Kursi i këmbimit të Euros dhe kanabisi
Eduard Zaloshnja.
Qeveria shqiptare ka kohë që mburret se në Shqipëri është mbjellë më pak kanabis se më 2013 dhe se është asgjësuar pothuaj 100% e sipërfaqes së mbjellë. Dhe kur Guardia di Financa publikoi raportin e këtij viti për kanabisin në Shqipëri, që tregonte se ishin zbuluar 110 hektarë më pak se më 2013 dhe se 99.8% e sipërfaqes së zbuluar ishte asgjësuar, qeveritarët shqiptarë bërtitën: “Po tani a na besoni?”
Opozita u përgjigj duke thënë se Guardia di Financa ka monitoruar vetëm 17% të territorit, ndërkohë që në pjesën e pamonitoruar nga ajo është bërë kërdia me kanabis – është mbjellë 5 herë më tepër se më 2013.
Meqenëse gjatë çerekshekullit të fundit është bërë gjithnjë luftë shifrash mes qeverive dhe opozitave në Shqipëri, dhe e vërteta ka qenë zakonisht diku në mes, vlen që edhe në këtë luftë të fundit, të dëgjohen me skepticizëm të dyja palët. Ndërkohë, është e mundur që t’i afrohemi të vërtetës tërthorazi – përmes kursit të këmbimit të Euros.
Historikisht, Euro bie 2-3 pikë gjatë muajve të verës dhe kthehet përsëri në nivelin pranveror gjatë muajve të vjeshtës. Kjo luahtje shpiegohet me fluksin e madh të shqiptarëve që vijnë për pushime nga Kosova dhe vende të tjera të Europës. Por në 4 vitet e fundit kjo rregullsi në luhatjen e Euros nuk është shfaqur. Euro ka vazhduar të mbetet 2-3 pikë më poshtë se niveli pranveror edhe në muajt shtator e tetor, që përkojnë me korrjen dhe tharjen e kanabisit – trafikantët thyejnë Eurot e tyre për të paguar punëtorët që e korrin dhe e thajnë atë.
Por a ka ndonjë shpiegim tjetër kjo shmangje e kursit të këmbimit të euros nga prirja 20-vjeçare?
Rënia me 2-3 pikë në shtator-tetor do të shpiegohej me rritjen e raportit eksport-import, për shembull. Por shifrat e Instatit në tregojnë se ky raport është përkeqësuar në 4 vitet e fundit (kryesisht për shkak të rënies së kërkesës së jashtme për naftë e krom). Kështu, më 2013, eksportet mbulonin 48% të importeve, ndërsa në korrikun e sivjetëm ky raport zbriti në 45%. Për më tepër, në muajt shtator-tetor, raporti eksport-import ka qenë poshtë mesatares vjetore në të 4 vitet e fundit.
Me pak fjalë, raporti eksport-import duhej te ndikonte në rritjen e kursit të këmbimit të Euros e jo në rënien e tij në këta dy muaj.
Një faktor tjetër për mbajtjen e kursit të ulët të Euros gjatë muajve shtator-tetor mund të ishin dërgesat monetare të emigrantëve. Por të dhënat e bankës së Shqipërisë nuk tregojnë për ndonjë rritje të papritur në këta dy muaj – dërgesat janë pak a shumë të njëtratshme gjatë vitit.
Dhe së fundi, një kurs i ulët i shkëmbimit në shtator-tetor do të mund të shpjegohej me fluksin e eurove nga investitorët e huaj në bankat shqiptare, për të paguar punonjësit e tyre në Shqipëri ose për të investuar në bonot e thesarit shqiptar. Por kjo nuk ka pse të ndodhë vetëm në muajt shtator-tetor. Për më tepër, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat private po dërgojnë gjithnjë e më tepër Euoro jashtë Shqipërisë, për t’i investuar në tregjet financiare Europiane.
Në përfundim mund të thuhet se mbetja në shtator-tetor e kursit të Euros poshtë nivelit pranveror mund të shpjegohet kryesisht me korrjen dhe tharjen e kanabisit. Dhe në 4 vitet e fundit kjo është një dukuri që është shfaqur në nivel të njëjtë – Euro ka qenë 2-3 pikë më poshtë se në pranverë…