Kush është Tom Doshi. Nga ikja ne Australi, rikthimi i fuqishëm në politikë dhe përplasja me Edi Ramën

Kush është njeriu që u përmend në raportet e ambasadës amerikane në Tiranë dhe njeriu që është akuzuar nga kabllogramet e publikuara nga Wikileaks për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash?

Tom Doshi, i përket moshës “së artë” asaj të shumicës së politikanëve shqiptarë. Është 49 vjeç dhe ka lindur në Shkodër. Fëmijërinë e ka kaluar në fshatin e tij të Nënshkodrës, në Trush, pinjoll i një familje të njohur me origjinë nga Kelmendi.

Në mesin e viteve “90 thuhet se edhe ai shfrytëzoi afërsinë me Velipojën dhe kufirin me Malin e Zi si një mundësi për t’u pasuruar. Gjatë kësaj kohe, si një familje e persektuar nga regjimi i vjetër Doshi, ishte dhe përkrahës dhe financues i Partisë Demokratike, por ende pa ambicjen për të hyrë në politikë.

Pas një transferimi të shkurtër në Australi, ku lindën dhe dy fëmijët e tij, Tom Doshi, rikthehet sërish në Shqipëri duke hyrë fuqishëm në elitën e biznesit të kryeqytetit. Me dy manovra të forta bëhet ortak e më pas kontrollues i dy nga bizneseve më të fuqishme në Tiranë, një stabiliment i përpunimit të qumështit dhe ndërmarrjes më të fuqishme farmaceutike në vend, e cila u privatizua në një proces mjaft të diskutueshëm. Ishte viti 2001. Tregu i barnave ishte i ashpër. Një operator mjaft i fuqishëm italian u largua nga vendi pasi deklaroi në media se ishte luftuar nga konkurenca.

I fuqizuar shumë, Tom Doshi, mendon si do ta ruajë dhe shtojë këtë pasuri marramendëse. Normalisht gjen rrugën më të shkurtër: “Të hyjë në politikë”. Troket në derën e partisë së tij, Partisë Demokratike, por e gjen mbyllur. Berisha nuk do ta pranojë. Shkodra ishte bastion për PD dhe mund ta fitonte thjesht me njerëz që i kontrollonte lehtë. Atëherë biznesmeni i fuqizuar përdor derën përballë, troket tek Fatos Nano i cili i hap portën e madhe të politikës. Tom Doshi, arrin që për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2005 që së bashku me Paulin Sterkajn ti japin PS-së dy deputetë në Shkodër të zgjedhur direkt dhe jo nga lista.

Tom Doshi do të fitonte por Fatos Nano humbi dhe u largua nga PS. Duke e parë Berishën si rrezik për biznesin e tij, Doshi i ofron luajalitet kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Edi Rama. Madje duke shfrytëzuar miqësinë e ngushtë me Dritan Priftin negocion dhe arrin që të bashkojë Ramën me Metën për zgjedhjet lokale të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 influenca e Doshit rritet, edhe pse PS mori në qarkun Shkodër vetëm 4 deputetë.

Por pas zgjedhjeve të këtij viti ai do të bëhej “koka” e së majtës në qarkun verior, duke larguar nga PS të gjithë ata që i cilësonte si kundërshtarët e tij.  Njerëzit luajalë të tij i emëroi kudo, duke krijuar një çarje të konsiderueshme brenda PS-së së qytetit më të madh të veriut. Një pjesë u bashkua me LSI, një pjesë tjetër priste zhvillimet e ardhshme duke mbështetur partinë e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2013 Tom Doshi, pati “Carta Bianca” nga Rama për lidhur aleancë me një parti të vogël me synimin për të nxjerrë një deputet, i cili nuk ishte “kafshatë” e lehtë për kreun e opozitës që priste të bëhej kryeministër i vendit. Bëhet fjalë për deputetin e Pukës, Mark Frroku, kreu e njërës për partive demokristiane, vëllai i të cilit është i akuzuari kryesor për vrasjen e shefit të komisariatit 6 të kryeqytetit, Dritan Lamaj.

Tom Doshi arriti të vendoste në kokë kurorën e fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Për herë të parë e majta mori në Shkodër një deputet më shumë se PD-ja. E paparë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve shqiptare. PS fitoi 4 deputetë, LSI 1 dhe Bashkimi Demokristian 1. Tom Doshi, i “dehur” nga ky triumf krijoi pas zgjedhjeve një çift të pandarë me Mark Frrokun, për të cilin flitet se kanë bashkëpunuar edhe në biznes.

Në një mbledhje të grupit të PS-së Kryeministri i kërkoi Frrokut ti kërkonte ndjesë Jozefina Topallit pas një fyerje në Kuvend, ndryshe të largohet nga grupi i PS. Frroku nuk e kërkoi ndjesën dhe nuk u pa më në mbledhjet e grupit parlamentar  socialist. Kjo ishte çarja e parë e Doshit me Ramën, çarje e cila do të thellohej vazhdimisht.

Operacioni antikanabis në Dukagjin do të sillte irritimin e radhës, ku publikisht Doshi sulmoi në Kuvend ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, në të njëjtën mënyrë si miku i tij disa vjet më pare, Dritan Prifti kishte sulmuar Edi Ramën. Hapësira për kreun e listës së Shkodrës po zvogëlohej dita- ditës. Emërimet që ai do të propozonte do të hidheshin poshtë. Drejtori i Policisë së Shkodrës do të largohej duke u ankuar se është kërcënuar me jetë nga deputetë të qarkut. Kulmi arriti vetëm disa ditë më parë, kur Edi Rama dhe Ilir Meta po diskutonin kandidaturën e së majtës për Shkodrën dhe nuk po merrnin mendimin e Doshit.

Këtu Tom Doshi, është ndjerë se po i ikën pushteti nën këmbë. Ndoshta e tha sinqerisht para Kuvendit që “nuk ka më paqe me Edi Ramën”. Me Ilir Metën, perpos ndonje pauze te shkurter, është ndarë që në vitin 2010 kur afroi Dritan Priftin pranë PS-së dhe solli videon e famshme që trazoi vendin në 21 janar.(Marre nga lapsi.al)

SHKARKO APP