Kurajo për të qenë vetvetja

Nga Mimoza Manxhari

Çdo të linduri në këto 28-vitet e fundit, e përditshmja ju serviri si të bëhen manipulator dhe shërbëtorë të të tjerëve, por asnjëherë të vetes!!

Një djalë të ri, që dua të besoj se është  bir i dy prindërve të mirë, shoqëria e bëri një mashtrues, një provokator dhe intrigant. E të mendosh që është aq i ri!

U lind dhe u rrit në Shqipërinë e demokracisë dhe mendimit të lirë. Do duhej të ishte  i vërtetë dhe i pavarur, me mendim progresiv dhe pozitiv, por e vërteta është ndryshe- të djeg, të revolton, por përsëri mbetet e vërtetë.

Ndërsa është e pranuar gjerësisht se arsimi është  një ndërmarrje thelbësisht morale, në tërë këto vite,  institucioneve shtetërore që kanë mision edukimin, ju ngushtua deri në shkallmim, misioni informues dhe edukues.

Idealizmi, që është aq latent në moshën e të rinjve, do duhet t’u nxirret nga individë me ndershmëri skrupuloze dhe me dije të spikatura në mësimdhënien e tyre. A i kemi më, individë të atillë sot?

Figura e mësuesit ka humbur  peshën për të merituar nderin.

Çfarë po ndodh? Mos vallë ndërsa koha ecën përpara, vlerat e pastra njerëzore deformohen dhe zhbëhen?!

Koncepti vlerë në themel të saj ka “të mirën“, e cila në filozofi, nënkupton vetë mirësinë, si një cilësi jo e zakonshme, imune ndaj realitetit material e ndaj quhet dhe transhendente, të cilës i  bashkëngjiten  dhe dy përbërësit e tjerë, ‘e vërteta‘ dhe ‘ e bukura’.

Portale të krijuara për të ushqyer stomakun dhe mëkatuar ndërgjegjien  e krijuesit  me kacidhet e pëlqimeve që do mund të marrin, shpërndajnë lajme të paverifikuara si thashethemet e kafeve të mengjesit, duke çoroditur klikuesit dhe lënduar të piketuarit.

E shikoni? Të gjithë bashkë jemi të vendosur në skenën reale apo virtuale të jetës, me maska që hiqen e vihen sipas skenarit të momentit e pastaj, disa përfitojnë prej  degradimit

Jam e lumtur për tërë ata studentë që njoha, që kishin ideale dhe aspak interesa dhe  guxuan të identifikojnë qëndrimin e tyre.

Respektoj të dy palët e studentëve si ata që bojkotuan mësimin sepse donin ta shihnin të materializuar synimin e tyre, ashtu dhe ata që pavarësisht, zgjodhën të rifillojnë mësimin.

Ama, neveris, atë  numur të madh  sehirxhinjsh që nga kashtorja e ndonjë kafeneje apo divani shtëpie të nginjur nga pushimi, ndjekin  ngjarjet që po përjetojnë  shokët e tyre. Kjo është shoqëria jonë. Një shoqëri egoiste, mbushur me oportunistë që nuk shikojnë më tej se hija e tyre!

Në të gjitha daljet e mia publike apo shkrimet që prezantova për këtë situatë, më etiketuan me gjithë farë lloj përkatësish një herë  isha e opozitës pastaj edhe e  pozitës(!), por asnjëhere nuk më quajtën vetvetja, sepse në këtë shoqëri,  vështirë të të përfytyrojnë  jashtë kornizës së një partie.

Në këtë shoqëri mund të jesh i kujtdo, por aspak i vetes!

Kjo shoqëri operon vetëm me interesa, ndaj e ka të vështirë të kuptojë njerëzit që kanë ideale.

Kjo shoqëri po humbet vlerat  dhe po ia dobëson atyre rolin si forca që e mbajnë të lidhur shoqërinë, ndërkohë që do duhej të dëshmonte në vazhdimësi, përgjegjësinë e saj të vetëdijshme për mirëqenien morale të qytetarëve të ardhshëm të këtij vendi.

Plot miq të mitë, ndërsa shihnin daljet e mia publike më thonin: ‘ Ç’të duhet! Nuk do ta bësh ti këtë vend’. I jam mirënjohëse pa fund, sepse në mënyrën e tyre ato donin të shmangnin pikërisht këtë që ndodhi.

Kam marë mesazhe keqardhje nga studentët që më ftuan në takime duke u ndjerë fajtor se u bënë shkak që emri të më përdorej kësisoj.

U them atyre, nuk keni pse.  Ju jeni pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare që kundërshtoni  apatinë dhe lojrat e këqia të atyre që do duhej t’u jepnin  tjetër motivim.

Personalisht nuk ndihem aspak keq. Keq do  të ndihet shumë shpejt kushdo që i jep publicitet një lajmi, pa e verifikuar e për më tepër  të deformuar.

Ata që nuk e duan ndryshimin, lë të jetojnë agoninë e tyre, ashtu të varur, në litarin e padijes.

/Ora News.tv/

SHKARKO APP