Kush ia saboton qeverisjen Edi Ramës?
Forum E Premte, 16 Prill 2021 12:35
Nga Zef Shtjefni
Sa herë vij në Shqipëri u futëm zyrave të shtetit vërdallë, duke ndjekur punët e bizneseve të mija. Nuk jam nga ata emigrantët që vijnë një herë në vit për pushimet verore dhe çmenden kur kanë të bëjnë me zyrat e shtetit. Vij çdo dy muaj. Më bën përshtypje se edhe pse administrata është ndërruar, duket se asgjë ose fare pak gjëra kanë lëvizur. Korrupsioni aty ka zënë rrënjë si lisat në pyll dhe nuk lëviz. Mentaliteti i të bërit biznes me zyrat e shtetit, nuk ka ndryshuar fare. Edhe pse nuk punoj gazetar, po u sjellë pak copëza realiteti që takoj çdo ditë kur vij dhe hyj nëpër zyrat e administratës. Qeveria e re, kur erdhi në pushtet mori një vendim që t’u kthejë borxhet e Berishës, bizneseve. Me ta kuptuar këtë marifetxhinjtë e korrupsionit në administratën tatimore e doganore, filluan zanatin e vjetër. Mbajnë peng dosjet e borxheve me sebepe të ndryshme, duke pritur përqindjen e tyre. Dikush pret borxhet e rrugëve dhe urave të bëra me paratë e veta apo të marra borxh nëpër banka . Dikush borxhet e TVSH-së të bëra mal. Të tjerë, borxhet e rikuperimit të akcizave. Të gjithë “falën” ose tek tatimorët, ose tek “hienat” e doganave. Është thuajse taksative, cilitdo që i vonohet kthimi i borxhit me shume se 2 -3 muaj, bëhet thjeshtë sepse nuk ka rënë dakord për përqindjen e korrupsionit. Nuk është se kanë turp apo droje të ta thonë. Ta thonë troç si në Durrës, në Lezhë, në Shkodër, Të Tiranë. Njeriu mërzitet e thotë: asgjë nuk paska ndryshuar. Mërzitet dhe shanë Ramën e qeverinë e tij. Humb durimin e shpresën dhe thotë: Nuk bëhet ky vend. Do mposhtim korrupsionin, sepse do ndërrojmë sistemin, na premtoi Rama. Po ja, nëse për likuidimin e borxheve të akcizës dhe TVSH-së , do bëhej aplikimi online, sot nuk do të qe nevoja që bizneset të shkojmë me dosje nën dorë të specalistët e tatimeve dhe doganave. Kështu, mbase do kishin më pak mundësi të na vidhnin. Ose, nëse taksën e akcizave do ua hiqnin që në burim bizneseve, që kanë kartën teknologjike në rregull dhe konsumin të certifikuar, nuk do ua kishin nevojën drejtorëve të doganave e tatimeve. Sot, po nuk u shkoi përqindja e korrupsionit, qoftë dhe një muaj, harroje se mund të marrësh gjë. Verifikohet lehtë kjo që po them. Shkoni e shihni se si dhe sa muaj ua vonojnë dosjet e akcizave doganat fabrikave dhe bizneseve! Nëse shkon në institucione thua: O Zot kë kanë futur PS-ja dhe LSI-ja të punojnë nëpër ato zyra! Rrëmuja nëpër zyra ka tre shkaktarë themelor, sipas meje: ose njerëzit që punojnë aty janë të paaftë, ose aty bëhet korrupsion dhe ashtu si ujku që do mjegullën, edhe ata duan rrëmujën, për të futur pa radhë ata që kanë intereso. Edhe këtu vrisja mendjen tek ai ndërrimi i sistemit, që na premton Rama. Në Pragë e nxjerrim online vetë certifikatën e pronësisë nga siti i hipotekës. Online e ndjekim në çdo fazë regjistrimin e pronës. Para pak kohësh, në zyrat e regjistrimit të automjeteve në Laç mu deshën dy ditë që të dërgoja shoferin me gjithë automjet që të bëjë praktikën. Edhe për kolaudimet më thanë se një ditë të shkon. Është të vësh duart në kokë, kur mendoj se në një lagje të Pragës unë të njëjtin shërbim e bëra për 5-6 minuta. Para 26 vitesh edhe ata të njëjtin sistem me ne kanë pasur. Nuk e besoj se kryeministri i di këto. Mbase as ministrat e tij, por ua garantoj se administrata e korruptuar dhe e paaftë po ua saboton qeverisjen çdo ditë. Këtu korrupsioni është bërë mal dhe na ka zënë rrugën të gjithëve. Por as gazetarët e media, që rrinë gjithë ditën duke përgjuar pas zyrave të PS-së dhe PD-së, nuk po e shohim.