Kur sovrani ‘fle gjumë’…

 

Nga Vladimir Lulaj

 Në të gjitha kushtetutat e vendeve të Bashkimit European ka nene të posaçëm, ku  sanksionohet se parlamentet e këtyre vendeve përfaqsojnë popullin. Kështu përshembull, neni 66 i Kushtetutës së Spanjës përcakton se: “(1)… Parlamenti përfaqson popullin e Spanjës dhe është i formuar nga Shtëpia e Përfaqsuesve dhe Senati.”. {“(1) The Parliament represents the Spanish people and is formed by the House of Representatives and the Senate”.} Kushtetuta e Greqisë (Greece – Constitution), në pikën 1 të nenit 1, përcakton se Greqia është Demokraci Parlamentare me Presidentin si Kryetar të Shtetit : [ “(1) Greece is a Parliamentary Demokracy with a President as Head of State” ]; kurse në pikën 2 të nenit 51 ka sanksionuar se : “(2) The deputies represent the Nation.”, domethënë “Deputetët përfaqsojnë Kombin”.

Kë përfaqson parlamenti i Shqipërisë ?

   Në asnjë nen të kushtetutës sonë nuk përcaktohet qartë koncepti strategjik shtetëror lidhur me pushtetet e përkohshëm politikë, të cilët, përputhur me vendimarrjen elektorale, i delegon shoqëria civile shqiptare brenda parlamentit; ndaj, shpeh herë konfodohet forma politike e aktrimit parlamentar me përmbajtjen reale të faktit se kë dhe çfarë, de jure dhe de facto, përfaqson drejtpërsëdrejti Parlamenti.

      Njëlloj si trupave teatrore, ku aktorët profesionistë kundrejt pagesës interpretojnë në skenën e teatrit pa menduar se “godina” ku aktrojnë është prona e tyre, u ngjet edhe grupeve parlamentarë të partive politike; të cilët jo vetëm hartojnë ligje për funksionimin sa më normal dhe progresiv të shoqërisë sonë civile, por edhe përpiqen të interpretojnë sa më mirë politikat strategjike të shtetit ligjor, pa medituar se shteti punëdhënës është nën sundimin dhe komandën e tyre; ndryshe populli i zgjuar shqiptar, ky  “pronar” i institucioneve kombëtare, patjetër do t’a prishte kontratën konfidenciale me këta të rekrutuar, ose “njerëz të çmendur”…

      Parlamenti, ky ditëshor (binjak) i popullit, është pushtet i pavarur strategjik shtetëror dhe legjislativ, që de facto buron dhe  zgjidhet prej popullit, kurse de jure ekziston vetëm si verdikt përfaqsues i popullit; sepse brenda këtij institucioni kombëtarisht të pa tjetërsueshëm të gjithë

faktorët e gjindshëm, përfshi edhe pushtetet e përkohshëm politikë, janë zgjedhur, rekrutuar, ose punësuar me synimin e posaçëm, për t’u shërbyer vetëm interesave integrale immediate dhe perspektive të popullit të pavdekshëm shqiptar.

 

Votat e deputetëve, që përfaqsojnë popullin,

s’mund të jenë “pronë” e partive politike

 

      Kryeherit, qysh në pikën 1 të nenit 1, kushtetuta e vendit tonë  ka sanksionuar parimin se : “1. Shqipëria është republikë parlamentare.”; kurse në pikën 1 të nenit 2 ka mëtuar principin themelor bazë : “1. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit.” Nisur nga këto përcaktime, prerazi dhe taksativisht vetkuptohet se vendi ynë s’mund të konceptohet asnjëherë si “republikë partiake”; ndaj, për këto arsye, sovraniteti asnjëherë s’mund t’u përkasë partive politike ekzistuese, që eventualisht mund të synojnë sundimin, ose komandimin e Shtetit Ligjor të Shqipërisë…

      Kushtetuta aktuale e Shqipërisë, e motivuar prej ndërhyrjeve “flagrante” të pushteteve politikë, “flet” për Kuvendin e deputetëve në nenin 64 të saj; ku, pas ndryshimeve të miratuara me ligjin nr.9904, datë 21.04.2008, shkruhet : “1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona shumemërore.” Por, për fat të keq, ligji themelor i shtetit tonë ende nuk e ka përfshirë parimin themelor bazë, sipas të cilit, pa lejuar asnjë ekuivok, do të konsakrohej e drejta në marrëdhëniet e brendëshme kombëtare, duke shprehur qartë se : “Parlamenti Shqiptar përfaqson Popullin dhe Kombin e Shqipërisë”.

      Ndonëse në pikën 1 të nenit 70 të kushtetutës shqiptare është përcaktuar se : “1. Deputetët përfaqsojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.”; nuk hidhet aspak dritë mbi “hijet” e mandateve detyrues, të cilët, siç tregon përvoja, vazhdimisht kanë background (sfond) politik. A nuk votojnë vazhdimisht deputetët shqiptarë si “skllevër obedientë” ndaj vendimit politik, që merr grupi parlamentar partiak ku bëjnë pjesë.., pa mbajtur parasysh se votën e kanë personale dhe në shërbim të interesave të përgjithshme të popullit?

      Në ligjin themelor të shtetit tonë nuk shprehet qoftë edhe nuanca më e vogël juridike për ta inspiruar, orientuar, ose mbështetur votimin parlamentar të deputetëve gjithmonë në favor të popullit; ndaj rëndom, prej afro tetë vitesh, deputetët politikë “blu dhe rozë” i janë referuar “me tepricë” modelit elektoral proporcional rajonal spanjoll, por thuajse aspak kushtetutës së Monarkisë Parlamentare të Spanjës; ku, në pikën 3 të nenit 79, është përcaktuar se : “(3) The vote of the Senators and Deputes is personal and cannot be delegated”, d.m.th. “(3) Vota e Senatorëve dhe Deputetëve është personale dhe nuk mund të delegohet”…

 

Demokracia parlamentare s’duhet sunduar nga pushtetet politikë

 

      Sistemi elektoral proporcional rajonal i Monarkisë Parlamentare të Spanjës konsiderohet racional për kushtet, traditat dhe përvojën demokratike të këtij vendi; por, sipas nesh, shpërfaqet paradoksal, i huazuar, inert dhe i padobishëm kombëtarisht për kushtet e Republikës Parlamentare të Shqipërisë; ku pushtetet politikë, çuditërisht pa i dhënë llogari askujt për ndërhyrjet e shpeshta politike kundër Kushtetutës së vendit, sikur të mos ishin përfaqsues të ndërgjegjes ligjore të shtetit, për fat të keq, nëpërmjet manipulimit të parlamentit ekzistues, faktikisht kontrollojnë, sundojnë dhe komandojnë “kërcënueshëm” tërë vjegat e kombit.

      Më 30 gusht 2006 u zbatuan strategemat e para partiake antikushtetuese, për t’a përshtatur dhe vendosur ligjin themelor të kombit në shërbim të interesave heterogjene të disa pushteteve politikë; kurse më 21 prill 2008 diada PD – PS vendosi ta sundonte e komandonte tërë spektrin plurarist të partive ekzistuese, duke diktuar ndryshime krejtësisht të panevojshme në nenet 64, 65, 67, 68, 87, 88, 104, 105, 149 dhe shfuqizuar pjesën e dymbëdhjetë “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve” të Kushtetutës; të cilat s’përbëjnë asnjë risi të favorëshme në pikëpamje të mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave strategjike të shtetit tonë ligjor dhe shoqërisë civile shqiptare. Koha do të vërtetojë se kombi shqiptar, demokracia parlamentare dhe shteti ynë ligjor nuk kanë nevojë për t’u sunduar dhe komanduar nga diktatura e pushteteve të pakontrolluar politikë, siç ka ngjarë gjer më sot, por lypset të ndodhë e kundërta.

      Lind pyetja, çfarë ka fituar kombi shqiptar nga ndryshimet e shpeshta, të befta dhe

joracionale të Kushtetutës, përveç forcimit të ekzagjeruar të pushteteve politikë dhe sundimit neopartiak të shtetit…?

      Asnjë arsye objektive racionale nuk do ta detyronte parlamentin totalisht partiak të Shqipërisë të ndryshonte sistemin elektoral të shtetit, që ishte maxhoritar për të zgjedhur populli drejtpërsëdrejti 100 deputetëve, midis shumë kandidatëve të nominuar në zonat elektorale një emërore; si dhe proporcional, për të shpërndarë 40 vende të alokuara në dispozicion të subjekteve konkurues politikë, duke e limituar përfaqsimin parlamentar të partive me votbesimin politik të 2.5% të shoqërisë civile shqiptare.

      Duhej ta ruanim me kujdes dhe konsolidonim me sukses sistemin maxhoritar proporcional në vendin tonë, sepse vetëm kësisoj Parlamenti ynë do të përfaqsonte drejtpërsëdrejti Popullin e  Shqipërisë, si dhe do të delegonte legalitet për përfaqsimin parlamentar të partive politike. Nëse  kombi do të përfaqsohej me 12 grupe parlamentarë bazë qarku, mandatet e të cilëve nuk do të influencoheshin nga pushtetet politikë parlamentarë të disa partive, të cilat të marra së bashku do të përfaqsoheshin vetëm me 40 karrike në Kuvendin e Popullit, ndaj asnjëherë nuk do të kishin mundësi për të destabilizuar veprimtarinë legjislative të shtetit; sepse maxhoranca politike parlamentare në rastin minimum do të përfaqsohej me 21 deputetë, kurse në rastin më ekstrem me 30 deputetë.

Nëse “nuk do futet askush deputet jashtë vullnetit të  kryetarit të partisë”, pritshmëria do jetë tepër e zymtë…

      Sistemi maxhoritar proporcional me 100 deputetët e zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli jo vetëm do të garantonte përfaqsimin e këtij sovrani në parlament, por edhe nuk do të lejonte “shpërthimin” e destruktivitetit të 40 deputetëve politikë të zgjedhur sipas procedurës proporcionale kombëtare.

      Gjithashtu 100 përfaqsuesit e popullit, në emër të interesave të përgjithëshme strategjike të shtetit, do ta kontrollonin më mirë qeverisjen politike të vendit, ose pushtetin e deleguar ekzekutiv qendror, duke e dominuar plotësisht “luftën” partiake brenda parlamentit. Kësisoj asnjë kryeministër politik, pavarësisht nga emri dhe alternativa partiake që përfaqson, nuk do ta kontrollonte pushtetin shtetëror parlamentar, por do të monitorohej rreptësisht nga interesat kombëtare të shtetit tonë ligjor.

      Përfytyroni tani në ç’situatëse mund të ndodhet së shpejti shteti ynë kombëtar, kur, bazë sistemit të keqadaptuar proporcional rajonal, praktikisht të gjithë deputetët do të përzgjidhen vetëm nga disa kryetarë partie; sepse elektorati shqiptar do jetë i detyruar të votojë vetëm për siglat e partive politike, të cilat kanë të drejtë të kandidojnë, nëpërmjet listave të mbyllura, atë person që u do qejfi. Kujtoni retorikën demagogjike të kryeministrit aktual, z. S. Berisha, i cili më datën 24 prill 2008 u përpoq të argumentonte dobinë e sistemit proporcional rajonal duke theksuar frazën : “Nuk futet askush deputet jashtë vullnetit të kryetarit dhe partisë”…

      Një e ardhme tepër e zymtë na pret, nëse populli, me ligj gjoja kushtetues, detyrohet të votojë ashtu siç duan partitë politike, kurse ato, të mbetura jashtë kontrollit shtetëror, siç janë aktualisht, do të bëjnë jo siç kërkon interesi i popullit, por ashtu siç ua do qejfi kryetarëve të “plotfuqishëm” delirantë, aspak të përgjegjshëm ose llogaridhënës, të partive politike parlamentare.

Pse ofrohen reminishenca  enveriane, në emër të demokracisë…?

      Demokracia e pakonsoliduar shqiptare dhe shteti ynë ligjor duhet të jenë gjithnji dhe më tepër vigjilinte, madje aspak tolerante, ndaj prirjeve sunduese, komanduese, antiligjore dhe mbishtetëre të pushteteve të deleguar politikë… Le të kujtojmë për një çast demagogjinë e dikurëshme enveriane, apo parrullën mashtruese : “Ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”… Kjo reminishencë e rrezikëshme, që dikur justifikonte dhe mbronte skllavërinë e diktaturës parti – shtet, tashmë jo vetëm është rikthyer, por, gjoja në emër të demokracisë dhe lirisë politike, po na kanos shtetin tonë të brishtë ligjor.

      Përbërja e pushteteve politikë në parlamentin kombëtar të Shqipërisë reflekton vullnetin politik diversiv elektoral të shoqërisë sonë civile, ndaj le të respektojmë racionalitetin e popullit tonë, le t’i kundrojmë subjektet elektoralë të partive, si një “kope me kuaj” politikë në shërbim të “pronarit” popull, që përzgjedh për të “kalëruar” lirisht atë që i do “qejfi”…

      Të mos harrojmë postulatet hegelianë lidhur me deputetët përfaqsues të kombit, të cilët kanë tagër ta përfaqsojnë popullin vetëm kur zgjidhen  drejtpërsëdrejti nga populli. Mos vallë jemi  profanë, pa skepticizëm, apo totalisht budallenj, që të shpresojmë se të gjithë deputetët, thjesht të përzgjedhur dhe të “emëruar” nga disa liderë partiakë, do të jenë përfaqsues besnikë të popullit dhe kurdoherë parimorë në marrëdhënie me emërtesën politike që i “gradoi” deputetë?

Ku “mbretëron” një popull i përgjumur intrigojnë pushtetet politikë

      Dihet se ç’tragjedi të hidhur pësoi mbreti famëmadh, shekspiriani Lir, që ishte shumë bujar dhe tepër mëndjelehtë, kur ua dhuroi dhëndurëve mbretërinë e vet. Precedenti mund të përditësohet në Shqipërinë tonë Demokratike, ku “mbretëron” një popull i përgjumur dhe intrigojnë disa “dhëndurë” politikë, që s’lenë gur pa lëvizur për t’a zevendësuar këtë sovran “mëndjelehtë”.

      Partitë egocentriste  asnjëherë nuk i kanë konsideruar të mjaftueshme 40 karrike për të përfaqsuar alternativat e tyre politike në parlament; ndaj, gjoja me ligj kushtetues, i kanë abroguar të drejtën popullit për të zgjedhur lirisht dhe drejtpërsëdrejti deputetët, që do t’a përfaqsojnë në Kuvend. Të shqetësuar prej këtij fakti, tash mëtojmë rrezikun real, pra i bëjmë thirrje vigjëlencës së shtetit ligjor, sepse sistemi elektoral proporcional rajonal, për kushtet e Shqipërisë, s’ka bërë asgjë tjetër veç krijimit të kushteve për të rivendosur neodiktaturën e partive – shtet.

 

SHKARKO APP