhe do të protestojnë për çmimin e lartë të karburanteve, (njëlloj sa në Francë e Itali dhe më i lartë se rreth e rrotull) kur punohet toka bujqësore; për politikat diskriminuese të qeverisë ndaj bujqësisë, e cila nuk merr asnjë përkrahje, asnjë subvencion dhe shumica e fermerëve janë në kufijt e mbijetesës. Janë bijë e bija fshatarësh, të cilët kjo qeveri i ka bërë të shesin lopën e qumështit, derrin e mishit të dimrit dhe thesin e fasules, për me shlye me pahir faturat vjedhacake të energjisë elektrike apo faturat abusive të ujit të pishëm. Janë fëmijët e atyre që po fyhen në fushatat zgjedhore, duke e blerë varfërinë e tyre me një thes miell në këmbim të votës. Studentët janë fëmijët e bisnesmenëve të vegjël, 13 mijë prej të cilëve kanë falimentuar vetëm në 6 muajt e fundit, për shkak të tvsh-së. Studentët dhe prindërit e tyre “përfitojnë” shërbim shëndetsor të denjë për vendet e botës së tretë. Studentët dhe prindërit e tyre udhëtojnë duke kaluar nëpër aeroportin me çmimet më të larta të rajonit. Studentët dhe prindërit e tyre blejnë ushqime në markete me çmime njëlloj apo më të larta se sa në Greqi, Itali e vendet e tjera të rajonit, kundrejt pagave disa herë më të ulta që kemi. Ata e duan natyrën e tyre, lumenjt, përrojet e ujvarat, nga Cemi e Valbona, nga Seta në Dibër e kanionet e Osumit, të cilat po shkatërrohen për t’u pasuruar një grusht njerëzish pranë qeverisë. Studentët dhe prindërit e tyre jetojnë në një vend ku mashtrimi është në sistem qeverisës, ku drogën e administrojnë klane pranë kryeministrit, ku kriminaliteti paturpësisht është një gjë normale në administratën e lartë.
Ja pra, pse nesër dy orteqe do të jenë më të mëdha: orteku i njerëzve dhe i kërkesave. Këto dy orteqe do t’i rrisë kryeneçësia e qeverisë, e cila me mendjelehtësi do t’i shtyjë studentët dhe prindërit e tyre drejt protestave jo civile dhe për këtë nuk është përgjegjësia e këtyre të fundit.
KOHA JONË SONDAZH

