Kush do ta “sundojë” tregun e naftës?

Një ndryshim historik ndodhet në qendër të zhurmave e trazirave, që pasuan rënien drastike të çmimeve të naftës, me mbi 50 përqind që prej shtatorit të vitit të kaluar. Për dekada me radhë, Arabia Saudite, e mbështetur nga emiratet e Gjirit Persik, ka qenë përshkruar si “prodhuesi ritmik”.
Me kapacitetin e saj të madh, ajo mund të rrisë ose të ulë prodhimin për ta ndihmuar tregun botëror të përshtasë mungesat apo tepricat. Por në 27 nëntorin e vitit që sapo lamë pas, në takimin e OPEK-ut në Vjenë, Arabia Saudite “de facto” dha dorëheqjen nga ai rol dhe ia la OPEK-ut të gjitha përgjegjësitë për çmimet e naftës në tregun botëror, akt që ministri saudit i naftës, Ali Al-Naimi parashikoi se do të “stabilizojë përfundimisht veten”.
Megjithatë, vendimi i OPEK-ut vështirë se ishte unanim. Me ekonomitë e tyre problematike, Venezuela dhe Irani lobuan fuqishëm për reduktimin e prodhimit, por pa dobi. Më pas, Irani akuzoi Arabinë Saudite për zhvillimin e një “lufte të naftës” si pjesë e një “komploti” kundër Teheranit. Duke ia lënë tërësisht tregut çmimin e naftës, Arabia Saudite dhe Emiratet e kaluan edhe përgjegjësinë e prodhuesve “de facto” më ritmikë, tek një vend që vështirë se e ka pritur këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo qasje pritet të vazhdojë edhe gjatë marrjes së detyrës nga mbreti i ri saudit, Selman, pas vdekjes të premten e shkuar të Mbretit Abdullah. Dhe kjo do të thotë se tanimë ndryshimet në prodhimin amerikan, së bashku me prodhuesit e Gjirit Persik, gjithashtu kanë një ndikim të madh në çmimet globale të naftës.
Dikur, SHBA ishte prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i naftës, si edhe më ritmiku. Komisioni “Railroad Texas” përcaktonte nivelet “e lejueshme” të prodhimit për Teksasin, sikurse Arabia Saudite sot. Por në vitin 1970, prodhimi i naftës në Shtetet e Bashkuara kishte arritur pikën e tij të lartë prej 9.6 milionë fuçish në ditë, dhe pas kësaj filloi rënia.
Shtetet e Bashkuara filluan të importojnë gjithnjë e më shumë naftë. Nga viti 2008, prodhimi i saj i naftës ishte gati poshtë 50-përqindëshit nga pika më e lartë e vitit 1970. Çmimi i naftës arriti në 147 dollarë për fuçi, dhe frika se prodhimi i naftës në botë e kishte arritur kulmin dhe se kishim filluar të mbeteshim pa naftë, u bë mbizotëruese.
Ndonëse në heshtje, një revolucion i pazakontë i naftës dhe i gazit, ishte fillimi i lidershpit që SHBA po rifiton aktualisht në këtë sektor. Kjo përmbledh bashkë dy teknologji: çarjeve hidraulike dhe shpimet horizontale. Ndikimi u mat për herë të parë gjatë rritjes së shpejtë të prodhimin të gazit argjilor, që tani përbën gati gjysmën e gazit të përgjithshëm amerikan. Kjo “stuhi shisti argjilor” katapultoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara Rusisë, për t’u shndërruar në prodhuesin numër një të gazit në botë.
Pastaj rreth vitit 2010, të njëjtat teknologji filluan të zbatohen seriozisht në kërkimin e naftës. Rezultatet ishin fenomenale. Deri në fund të vitit të kaluar, prodhimi i naftës në SHBA ishte 80 përqind më i lartë, nga sa kishte qenë në vitin 2008. Rritja me 4.1 milionë fuçi në ditë ishte më e madhe se prodhimi i çdo vendi anëtar të OPEK-ut të marrë veçmas, përveç Arabisë Saudite.
Sot, prodhimi amerikan është thuajse njëlloj sa niveli i vitit 1970. Në krye të kësaj arritjeje qëndron rritja me 1 milionë fuçi në ditë që nga viti 2008 nga fushat ranore kanadeze të naftës. Kimera e “pavarësisë energjetike” filloi të bëhet më e prekshme, së paku në Amerikën e Veriut.
Ky revolucion, rezultoi të jetë një nxitje e madhe për ekonominë amerikane, duke krijuar vende të reja pune, përmirësuar pozitën konkurruese të vendit dhe tërhequr mbi 100 miliardë dollarë investime të reja. Rrallëherë tregu global ka dëshmuar rritje të prodhimit në këtë shkallë kaq të shpejtë. Hera e fundit ishte në fillim të viteve ‘80, kur furnizimet e reja nga Meksika, Deti i Veriut dhe Alaska krijuan një tepricë nafte, që çoi nga ana e saj në një përplasje çmimesh.
Aktualisht, disa gjëra kanë nxitur rënien e mëhershme të çmimeve. E para ishte rritja e konsumit në botën në zhvillim, udhëhequr nga Kina. E dyta ishin trazirat në Libi, Sudanin e Jugut dhe vendet e tjera që reduktuan importet. Gjithashtu mbi një milion fuçi në ditë janë nxjerrë jashtë tregut, si pasojë e sanksioneve të vendosura ndaj Iranit. Pa rritjen e madhe të naftës argjilore nga Shtetet e Bashkuara, me shumë gjasa këto sanksione do të kishin dështuar. Çmimet do të kishin kulmuar, dhe vendet që kërkonin naftë më të lirë do të prishnin radhën, ndërsa Irani nuk do të mund të ishte sot në tryezën e bisedimeve bërthamore.
Megjithatë nga mesi i verës së shkuar rrethanat ndryshuan. Rritja ekonomike botërore është ngadalësuar. Ekonomia evropiane është ende në tkurrje. Që prej vitit 2004, rritja e shpejtë e kërkesës për naftë nga ana e Kinës ishte faktor përcaktues për tregun global të naftës. Por gjithashtu edhe ekonomia kineze është ngadalësuar shumë dhe kjo do të thotë se është ulur edhe kërkesa për naftë. Ndërkohë, Libia arriti të 4-fishojë prodhimin e saj të naftës, të paktën për një farë periudhe.
Ky ishte edhe shkaku i fillimit të rënies së çmimeve. Ishte supozuar se OPEK-u do të ndërhynte për të reduktuar prodhimin dhe rritur çmimin. Mbi këtë premisë, triliona dollarë investime janë kryer vitet e fundit. Por Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit refuzuan të vepronin kështu.
Ato arsyetuan se nëse do të reduktonin prodhimin, do të humbisnin pjesë të tregut në mënyrë të përhershme. Në këndvështrimin e tyre, ato do t’i kthenin shpinën “naftës me koso të ulët” për t’i bërë ‘vend’ “naftës me kosto të lartë”, dhe pastaj do të duhej të bënin më shumë shkurtime, për t’iu përshtatur kostos më të lartë të naftës.
Ata po kërkonin të konkuronin, jo vetëm naftën argjilore amerikane, por edhe atë që prodhohej nga fushat ranore kanadeze, si edhe furnizimet e reja nga Rusia, Arktiku, Brazili, Azia Qëndrore, Afrika dhe vëllimi në rritje i naftës, që nxirret në det të hapur anekënd botës.
Por më shumë, ata ishin duke vëzhguar dy fqinjët. Nuk duan kurrësesi të heqin dorë nga tregjet në Irak, një vend që ata e shohin si një satelit iranian, prodhimi i të cilit është në rritje. Dhe ata me siguri nuk duan t’i hapin rrugë Iranit, për të cilin mendojnë se mund të arrijë një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duke e çuar sërish naftën e munguar iraniane në tregun global.
Rënia drastike e çmimeve mund të jetë shumë më e madhe, sesa parashikuan në fillim prodhuesit e Gjirit Persik. Përreth botës, kompanitë e naftës po shkurtojnë buxhetet e tyre, krasisin kostot, ngadalësojnë projektet dhe shtyjnë ato të rejat. Madje disa projekte mund të anulohen fare.
Arabia Saudite shpreson, që çmimet e ulëta të naftës do të stimulojnë rritjen ekonomike dhe do të rrisin kërkesën për naftë.
Ndërkohë, me kapitalet e tyre të mëdha të rezervave të huaja valutore, Arabia Saudite dhe Emiratet e Gjirit Persik, kanë luksin që të presin sesi do të shkojnë gjërat. Kjo nuk është e vërtetë për shumë nga eksportuesit e tjerë të naftës. Venezuela është shumë e ndjeshme ndaj trazirave dhe madje edhe kolapsit financiar. Rusia po përballet, jo vetëm me çmimin e ulët të naftës, që garanton mbi 40 përqind të të ardhurave të qeverisë, por edhe me sanksionet e Perëndimit të lidhura me krizën në Ukrainë, dhe për pasojë duket se po shkon drejt një reçesioni të thellë ekonomik.
Nigeria, ekonomia por edhe vendi me popullatën më të madhe në Afrikë, ndodhet gjithashtu në rrezik të madh. Sektori i naftës, përfaqëson 95 përqind të të ardhurave të eksportit, dhe 75 për qind të të ardhurave qeveritare. Të ardhurat e saj po bien, pikërisht në kohën kur vendi ka nevojë urgjente për më shumë para, për të luftuar rebelët islamikë të Boko Haramit.
Mbi të gjitha, rënia e çmimeve të naftës nënkupton transferimin e 1.5-2 trilionë dollarëve nga vendet eksportuese të naftës, drejt vende importuese. Japonia do të jetë përfituesja më e madhe. Po kështu edhe Kina. Konsumatorët amerikanë do të përfitojnë gjithashtu, ndonëse kjo gjithashtu do të thotë më pak puse të reja nafte për të shpuar, më shumë pajisje që do të vihen mënjanë dhe më pak mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës në këtë sektor.
Nafta argjilore amerikane është shndërruar në një faktor të ri vendimtar në tregun botëror të naftës, në një mënyrë që nuk mund të ishte imagjinuar 5 vjet më parë. Ajo ka dëshmuar të jetë një teknologji që ndan dy epoka. Por a do të vazhdojë ky ndikim në një botë të çmimeve të ulëta?
Tani për tani, nafta kushton nën 50 dollarë për fuçi, një çmim ky shumë i ulët për arritjen e një marrëveshje të mirë mbi zhvillimin e ri të sektorit të naftës argjilore dhe që do të kishte rendiment ekonomik.
Megjithatë, prodhimi ka të ngjarë të vazhdojë të rritet me 500 mijë fuçi shtesë në ditë në gjysmën e parë të 2015-ës, për shkak të momentit por edhe të angazhimeve tashmë të marra. Gjithësesi kur të shkojmë në mesin e këtij viti, rritja do të rrudhet. Prodhuesit do të punojnë fort për të përmirësuar efikasitetin dhe të ulin koston, por në vitin 2016, me këto çmime, prodhimi amerikan mund të bjerë.
Edhe gjetkë në botë, prodhimi gjithashtu do të bjerë. Por deri atëherë, ekonomia botërore mund të jetë duke bërë më mirë, duke nxitur kërkesën për naftë. Çmimet mund të fillojnë të rriten sërish. Nëse prodhuesit e Gjirit vazhdojnë në rrugën e tyre, çmimet nuk do të mund të rikthehen në nivelin 100 dollarëve për fuçi.
Madje me çmime shumë më poshtë se 100 dollarë, prodhuesit amerikanë të naftës argjilore do të gjejnë mënyra të tjera për të ulur më tej koston, e për pasojë prodhimi do të fillojë të rritet përsëri./The New York Times/

bota.al

SHKARKO APP