Kush i ndërtoi “Kodrat e Liqenit” në Tiranë? Projekti i 1951 për Megaparkun e Kryeqytetit

Në nëntorin e vitit 1951, zëvëndëskryeministri Hysni Kapo firmos një urdhër që i jep jetë ngritjes së një komisioni të posaçëm që do të studionte mundësinë që në Tiranë të ngrihej një park i madh me sipërfaqe totale prej 700 hektarësh.

Pas këtij urdhëri, Komisioni i drejtuar nga inxhinieri Gaqo Tashko u mblodh në vigjilje të festimeve të 39 vjetorit të Pavarësisë për të formuar 3 nënkomisione:

Nënkomisioni për Parkun Kultural, Nënkomisioni për Parkun Botanik dhe Natyral si dhe Nënkomisioni për Parkun Zoologjik.

Nënkomisionet do të drejtoheshin nga arkitektë sovjetikë e bullgarë ndërsa në përbërje do të kishin arkitektë e inxhinierë shqiptarë.

Por vetëm në vitin 1953 do të arrihej në një projekt konkret që parashikonte detajimin se si do të ishte Parku i Madh i Tiranës.

DOSJA E

Karakteristika për krijimin e një Parku të Madh në Tiranë, 1953

Komisioni për Parkun e Madh të Tiranës mori njoftim edhe mbi mendimin e çfaqur nga arkitektët sovjetikë për Parkun e Madh të Tiranës, lidhur edhe më planin e përgjithshëm të zhvillimit të kryeqytetit vendosi sa vijon:

1-Parku i Madh i Qytetit të Tiranës të ketë një karakter nacional dhe të shërbejë për prehjen dhe ngritjen kulturale të banorëve të kryeqytetit dhe të Republikës, të shërbejë për qëllime artistike dhe shkencore

2-Parku i Madh të ketë një sipërfaqe prej 700 hektarësh dhe të vendoset në kodrat mbrapa Pallatit të Komandës së Përgjithshme, kufizuar nga pallati i Ministrisë  së Mbrojtjes Popullore, nga prroji i Qafës së Kopilit, nga maja e malit të katundit Sauk dhe Selitë dhe në kodrën e Dardhës.

Kjo zonë është në afërsi imediate të qytetit dhe paraqet variacion terreni, kodra, lugina të thyera që hapen e zgjerohen në fushën e Tiranës (mbrapa Kuvendit Popullor). Zona shtrihet deri në majat e maleve të katundit Sauk dhe përmban shumë pika nga të cilat shihet i gjithë kryeqyteti dhe deri në një horizont shumë të largët.

Përshkohet nga një rrugë që shkon nga shkolla e Partisë, ndën Pallatin e Brigadave dhe mbi majat e maleve gjer sa zbret në fushën e Tiranës (Sauk). Kjo është qysh tani një rrugë e bukur turistike që gati e qarkon gjithë qarkun.

3-Parku i Madh të përbëhet nga:

-Parku i Kulturës me  sipërfaqe 150 hektarë

-Parku Botanik me sipërfaqe 25 hektarë.

-Parku Zoologjik me sipërfaqe 25 hektarë

-Parku Natyral me sipërfaqe 500 hektarë

Ky park duhet të projektohet duke pasur parasysh zhvillimin e Qytetit të Tiranës  deri në 200 mijë banorë dhe të zhvillimit të planit rregullues të qytetit.

Projekti i hartuar në fakt arriti të marrë vetëm miratimin paraprak të autoriteteve, por e vetmja gjë që nisi të ndërtohej ishte Liqeni Artificial dhe mbjellja masive e pemëve, shpeshherë pa plan konkret pasi plani nuk ishte miratuar si plan përfundimtar.

Të dhënat zyrtare të kohës dëshmojnë se deri në vitin 1953 ishin mbjellë rreth 250 mijë rrënjë peme jo frutore.

Mbjellja e tyre kishte si qëllim vetëm të mundësonte hije për popullatën që lëvizte aty dhe nuk ishte bërë sipas një projekti aktitektonik.

Shkresat e kohës tregojnë gjithashtu se në vitet e para për realizimin e këtij parku Ministria e Ndërtimit ishte treguar e ngadaltë dhe gjithçka kishte mbetur vetëm në kuadër të projekt idesë.

Në vitin 1953, në Parkun e Madh të Tiranës kishte vetëm rreth 2 mijë metra tubacion ujësjellësi për të pirë, një bar bufe dhe një rrugë të asfaltuar që të çonte te Varrezat e Dëshmorëve.

Projekti ideja e parë parashikonte mbjelljen e rreth 130 mijë fidanëve të tjerë, ndërtimin e një plazhi buzë liqenit, ndërtimin e 4 çezmave publike, 6 skulpturave, një kioske për libra, gazeta e revista, ndërtimin e një rruge për makinat dhe rrugë për këmbësorët, një bufe dhe stola guri.

Totali i buxhetit për të realizuar këtë ide llogaritej 9.3 milionë lekë.

Projekti i vitit 1955 për Parkun e Madh të Tiranës

Në vitin 1955, komisioni për ngritjen e Parkut të Madh të Tiranës do të mblidhej sërish në drejtimin e inxhinierit Gaqo Tashko dhe në përbërje të të cilit ishin arkitektë e urbanistë të njohur të kohës si Gani Strazimiri, Kol Paparisto, Ibrahim Sina etj, për të miratuar projekt-idenë e planit rregullues të Parkut të Madh të Tiranës.

Projekt ideja përmbante dy variante, me pak ndryshime nga njëri tjetri.

Por ajo që bie në sy në të dy variantet, ishte kufizimi i sipërfaqes së parashikuar të Parkut të Madh. Nga 700 hektarë që ishte planifikuar në fillim, në planin e 1955 sipërfaqja u reduktua në 250 hektarë.

Varianti i Parë parashikonte që Parku i Madh të kishte në përbërje Parkun e Kulturës me sipërfaqe 110 hektarë, Parkun Natyral me sipërfaqe 90 hektarë, Parkun Zoologjik me sipërfaqe 25 hektarë dhe Parkun Botanik me sipërfaqe 25 hektarë.

Parku i Kulturës zinte pjesën qendrore të parkut dhe ishte afër ndërtimeve me rëndësi si Instituti i Shkencave, Stadiumi dhe kompleksi i tij.

Duke marrë parasysh natyrën dhe klimën e vendit tonë, ai parashikohej të ishte një park i gjelbëruar mirë, me ndërtime të lehta në formë pavionesh të cilët lidheshin mes tyre me anë rrugësh që ndiqnin kryesisht terrenin natyral.

Objektet e kërkuara sipas programit ishin teatri veror, ekspozitë, panoramë, kafe, restorante etj të vendosura në pika të dukshme, lehtësisht të arritshme nga ana e vizitorëve.

Ky variant parashikonte që “Varrezat e Dëshmorëve” ose të mbeteshin aty ku ishin ose të spostoheshin në kodrën pranë Rrugës së Elbasanit.

Për krijimin e kushteve më të mira mikro-klimatike si dhe për një pushim më tërheqës në të dy krahët e parkut, parashikohej një basen dhe një liqen i madh. Projekti i Liqenit artificial, sipas relacionit të vitit 1955, do të mbështetej në studimin e inxhinier Faredin Nurit.

Territori i zënë nga parku nuk parashikon asnjë prishje me rëndësi përveç disa ndërtimeve private që u vlerësua se nuk luanin asnjë rol.

Ndërsa Varianti 2 ngjasonte me variantin e parë në pjesën më të madhe të tij, por parashikonte edhe një park zoologjik më të vogël dhe një liqen më të madh.

Referuar projektit të vitit 1955, sipërfaqja totale e parkut do të ishte 250 hektarë

Arsyeja se pse dy variantet propozuan reduktimin e sipërfaqes së parkut ishte se jo vetëm krijohej distancë e madhe me qytetin, por edhe sepse varianti i mëparshëm prekte në një masë të madhe tokën që përdorej nga fermerët për prodhimin e bukës dhe ushqimeve.

Me projektin e vitit 1955, llogaritej që parku të mundësonte një sipërfaqe 16.5 metër katror për banor; një përllogaritje që bazohej në një popullsi rezidentë në kryeqytet prej 150 mijë banorësh.

Sipërfaqen më të madhe, në të dy projektet e vitit 1955 e zinte Parku i Madh i Kulturës, me 160 hektarë. I gjithë Parku i Madh i Tiranës vlerësohej se do të kishte një kosto prej 260 milionë lekësh, ku pjesën më të madhe e zinte hapësira kulturale dhe sistemimi e zgjerimi i Liqenit Artificial.

Parku Kultural vlerësohej se do të kushtonte 185.5 milionë lekë ndërsa Liqeni Artificial 50 milionë lekë.

Kopshti Zoologjik vlerësohej se do të kushtonte 22 milionë lekë ndërsa Parku Botanik 17 milionë lekë.

Parku Natyral vlerësohej 26 milionë lekë ku pjesën me të madhe në buxhet e zinte ndërtimi i rrugëve.

Ndërkohë rezervuari dhe ujësjellësi sëbashku me ndriçimin vlerësohej se do të kushtonin 15 milionë lekë.

Projekti i vitit 1965 për Liqenin Artificial të Tiranës

Realizimi i projektit do të shtyhej në kohë dhe do të rikthehej sërish për diskutim në vitin 1965 kur do të hartohej një projekt i posaçëm për zgjerimin e mëtejshëm të Liqenit Artificial.

Kjo nënkuptonte nevojën për ngritjen e një dige të re dhe përmbytjen e digës së mëparshme si rrjedhojë e rritjes së  nivelit të ujit.

Referuar projektit të ri, diga e Liqenit Artificial të Tiranës, pjesë e Parkut të Madh, do të rritej nga 116.5 metra në 117.3 metra. Si pasojë, diga e mëparshme do të mbytej.

Ndërkohë parashikohej që nga njëra anë Liqeni Artificial të furnizohej nga Lumi i Erzenit dhe nga ana tjetër, të shërbente për furnizimin e Kombinatit të Tekstilit në kryeqytet, përmes dy tubacioneve.

Pas hartimit të projektit, nisën edhe ndërtimet përkatëse ku gjatë punimeve u ndalua me ligj larja në liqen.

Fushatat për mbjelljen e pemëve

Për mbjelljen e pemëve në parkun e Tiranës u mobilizuan të gjitha institucionet e vendit. Për secilin institucion ishte caktuar një parcelë e veçantë që do të mbillej me pemë.

Universitetit Shtetëror iu caktua mbjellja e 24 mijë fidanëve, Ndërmarrjes “21 dhjetori” 19 mijë fidanëve apo Garnizonit të Tiranës që iu caktuan 14 mijë fidanë. Numrin më të madh të fidanëve për t’u mbjellë ia caktuan Politeknikumit 7 nëntori, me 28 mijë fidanë.

Përgjatë periudhës së krijimit të tij, parku u mboll kryesisht me akacie, plep kanadez, pishë të egër dhe të butë, lis, frashër, eukaliptus etj dhe një serë varietetesh shkurresh.

Parku i Madh i Tiranës, që u njoh ndryshe edhe si Kodrat e Liqenit në Tiranë, u bë shumë shpejt një vend i frekuentuar masivisht.

Por dokumentet e kohës dëshmojnë se ndërsa me mbjelljen e pemëve ishte avancuar ndjeshëm, me infrastrukturën për të pritur njerëz, kishte ngecje…

Përllogaritjet për numrin e popullsisë në Tiranë rezulton se ishin bërë gabim pasi qyteti do të rritej demografikisht, më shumë sesa parashikohej në perspektivën e zhvillimit…

Projekti Çarçani, ‘projekti i fundit komunist’ për liqenin e Tiranës, 1990

Në vitin 1989, qeveria e drejtuar nga Adil Çarcani miratoi planin e ri rregullues të Tiranës, duke përfshirë disa projekte që në fakt gjetën zbatim në periudhën postkomuniste.

Një vit më vonë, në 1990, pas Planit të Tiranës u diskutua edhe plani për Parkun e Madh të kryeqytetit. Parku kishte arritur një sipërfaqe prej 256 hektarësh dhe përbënte një nga qendrat më të frekuentuara të kryeqytetit për shëtitje, argëtim e pushim.

Prezenca e kopshtit botanik dhe zoologjik bënte që ky park të kishte edhe vlera shkencore dhe jo vetëm vlera turistike. Parku në ato vite kishte 20 kilometra rrugë dhe element sociale-kulturore .

Por punën e bërë, territori i parkut ishte pjesërisht i sistemuar dhe i ndërtuar. Vetë autoritetet e pranojnë se mangësitë në zbatimin e planit rregullues të Parkut të Madh kishin bërë që një sipërfaqe e tij prej 15-20 hektarësh të mbante një fluks të madh frekuentimi me rreth 1 mijë deri në 1500 njerëz për hektar.

Në këtë gjendje, parku nuk i kryente të plota funksionet për të cilat ishte krijuar prandaj doli e domosdoshme ndërtimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i tij në mbështetje të një ristudimi, duke reflektuar edhe kërkesat bashkëkohore.

Projekti i vitit 1990 parashikonte zgjerimin e investimeve në park në pjesën e Saukut si dhe zgjerimin e shëtitores deri në zonën ku parashikohej të ndërtohej në të ardhmen Unaza e Re e Jashtme e Tiranës, që ishte parashikuar në planin e ri rregullues të qytetit. Po ashtu, projekti parashikonte ndërtimin në Liqenin Artificial, të dy ishujve brenda tij.

Sipas këtij plani, parku do të ndahej në dy zona; në zonën e pushimit aktiv të organizuar dhe në zonën e pushimit të lirë. Pra, parashikohej ndërtimi i ambienteve të përshtatshme për stërvitje dhe aktivitet sportiv dhe pjesa tjetër për pushim e lexim.

Në park parashikohej ngritja e objekteve social-kulturore si 1 ose 2  hotele e restorante turistike me kapacitet 50-60 vende fjetje, 2-3 bufe-restorante e pastiçeri masive me kapacitet 200-300 vende secili, 1 kinoteatër i ri veror me 1000 vende, mjedise leximi në natyrë, plazh e nënstacione varkash në bregun e liqenit, pishina të hapura, sheshe me lojëra të ndryshme të shpërndara në të gjithë parkun.

Po ashtu, ky plan parashikonte ngritjen e kampeve të pionerëve dhe 1 ose 2 shtëpi pushimi për 15 ditëshin e pushimeve që merrnin punonjësit.

Po ashtu, u krijua një ndërmarrje e posaçme për menaxhimin e parkut.

Por trazirat që pasuan vendin në vitin pasues do të bënin që një pjesë e mirë e këtij projekti të mos gjente zbatim menjëherë, ashtu sikurse edhe Parku i Madh do të dëmtohej nga ndërtimet e paligjshme dhe shpyllëzimet.

Vitet e fundit, në Parkun e Madh të Tiranës janë realizuar investime dhe ai përbën një ndër vendet më të frekuentuara të kryeqytetit.

Nga Kreshnik KUÇAJ

Emisioni ‘DOSJA E’ në SCAN TV

SHKARKO APP