Kush gabon në qëndrimin ndaj antifashizmit, gabon me të ardhmen
NGA LUAN RAMA
-Refleksione mbi librin e Bashkim Zenelit, “Berlin 1945 – maji i fitores”.
Maji i vitit 1945 dhe më saktë data 9 e majit të atij viti, shënon jo vetëm për Europën, po për të gjithë botën ngjarjen më të rëndësishme të shekullit XX.
Sepse nuk ka pasur një ngjarje tjetër më të madhe në atë shekull se fitorja antifashiste.
Paqja e padrejtë në Europë në fund të Luftës së Parë Botërore përfundoi e “vrarë” brenda dy dekadash prej diktaturave nazifashiste, që i imponuan njerëzimit Luftën e Dytë Botërore, më të përgjakshmen e të gjithë historisë së tij.
Asnjë paqe në Europë nuk ka zgjatur aq shumë dhe nuk ka qenë aq emancipuese sa ajo e paqes antifashiste, që erdhi me 9 majin e fitores së koalicionit botëror antifashist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Luftërat vlerësohen nga paqet që prodhojnë. Dhe paqet vlerësohen prej filozofive që ofrojnë.
Kjo është në thelb edhe idea që thekson në librin e vet me titull “Berlin 1945 – maji i fitores” publicisti dhe ambasadori Bashkim Zeneli, i cili na ka sjelle jo vetëm një vepër dinjitoze, por edhe një kontribut të vyer të autorëve shqiptarë në korpusin e madh të veprave kushtuar fitores mbi fashizmin.
Edhe pse ka hyrë në sinorët e historianëve, Bashkim Zeneli ia ka dalë ta fitojë sfidën, pasi libri i tij me rreth 500 referenca nga mbi 180 vepra, ditare e jetëshkrime autorësh të ndryshëm, na vjen edhe si një model i respektimit rigoroz të parimit të historizmit, aq shumë i rëndësishëm në ndërmarrje të tilla.
Por, Bashkim Zeneli me këtë libër ka edhe një meritë tjetër.
Me thjeshtësinë e rrëfimit, por edhe me përgjegjshmërinë e domosdoshme që kërkon trajtimi i temave të tilla, me realizmin dhe objektivitetin e parashtrimit të ngjarjeve, fakteve dhe përshkrimin e persanazheve të asaj periudhe, sjell edhe një kontribut të vyer në letërsinë tonë të këtij zhanri, jo aq të pasur me vepra të tilla që kanë për objekt fitoren antifashiste.
I barazlarguar nga protagonistët e mëdhej historikë dhe i ftohtë në kumtet që përcjell, autori i jep mundësi lexuesit të mos jetë indiferent, por të perceptojë dhe gjykojë vetë secilin prej tyre, qoftë ky Adolf Hitleri apo Josif Stalini, Churchilli, Rusvelti apo gjeneralët e mëdhej si Zhukovi e të tjerë.
Bashkim Zeneli nuk bën politikë me historinë, por historinë na e sjell si histori, me vërtetësi dhe përmes referencash të besueshme nga burime serioze dhe autorë kredibël e me autoritet prej peshës së emrit dhe veprës së tyre.
Antifashizmi shumëkujt mund t’i duket si një kategori që ka mbetur në histori. Por në themelet e rendit të sotëm botëror, të një shoqërie që është provuar me rrezikun shfarosës të “luftës së yjeve”; me armatimin bërthamor; me luftën e ftohtë e luftërat e nxehta lokale; me shkrirjen e akullnajave polare dhe pandeminë; me aq shumë rreziqe që nuk i ka provuar njerëzimi në 1000 vjet bashkë, qendron antifashizmi.
Jo vetëm antifashizmi i atyre që veshën uniformën, por edhe i atyre që u viktimizuan.
Jo vetëm antifashizmi partizan, por dhe i atyre që e provuan shijen e lirisë pas 9 majit të 1945-ës, kur nazifashizmi u mund dhe kampet shfarosëse u çliruan.
Jo vetëm 28 mijë dëshmorë shqiptarë a 20 milionë ushtarë sovjetikë, dëshmorë të lirisë, por edhe 6 milionë hebrenj të shfarosur thjesht për urrejtje.
Antifashizmi ka paracaktuar rrjedhat e botës. A mund të përfytyrohet një ndërhyrje e NATO-s në Kosovë nëse Konferenca e Paqes e Parisit e vitit 1946 do ta kishte cilësuar Kosovën rajon profashist? Afërmendsh që jo. Dhe sa miopike ngjan logjika e atyre “shqiptarëve hiperpatriotë” që supozojnë mendjelehtësisht: sa mirë do të kishte qenë të kish fituar krahu tjetër, pra ai i bashkëpunëtorëve të fashizmit!
Shqipëria është një vend antifashist jo se të tillë e donte apo e bëri Enver Hoxha dhe partia e tij që sundoi Shqipërinë e pas 9 majit të vitit 1945, por se të tillë e bëri Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, gjaku i derdhur dhe sakrificat e një populli antifashist, dhe padyshim, edhe bashkimi i kësaj lufte të udhëhequr nga patriotët dhe komunistët shqiptarë me koalicionin e madh antifashist botëror të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sa të jetë antifashizmi baza e paqes botërore, njerëzimi mund të besojë në një të ardhme progresive.
Kur antifashizmi të jetë vënë në diskutim, bota do të duhet t’i vërë gishtin kokës, se rreziku do të jetë afër.
Prandaj, kush gabon me qendrimin ndaj antifashizmit, gabon jo me historinë, por me të ardhmen.