Kur të vr@t gjaku yt!
Nga Redjon Shtylla
Një tjetër baba vritet nga dora e djalit. Vrasja e Enver Ballës nga i biri, Esmerald Balla në Shënavlash të Durrësit, nuk është asgjë më pak sesa një pasqyrim i një Shqipërie ku vrasja është kthyer në një vepër për fat të keq si ”normale”. Më shumë sesa tronditës skenari që djali përdori për të mbuluar krimin, si me vrasjen dhe më pas me hedhjen e trupin në pus, është debati se ku po shkon kjo shoqëri. Jemi përsëri këtu, duke shkuar për këtë vrasje, siç ndodh pas çdo krimi.
A është kthyer vrasja në normalitet dhe që zgjidh çdo problem në familje? Është shuar vlerësimi për jetën? Kaq e pavlerë është jeta në vend, sa frymën e fundit ta merr gjaku yt? Rastet e fundit janë një këmbanë alarmi për vendin e vogël me probleme të shumta. Fëmijë që vrasin prindërit, burra që vrasin gratë, janë lajme që mbushin kronikën pothuajse çdo ditë. Gjatë sezonit veror janë 11 vrasje që tronditën jo vetëm shqiptarët, por edhe turistët e huaj. Vrasje që kanë ndodhur edhe në zonat më të populluara të plazhit.
Nëse do të flasim me shifra, janë 105 raste të dhunës në familje vetëm në muajin gusht. Kemi një krizë në familje. Pak kohë më parë një baba po në Shënavlash u vra nga tre fëmijët, me një skemë më shumë se horror. Për çudi ngjarja përsëritet, dhe kemi të njëjtën skemë. Ka gra që denoncojnë dhunën, por brenda një muaji shkojnë nëpër dyert e Gjykatës dhe kërkojnë që bashkëshorti t’i lirohet, nën arsyen se ai është i vetmi që sjell të ardhura në familje.
Pse të vret gjaku yt? Ka të bëjë fakti që paraja të verbon dhe të sundon logjikën, apo janë fëmijë të ushqyer me urrejtje për figurën e babait? Përgjigjen çdokush i jep nga përvoja jetësore. Dikush mund të thotë që raporti është i ftohtë, e dikush mund të përmendë se lidhja mes një babai dhe një djali kur ai është i rritur është ndryshe, dhe që interesi ekonomik e mban ende gjallë si lidhje? Në fakt gjaku nuk sheh e as nuk mund të nuhasë lekun, por mesa duket në Shqipërinë e vitit 2024, djali vret babanë, gjakun e tij dhe për më tepër krijon edhe një skemë sesi të shpëtojë nga krimi që ka bërë.
Ne mund të jemi ndoshta edhe nga të parët në Ballkan për krimet në familje. Shumë sociologë pohojnë se familjes shqiptare i janë dobësuar lidhjet emocionale mes njëri-tjetrit, nuk kanë komunikim. Sipas tyre, një pjesë e tyre kur e kryejnë aktin ose janë të dehur ose janë të droguar. Kemi një konflikt brezazh, ku për arsye banale fëmija i ka marrë jetën prindërve. Të vrasësh babain dhe ta hedhësh në pus për arsye financiare janë veprime kafshërore që kryejnë veprime të tilla kriminale.
Kush e zgjidh këtë kasaphanë që po ndodh në Shqipërinë tonë? Sociologu Tusha thotë se duhet të forcohen institucionet e paranadalimit. ”Shteti ka humbur busullën se çfarë duhet të bëjë për të mbështetur këto institucione. Duhet të investojmë për shkollën dhe familjen. Është akt kriminal kur shteti ndonjëherë mbyll sytë e ndonjëherë thotë se nuk e kapi kriminelin. Kjo gjë nxit indiferencën qytetare dhe shton krimin”.