Kush mund ta konkurrojë Bashën?

Prof.dr. Luan MALLTEZI

PD po kalon një situatë të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit për shkak të blerjes masive së votave nga PS. Në këtë situatë, “ish-krerët jashtë liste të PD” po sulmojnë egërsisht kryetarin Basha, duke ngritur akuza të rënda kundër tij. Flasin për shkelje statuti, për tjetërsim të simboleve të PD, për përpjekje për ta kthyer PD në parti familjare etj. A kanë të drejtë? Sigurisht jo, të gjithë demokratët e dinë se asnjëherë statuti nuk ka pasur kurrë këtë vlerën që përpiqen t’i japin. Pas humbjes së zgjedhjeve, Basha ka kërkuar zgjedhje të lira në PD për postin e kryetarit: kjo rrugë është e hapur për të gjithë. Zemërimi i papërmbajtur ndaj Bashës vjen ngase “këta liderë” nuk ishin përfshirë në listën e tij. A duhej që Basha t’i përfshinte në listë? Mendoj se jo, sepse ish-liderët jashtë liste të PD nuk mbështesnin kryetarin Basha në çadrën e lirisë; disa madje ishin kundër qëndrimit të tij publik për të mos marrë pjesë në zgjedhje me Ramën në pushtet, të tjerë nuk u ndjenë fare, sepse prisnin të ishin në listat e PD. Kur kjo nuk ndodhi, ata u hodhën menjëherë dhe me zemërimin më të madh kundër tij. Shtypi i fton “këta ish-krerë të lënë jashtë listë të PD” të deklarojnë në ekranet televizive zemërimin dhe pikëpamjet e tyre, por ne, demokratët e thjeshtë i përjetojmë këto me dhimbje, sepse është një luftë pa moral ndaj kryetarit Basha, një luftë që shpie edhe në shkatërrimin e PD.

Zotërinj të jashtëlistës, jini seriozë, zgjedhjet humbën për shumë arsye, zgjedhjet humbën edhe për faktin se iu kundërvutë hapur Bashës sapo shpalli listën e PD, gjatë fushatës paralajmëruat humbjen dhe shkatërrimin e tij. Kjo është e turpshme për ju si “ish-liderë” dhe për vetë PD. Për listën që paraqiti Basha mund të ketë vërejtje; në Durrës për shembull u vu në numrin dy të listës dhe doli deputete e PD një person që s’ka asnjë lidhje me PD! Vërejte ka edhe për numrin e deputetëve që iu lëshuan partive të vogla aleate të PD etj. Por, gjithsesi zgjedhjet humbën për shkak të parave të shumta që hynë në lojë nga kundërshtarët. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në Kuvend janë zgjedhur edhe deputetë që nuk mund të merrnin më shumë se 10 vota, por “u zgjodhën deputetë”, sepse disponojnë para me thasë. Deri tani asnjë nuk është në gjendje të pengoje blerjen e votave në Shqipëri. Basha në fjalimet publike të tij kishte thënë shumë herë se nuk mund të kishte zgjedhje të lira me Edi Ramën në krye dhe paratë e drogës e të krimit që qarkullonin në Shqipëri, por të gjithë e dimë se pikërisht në këtë moment të vështirë për PD ndërhynë ndërkombëtaret për ta detyruar Bashën të hynte në zgjedhje. Janë këta më në fund që i siguruan Bashës të dërgonte “shumë ministra” të PD në qeveri për të kontrolluar procesin zgjedhor. Pas kësaj, të gjithë u ndjemë të lehtësuar dhe besuam se mund të fitonim zgjedhjet, ashtu siç besuam ne, besoi edhe Basha, por punët shkuan keq dhe humbëm. Unë besoj se këtë humbje asnjë në Shqipëri nuk mund ta ndalonte, sepse hynë në lojë shuma të mëdha parash. Aq më tepër duhet të jemi të bindur për sa thamë kur dimë nga intervistat e Agron Dukës dhe Fatmir Mediut se strukturat e PD “nuk ekzistonin fare ose nuk ishin eficiente”. Ç’kishin bërë këta “ish-krerë” për këtë situatë dramatike të PD, a nuk kishin edhe ata detyrim për forcimin e strukturave të PD? Ish-deputeti Gjana tregon në intervistën e tij se ai vetë, ndonëse nuk ishte në listën e Bashës, ishte në krye të disa strukturave të PD në zgjedhje, ju zotërinj pse nuk vepruat kështu kur dihet se keni qenë në krye të PD që nga një kohë kur s’mbahet mend.

Problem për PD tani pas zgjedhjeve është të diskutojmë brenda vetes problemin kyç të forcimit të strukturave të saj. Problem tjetër i madh është për Bashën dhe deputetët e tjerë të PD të diskutojnë në Kuvend dhe në media me forcë si problem i rëndësishëm që kërkon zgjidhje zhvillimet e zgjedhjeve të lira demokratike në Shqipëri. Ky është problem themelor për pluralizmin në Shqipëri dhe kjo është detyrë që kërkon zgjidhje jo vetëm nga PD, por edhe të gjitha forcat politike në Shqipëri. Çështja e shëmtuar e shitjes dhe blerjes së votave duhet të marrë fund një herë e mirë në Shqipëri. Këtë çështje i përket klasës politike shqiptare ta zgjidhë përfundimisht me ligj. Kryetari ynë, Lulzim Basha nuk është mësuar të vjedhë vota. Zotëria e tij nuk do të jetë në gjendje të vjedhë kurrë në Shqipëri, por unë besoj plotësisht se Basha do ta zgjidhë pa diskutim këtë problem fyes dhe të shëmtuar që ndodh në Shqipëri nga partitë politike. Të jeni të sigurt miq demokratë dhe socialistë se në zgjedhjet që vinë nuk do të ketë më blerje votash; mjafton miratimi i një ligji që detyron të gjithë shtetasit të votojnë në zgjedhje që e mbyll një herë e mirë këtë fenomen të shëmtuar. Ky ligj vepron në Greqi prej vitesh. Jam i sigurt se edhe në Shqipëri të gjithë deputetët do ta miratojnë këtë ligj për të mbyllur këtë fenomen. Diskutime si këto që ngrenë “ish-liderët jashtë liste” të PD kundër Bashës janë probleme që nuk u interesojnë demokratëve të thjeshtë, këto janë diskutime të njerëzve që nuk kuptojnë se kanë dalë një herë e mirë tashmë nga kuvendi i Shqipërisë. Me këto akuza të turpshme që dëgjojmë, mendoj se kreu i ardhshëm i PD nuk mund të dalë prej tyre. PD kërkon një staturë tjetër për të konkurruar për kryetar, një staturë që do të çojë përpara jo vetëm PD, por edhe demokracinë në Shqipëri. Për një figurë të tillë ka nevojë vendi, Luli është një prej tyre. Problem është se kush tjetër mund të konkurrojë me të? Në qoftë se gjejmë një tjetër të tillë, duhet të jemi të lumtur se liderët nuk janë kaq të shumtë dhe të zakonshëm, siç mendojnë disa me mendjelehtësi. Duke mbyllur këtë fjalë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të qëndrojmë rreth Bashës, sepse do të fitojmë. Lulzim Basha ka shfaqur qartë në shoqërinë tonë të korruptuar tiparet e një lideri të ri, serioz dhe të kulturuar. Për njerëz të tillë kemi nevojë të gjithë, të majtë apo të djathtë, në Shqipëri; për njerëz të tillë të rinj ka nevojë çdo parti.

Marrë nga Gazeta Shqiptare

 

SHKARKO APP