Kush dhe përse e organizoi eksodin emigrues në 1991 ?

Po përse t’i kthehemi një ngjarjeje të 25 viteve të shkuara ?

Sepse ajo duket sikur ka ndodhur dje. Koha reale dhe koha psikologjike nuk janë e njejta gjë. Një ngjarje nga e cila na ndajnë shumë vite në planin e kujtesës subjektive është vetëm një çast reflektimi dhe përjetimesh larg.

Por, nuk është kjo arsyeja kryesore.

Puna është se ai eksod masiv, prej mijra e dhjetra mijë vetësh që hipnin nëpër anije pasi grumbulloheshin me « një të rënë të bilbilit » në portin e Durrësit, Vlorës, a gjetiu, bën pjesë në aktualitetin e sotëm nga pikëpamja e pasojave dhe ndikimeve që ka lënë në shoqërinë shqiptare dhe mbi vetë emigrantët. Aq më shumë që sot dukuri emigratore kemi edhe sot, sidomos në Kosovë, por jo vetëm, edhe në Shqipëri, e pra arsyetimet rreth emigrimeve, pavarësisht se nuk ngjajnë me njeri tjetrin fije e për pe, besoj se nuk janë të vonuara.

Por kemi edhe një trill intelektual. Përse e them këtë ? Po, ja, historianët na paraqesin emigrimin e viteve 90, na japin dukurinë, përmasat, fotot, arsyet ekonomike dhe politike, edhe ato kulturore dhe ideologjike, na japin pamje filmike nga ngjarjet në Bari a gjetiu, pamje me vaporë të mbushur plotepërplot, dhe, me kaq historia përmbyllet, dhe duke e sqaruar një here e mire. Dosja klasifikohet si e përfunduar, e sqaruar katërcipërisht dhe nuk përbën më interes. U mbetet mësuesve të shkollave që t’ua mësojnë si poezi nxënësve në klasë, të cilët njihen me paraqitjen e qartë të historisë të atyre që ikën.

Përgjithësisht jepen arsye të përgjithshme të një niveli makro, dhe thuhet se në vitin 91, ende zgjedhjet e para pluraliste i fituan punistët, pra komunistët, dhe rinia u zhgënjye nga ato duke pare rrezik për demokratizimin. Shpjegohet se gjendja ekonomike dhe papunësia e varfëria ishin të mëdha dhe të rinjtë nuk duronin më dot në atdhe. Pastaj, vazhdohet me ndikimin kulturor të televizioneve italiane që grishnin me publicitetet e tyre për të shkuar në Perëndim.

Duke se konturi i shkaqeve është i plotë, i kuptueshëm, koherent, racional, e çfarë duhet tjetër! Sigurisht nuk jam ndonjë partizan i teorive komplotiste, as dua ta shpjegoj historinë vetëm me dorën subjektive të ndonjë komploti. E di se pa një kuadër historik asgjë nuk ndodh. Megjithatë shpesh edhe dora e një komploti duhet për ta bërë mekanizmin historik veprues. Eshtë e pamundur që kushtet e përgjithshme historike t’i shtyjnë vetiu masat e njerëzve në një drejtim ose në një drejtim tjetër pa fillesat e një organizimi, pa një dorë organizuese, lehtësuese, shtyese, etj.

Këto janë ende të përgjithshme, por pyetja është se përse unë flas që ka një dorë organizuese të këtij emigrimi masiv përtej kushteve historike që e bënë të mundur atë? Ka nevojë historia të shpjegohet në detaje sepse pas disa brezash ndofta do të thuhet se kushtet e përgjithshme ekonomike e politike vepruan te njerëz që i kuptonin ato në mënyrë racionale dhe të gjithë veç e veç u gjendën përpara dyerve të porteve spontanisht, rastësisht bashkë, dhe u nisën drejt brigjeve italiane. Kjo do të ishte ta mistifikoje historinë ose të lije zona bosh, të bardha, në shpjegimin e historisë në mënyrë racionale. Mirë që të gjithë shtyheshin nga kushtet e përgjithshme të vendit drejt brigjeve italiane, por përse ta marrë djalli njëherësh dhe si me bilbil?

Sipas meje, për aq sa ka fuqi teoria e dorës të një komploti për të shpjeguar historinë mund të thuhet se dora e komplotit nuk është një element irracional për të shpjeguar historinë jashtë një logjike shkencore, por është pikërisht plotësimi i historisë me elementin e vet veprues njerëzor, e paraqet historinë sikundër është, jo një mekanizëm vetëveprues, por si një matricë ku bashkëveprojnë kushte, rrethana dhe aktorë që veprojnë aktivisht.

Pse prej vitesh mbaj në kokë idenë se ka pasur një mekanizëm të ndërgjegjshëm që i shtyu njerëzit drejt emigrimit në brigjet italiane e më tej?

Ja rrethanat e mia.

Një mbrëmje pranvere, mesa mbaj mend duhet të ketë qenë e vitit 1991, po shëtisja me një mikun tim të atëhershëm, por që tani s’e kam më mik fare, në bulevardin kryesor të Tiranës, mbi një nga trotuaret te ana ku janë bustet e vëllezërve Frashëri. Ecnim e si të gjithë debatonim për ngjarjet e kohës. Papritur përballë nesh një personazh publik, politik, shumë i lartë i kohës, që na ndalon e nisim bisedën me të. Intelektual, ai njihej për lidhje me universitarët dhe me mënyrën e vet e pranonte partinë demokratike dhe pluralizmin si një faktor i kohës dhe emancipues. I thamë se situata na duket tepër e destabilizuar dhe me rreziqe shpërthyese që mund t’i rrëshkasë nga dora sistemit të partive të sapokrijuara dhe qeverisë të kohës. Në bisedë e sipër ai tha : “Do të ketë të reja së shpejti, janë gjendur mundësi që Perëndimi të ofrojë rreth njëqind vende pune për shqiptarë që duan të punojnë atje.” Fliste shumë i sigurt në vetvete.

Pas pak u ndamë, ai në punë të vet, ne vazhduam edhe pak shëtitjen tonë dhe bisedën tonë. Nuk e di se cili prej nesh tha : Po ky ne na bën propagandë? Kujton se i hamë këto brockulla? Perëndimi nuk do t’i shohë me sy, jo t’u hapë vende pune! Nëse i beson vërtet këtyre që thotë qenka për gjynah i shkreti! Qeshëm pak dhe e harrova atë takim e bisedë.

Pas ca javësh kur anijet e para u nisën për det, plot me emigrantë, u kujtova për bisedën e bërë sepse vetëtimthi më shkoi ndërmend supozimi : Mos për këtë lloj punësimi në Perëndim e kishte fjalën ai zyrtari shumë i lartë që na foli mbi këtë çështje atë mbrëmje tiranase plot freski!

Në fakt, nuk na kishte gënjyer aspak sepse po ta shohësh sot pas 25 vjetësh, pjesa më e madhe e të ikurse u punësuan, ndërtuan jetën e tyre larg, pavarësisht kalvarit që mund të kenë hequr dhe rrugës të mundimshme që përballuan si heronj të jetës të tyre.

Por vetëm ky fakt, sado që më ka lënë mbresa dhe nuk më është shqitur nga kujtesa gjithë këto vjet, nuk do të mjaftonte për të hedhur hipotez ën se kemi emigrim të organizuar, por të paraqitur si proces spontan. Nuk mundej Europa të priste në mënyrë të rregullt emigrantë nga Shqipëria se pastaj do të duhej ta bënte me gjithë Lindjen.

Por, nganjëherë duhet menduar mirë përdorimi i dokumentave. Po ta kisha gjetur atë mendim që më tha ai zyrtari i lartë në ndonjë arkivë do të mjaftonte si provë shkencore, a të gjeja diçka në wikiliks; por meqë ma tha me gojë nuk vlen mbase për disa si shpjegim historik. Unë mund të gënjej, s’ka prova. Por, fundja çfarë më duhet nëse besojnë ose jo të tjerët, edhe unë them : Përse historia që më tregojnë tekstet e çiliminjve në shkollë të jenë më të pranueshëm për mua sesa historia që di unë !

Ndërkaq, më pas te gjithçka shikoja dorën e një organizimi në të gjithë eksodin e atyre muajve. Pashë sesi hipnin emigrantët e ardhshëm nëpër anijet plotepërplot. Shoh foto në revista, filma, video, dhe gjithçka i ngjan një rrëmbi nga turma të shfrenuara të anijeve të vjetra tregtare të flotës shqiptare. Mirëpo unë gjithë kohës në ato muaj ndiqja vetëm një detaj.

Vetëm një detaj.

Një detaj të vetëm.

Në dukje krejt teknik dhe të parëndësishëm. Por për mua historia nuk shpjegohet duke u përhapur në mijra fakte, duke u sdërhallur. Aspak. Ajo koncentrohet shpesh në pika shumë nevralgjike. Për mua shpjegilmi i historisë së origjinës të eksodit emigrues shpjegohet më mirë po të fokusohesh te distanca midis bordit të molos të portit dhe shkallares urë për të hipur në anije.

Dukej sikur policia mundohej t’i përmbante kandidatët për emigrim te portat e portit. Rrezistonte disi dhe pastaj thyhej nën dhunën dhe vrullin e emigrantëve të ardhshëm. Policëve u dukej se kishin humbur, emigrantëve të ardhshëm sikur kishin fituar. Të dyja palët nuk mund ta dinin se ishin vendosur në kushte që ata që humbën të humbisnin dhe ata që fituan të fitonin.

Tamam skena inskenimi që as policët nuk mund t’i dinin. Atyre të shkretëve u thuhej : Mbroni portin nga sulmuesit! I vendosnin përpara një detyre të pamundur dhe ata thyheshin vërtet. Por, ata nuk mund ta bënin pyetjen : Kush na ka vendosur në këtë situatë?

Pse ta mbroje portin me policë???

Mjafton që t’i largoje vaportët e vjetër njëqind metra nga porti dhe gjithçka merrte fund. Kush do të shkonte me not atje? Dhe pasi t’i largoje nja dhjetë e njëqind metra anijet nga porti, mund t’i lije krejt pa policë portat e portit dhe askush nuk do të vinte atje.

Sytë më mbesnin te distanca pra mes anijes dhe portit që nuk ekzistonte. Askush nuk kishte vullnet ta ndalonte eksodin, por bënte sikur…

Pak metra që bëjnë histori për disa shekuj.

Po mirë, do të pyesi kritiku im që e di veten historian, për cfarë komploti flet, kur në Bari, e mban mend, shihje në video, cfarë përleshje u bë për të zbrapsur emigrantët që zbrisnin nga anijet e vjetra shqiptare!

Pikërisht e kam ndjekur procesin me këtë sy dyshues edhe se çfarë ndodhi në Bari a gjetiu. Biseda me ish zyrtarin e lartë atë mbrëmje në bulevard nuk më hiqej nga mendja. Kështu funksionon truri im, nuk ke se çfarë i bën. Përsëritma diçka njëmijë herë, po s’e gjeta me interes e harroj brenda castit. Ma thuaj një gjë kalimthi, por më interesoi nuk më hiqet mendja andej. Pse me shkopa gome në kurriz do t’i mblidhte policia italiane, në syrin e mediave ndërkombëtare, emigrantët e ardhur nga Shqipëria dhe derdhur rrugëve të Barit? As që bëhej fjalë. Po bënte një betejë të humbur karabinieri katolik dhe i sjellshëm, baba fëmijësh, burrë gruaje, i dashuruar pas një të dashure, ndaj një popullsie në eksod që simbolikisht ai e ka si dukuri tipologjikisht të shenjtë. Rrezistencë sa për të thënë. Po të donin autoritetet e atëhershme italiane i kthenin anijet me rimorkiatorë qysh në det dhe me kaq historia mbyllej.

Për të mos folur pastaj për faktin si përhapej thashethemi se në Durrës mund të iket. Kush e përhapte? Duhej të ishte një organizëm i organizuar. Nuk e hapnin vetë të interesuarit në origjinë. Këta e transmetonin gojë më vesh, por mesazhi i parë hynte nga diku gjetkë.

Mesazhi që qarkullonte,

portat e portit ruheshin nga polici i lodhur shqiptar,

anijet qendronin afër portit,

dhe emigrantët përballeshin në Bari,

me policin e dashuruar italian.

Një zinxhir i tërë rrethanash që dikush duket se i ka lidhur me njera tjetrën. Por, a mund të kenë qenë rastësisht të lidhura??? Skeptiku do të thoshte : Edhe mundet! Edhe mundet them edhe unë. Por, pastaj “edhe mundet” mund të thuash për çdo gjë. Po si është e mundur që dy shtete aq të interesuar për çështjen nuk patën mundësi të bëjnë thjesht një gjest të vogël : t’i lëviznin anijet pak metra më larg portit.

Pala shqiptare me anë të emigrimit qetësonte situatën politike, u jepte qeverive të reja që do të vinin kushte për të vepruar më qetësisht, duke hequr prej vendi elementin më energjik e të pakënaqur, forcën rinore shpërthyese, kurse pala perëndimore edhe ajo fitonte sepse e fuste Shqipërinë në rrugën e reformave postkomuniste. Pse të ushqente me ndihma shqiptarët e papunë në Shqipëri, kur mund t’u jepte një dorë duke punuar në Perëndim dhe jetën ta fitonin me punë. S’e kishte keq…

Po a e mohon kjo kushtet historike që e përgatisin aksionin emigrueses të organizuar?

Jo.

Pa to askush nuk vepronte dot. Dora e komplotit sigurisht prandaj është inteligjente sepse vepron atje dhe atëhere kur duhet.

Po a mohon mundin e emigrantëve, vuajtjet e tyre nëpër anije e më tej?

Jo, se ata nuk dinin gjë që mbrapa veprës së tyre qendronte edhe dora e “Zotit”; Si tha Maradona kur bëri golin fallco me dorë. Nuk ishte dora ime, ishte dora e Zotit! Tamam e kishte ai. Në cdo veprim që kujton se e bën me meritën tënde ka edhe një dorë të “Zotit” që të shtyn e ndihmon.

Pa këtë dorë si e përpjetë duket cdo vepër njerëzore. Por, shumica nga padija ose krelartësia nuk e pranojnë këtë sepse i duket sikur u zhvleftëson veprat e tyre.

Jo, nuk është ashtu.

Historia ka kapriçiot e veta, nuk është vetëm vepër e masave që dalin në sheshet e ngjarjeve historike, ka edhe ca hije që veprojnë pas, ka edhe një dorë të “Zotit” që e shtyn dorën e Maradonës për ta bërë golin. E di Maradona se është katolik besimtar…

Po emigrimi i mëpastajmë, në Greqi, etj?

Nuk ka lidhje.

Procesi sa të fillojë e ka keq, pas kësaj, ai ecën në rrugën e vet, dhe i del nga dora edhe atij që e inicioi…

Artan Fuga

(Nga libri në punim e sipër : "Mistere" të historisë shqiptare)

SHKARKO APP