Kush e drejton protestën, gjenerata Z apo niveli ZH?
Nga Kreshnik Spahiu
Dritëro Agolli dikur shkruante: “Do të vijë dita kur do të shikojmë duelin midis brezave të copës së bukës lyer me sheqer dhe brezave të quajtur ‘brezi i patatinave’.”
Revolucioni “Flamingo”, nëse kishte një vlerë ndryshe nga ato partiake, ishte fytyra qytetare dhe rinore që dominonte protestën: vajza dhe djem 20-vjeçarë, të papërfshirë në politikë.
Prandaj revolucioni u quajt i Gjeneratës Z, sepse mosha mesatare e pjesëmarrësve nuk kalonte 30 vjeç.
Por pse, papritur, drejtimi dhe përfaqësimi iu besuan disa individëve kaq të ndryshëm nga mosha, arsimimi dhe edukimi i turmës?
* Pse 20-vjeçarët zgjodhën 50–60-vjeçarë?
* Pse të diplomuarit në Perëndim zgjodhën individë pa gjimnaz?
* Pse parfumi u zëvendësua nga djersa?
* Pse oferta paqësore gandiste u zëvendësua nga idetë me “plumba” dhe Avni Rustemi?
Unë, ndryshe nga disa të tjerë, mendoj se Dritan Goxhaj është një patriot dhe luftëtar i çështjes kombëtare, por Gjenerata Z, me 20-vjeçarët e saj, nuk mund të përfaqësohet nga Dritani. Ajo duhet të prodhojë elitat e reja nga universitetet e Perëndimit dhe jo nga shkolla e vjetër ushtarake e komunizmit shqiptar.
Dalja në krye të protestës e shumë qelesheve të vjetra bën kontrast me bukurinë e vajzave plot sharm dhe studentëve simpatikë në shesh.
A ua morën protestën ujqërit e vjetër apo agjenturat?
Protesta, brenda 24 orësh, bëri tri lëvizje kundër SHBA-së:
* Zgjedhjen e një zëdhënësi të deklaruar si antiamerikan.
* Ankesat e disa protestuesve për presion nga Ambasada e SHBA-së.
* Thirrjen për protestë më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së.
Në politikë nuk ka rastësi tri herë brenda ditës.
Në fakt, mediat botërore si CNN, BBC, ZDF, RAI, RTL, Reuters, The New York Times, AFP apo DW kanë një titull të ngjashëm: “Shqipëria, protesta anti-Trump.”
Mos lexoni vetëm Ramën apo Ballën, por mijëra gazeta dhe televizione perëndimore e lindore.
Të gjitha e trajtojnë si protestë antiamerikane. Vetëm kioskat mediatike shqiptare thonë:
“Rama burg, Berisha burg.”
Por edhe sikur mediat e huaja të spekulojnë, pse protestuesit nuk bëjnë një deklaratë zyrtare sqaruese: “Protesta nuk është kundër Trump-it”? Ashtu siç bëjnë deklarata sqaruese për Dritan Goxhajn, të sqarojnë edhe diskursin antiamerikan apo pro amerikan.
Në fakt, nuk ka asgjë të keqe të jesh kundër Amerikës, por jo të jesh me dy fytyra: edhe pro, edhe kundër.
Sheshi po rrudhet çdo ditë, jo nga dhuna policore, jo nga gazi lotsjellës, jo nga uji i zjarrfikëseve, por nga zhgënjimi popullor.
Të gjithë prisnim liderin e flamingove si fytyrën e kryeministrit të ardhshëm që do të qeveriste Shqipërinë por fatkeqësisht, rinia e bukur e Gjeneratës Z u mënjanua dhe u zëvendësua nga brezi ZH.
Fatkeqësisht, populli shpresoi shumë, jo vetëm në largimin e dyshes Rama-Berisha, por edhe në ardhjen e një Gjenerate Z të arsimuar. Por, fatkeqësisht, të gjithë do të zhgënjehen, sepse Rama dhe Berisha po dalin të fituar.
Dje, çuditërisht, në kërkesat e tyre ata harruan Zvërnecin, arsyen për të cilën protestuan.
Mos u çudisni që javën tjetër të harrojnë edhe Ramën apo Berishën, ashtu siç harruan Zvërnecin.
Ndoshta gjenerata e “patatinave” po e humbet luftën kundër brezit që lyente bukën me sheqer.
KOHA JONË SONDAZH

