Kur takohet Princi Charles me IRA-n!
Nga Irfan Rama
Këtë javë në një Universitet të Irlandës Princi Charles i UK takoi pa iu dredhur syri e mendja liderin republikan irlandez Gerry Adams, njërin nga ish-liderët e organizatës terroriste të tmerrshme në Irlandën e Veriut që “blatoi” e mbështolli me gjak dhe tis klithmash dëshpëruese një populli të tërë irlandezo verior. Si dhe përcolli hijena armiqësie thuajse kanunore midis popujve britanikë për vite të tëra. Dita e martë më 19 maj 2015 do të kujtohet gjatë nga Princi, Adams dhe të gjithë britanikët, por edhe nga e gjithë bota e civilizuar pasi siglon mbylljen ndoshta përfundimtare të luftës delirante të IRA-s ndaj Anglisë dhe mosmarrëveshjeve të pandreqshme që për tre dekada gjakëderdhje sektariane përcollën për pafajësi në jetën e përtejme, 3500 njerëz.
Në takimin e parë pas 30 vjetësh, të një personaliteti mbretëror, Princi Charles ka nëpërmendësuar në atë takimin “Pik” kokë me kokë – siç është moda sot për disa sekonda të zgjatshme – me Gerin me mbajtje ballesh të ngjitur skenën mesjetare të vrasjes së xhaxhait të tij Earl Mountbatten, xhaxhait të madh që e donte aq shumë, babaitzot e mentorit të tij në vitin 1979. Në bregdet kur ai kish dalë të gjuaj peshk në një anije dhe u vra tok me disa të tjerë në një aksion që mbahet ndër më perfektët të realizuar nga IRA në të gjithë historinë e saj.
Ndonëse Adams gjithmonë i ka hedhur poshtë pretendimet angleze se ai ka qenë figura kyçe në IRA i cili vrau personalitetin Mountbatten pas takimit 15 minutash pohoi: “Ne diskutuam nevojën për tërheqjen e procesit dhe për të lëvizur përpara. Për të shëruar plagët. Mendoj se është Fair të themi se edhe Charles është për të vështruar nga e ardhmja. Ai dëshiron që të jetë një influencues pozitiv. Të dy ai dhe ne shprehëm keqardhjen për atë çfarë ka ndodhur nga viti 1968 e këtej”. Ai shtoi më tej se “ishte diçka e madhe, dukshëm e qartë për angazhimin e tij për tu marrë me këtë çështje si dhe ne për të bërë gjëra progresive”.
“Irlanda është një magji unike, është një vend totalisht i mahnitshëm. Në këtë mënyrë kudo ku të shkoj në të ardhmen nëpër botë dhe të takoj irlandezë, unë ju premtoj se gjithmonë do të ndjehem më mirë”,- u shpreh Princi Çarl i cili i dhuroi presidentit të Irlandës një copë fosili koral që është krijuar 330 milionë vjet më parë. Irlanda e ka fituar independencën nga Anglia në vitin 1922.
Antagonizmi midis shteteve, midis liderive politike dhe ushtarake, midis grupeve rivale në shtete të ndryshme ka përcjellur përherë gjakësi, sakrifica popujsh, privim, këputje e mohim jetësh të pafajshme të të gjitha moshave. A nuk ka ndodhur një gjakësi e tmerrshme midis serbëve dhe shqiptarëve, shqiptarëve dhe maqedonasve, midis grekëve e çamëve ku fajësitë dihen e mbrohen nga vërtetuesit e fakteve dhe dëshmive historike. A nuk pati sërish disa ditë më parë rrjedha jo të vogla gjaku në Kumanovë ku Gruevski – njeriu i “hipopotamëve” të bronxtë nga lashtësia deri në ditët e sotme – e shtypi me tanke qytetin, shtëpitë e tok me to edhe shumë njerëz. A nuk ka ardhur koha tashmë që shqiptarët e fqinjët të jenë më të moderuar me udhëheqësit e tyre. Shqiptarët e trojeve dhe shqiptarët e Shqipërisë, por edhe serbët e maqedonasit që na kanë borxh jo pak liri e jetë.
Por Shqipëria e shqiptarët në radhë të parë duhet të ndreqen ndërmjetësisht midis tyre. Grindjet titanike kotsëkoti midis grupimeve të djathta dhe të majta kan sjell shumë gjak, vdekësi, varfërim, mjerim e ikje shqiptarësh. Dueli hipokrit, stanjacues, delirant, aspak i logjikshëm, nevrastenik, ligësjellës, antiekonomik e social midis PD-së dhe PS prej 24 vjetësh dhe prej gjashtë vjetësh edhe me “konsomolsen” bikokëshe LSI e kanë përcjellë Shqipërinë në Greminën ekonomike kur vërtet për 25 vjet duhej të ishte bërë një Zvicër e sojit shqiptar. Nëse do të arkëtohej paraja e shqiptarëve.
Berisha me Ramën nuk komunikojnë gjëkundi prej vitesh. Vetëm në vitrinën parlamentare lëshojnë batare mitralozësh të rëndë prej dy vitesh. Basha dhe Rama edhe në takime të nivelit të lartë madje edhe ndërkombëtar ose me përfaqësues ndërkombëtar qëndrojnë si vdekurina ndërmjet tyre. Kryebashkiakë të ngarkesave negative me qeverinë e madhe prej dy dekadash ruajnë statukuonë e ngrirtë “armike” duke sjellë pasoja mjerimsjellëse për popullsitë e lindura pa parti e ideologji. Janë në “Gjak ideologjik” si përballjet ndërfetare në Europë shekuj më parë. Takimi i Princit Çarl me Gerry Adams më përcolli shumë hijeshi, civilitet dhe mbikapërcim të shkuarash ndaj edhe shkrojta këto radhë…