Kush mund të përballet me Bashën brenda PD-së?

Nga Mero Baze

Nëse ka një armik real Lulzim Basha në PD, ai është vet Lulzim Basha. Problemi i tij kryesor nuk është as mënyra sesi u zgjodh në krye të PD-së (pasi atë po e konsiderojmë dhuratë nga Berisha), as mungesa e karizmës dhe ideve të tij opozitare. Problemi i tij i madh është formimi i tij klientelist si politikan.

I ardhur në PD jo në rrugë politike por familjare, si mik i vajzës së kryeministrit, i ngritur në detyra të rëndësishme për shkak të këtij luajaliteti, i mbrojtur para aferave të rrezikshme ligjore po për shkak të kësaj lidhjeje, ai e ndërtoi edhe punën e tij si kryetar i ri i PD-së, po ashtu mbi lidhje klienteliste dhe jo politike.

Ai ndërtoi një Këshill Kombëtar, bazuar në njohjet e gruas dhe kunatit të tij, duke thirrur në Këshillin Kombëtar njerëz jo vetëm apolitik, por dhe me origjinë të theksuar në lidhje me komunizmin. Klientelizmi i tij, vazhdoi në mënyrën sesi është drejtuar Bashkia e Tiranës, kush i ka marrë tenderat dhe kush ka marrë poste drejtuese. Thuajse gjithë njerëzit që morën pjesë në ndërtimin e pallatit të tij në Vlorë, që nga arkitekti e deri tek ndërtuesi vullentar ende i papaguar, u shpërblyen duke u bërë drejtues në Bashkinë e Tiranës apo marrës tenderash në atë bashki, deri tek kandidat për kryetar bashkie në Vlorë.

Ai po ashtu pasuroi një pjesë të ekipit të ri të PD-së të quajtur koordinator, me emra që nuk vijnë nga politika, por nga sallone mediash me raste dhe afër tij, të cilët ia kanë ofruar si shkëmbim nderesh.

Është kjo arsyeja, që sot çdo debat brenda PD-së bazuar në rezultatet e PD-së apo gabimet e Bashës si lider, janë të kota. Lulzim Basha nuk është dikush që duhet gjykuar për çfarë bën dhe si e drejton PD-në, pasi ai ka aq paturpësi sa të mos i konsideroj humbjet e tij, humbje.

Armiku real i Bashës është ta përballësh Bashën me klientelizmin e tij, duke e vënë në pozitë të vështirë për të shkelur mbi vetveten.

Përshembull vizita e Ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, ishte një rast që Basha të debatonte mbi firmën e tij në Marrëveshjen detare. Një lider i sigurtë dhe i qartë e mbron atë që ka bërë dhe Basha duhet ta mbronte atë që ka bërë. Ai nuk mund të takohet me pasardhësin e Bakojanit, me të cilën ka firmosur marrëveshjen dhe të flasë për ligjin e luftës që de facto nuk ekziston. Ai duhet të flasë për luftën më të re që ai i ka hapur Shqipërisë me Greqinë, pa ia pasur borxh dhe vetëm për një grusht vota më 2009-ën.

Dikush në PD duhet t’ia kujtonte këtë firmë dhe ajo parti duhet të mbajë një qëndrim ndaj asaj që ka ndodhur. Nëse e mendojnë se kanë bërë mirë le ta mbrojnë, nëse mendojnë se ka qenë gabim, të distancohen. Por të kaluarit sikur nuk ka ndodhur gjë, duke iu përshatatur momentit, nuk është një qëndrim politik.

Një debat interesant ishte një ditë më parë dhe ai mes Topallit dhe Bashës për ligjin e Arsimit të Lartë. Ligji ka prodhuar debate në opinion publik, por qeveria është e qartë në mënyrën sesi e mbron. Ajo thotë se do t’i japë shans çdo studenti të përfitojë njëlloj nga kontributi i tij në taksat e shtetit, pavarësisht universitetit që zgjedh. Parimi është në rregull, por të gjithë i tremben xhepave të ligjit. Topalli e sulmoi ligjin, por Basha ende nuk ka asnjë qëndrim ndaj tij. Nuk është kundër, se i ka dhënë fjalën mbështetësve të ligjit ta mbështesë. Nuk është pro se nuk ka siguri që kjo nuk i bën dëm. Është thjesht viktimë e klientelizmit të tij.

Vetëm pasi u forcuan kritikat ndaj tij për klientelizëm, ai nxorri sot Pollon, që tha disa fjalë për dëmtimin e autonomisë universitare pa asnjë thelb oponence kundër ligjit, sipas parimit "më ka çu nana me la gojën".

Histori të ngjashme ai ka me konçesionet e dhëna në fushën e industrisë së naftës, ku megjithë maskarën ndaj kësaj pasurie, ai nuk guxon të distancohet për shkak të asaj që ka bërë PD-ja në pushtet. Raporti i fundit i kontrollit të shtetit, flet për miliona euro abuzime për shkak të kushteve në të cilat e ka dhënë konçesionin. PD-ja dhe Berisha dhe sot Basha, nuk flet dot për thelbin e problemit, por nxjerr karagjozë të flasin kot për të mbuluar të vërtetën.

Tani, kur pyetet se kush mund të përballet me Bashën në PD, e shikon se asnjë prej ministrave të Berishës nuk ka fuqi të bëjë opozitë, pasi ata janë pjesë e klientelizmit që prodhoi ai pushtet. Kur flet Pollo për arsimin, të kujtohen kioskat universitare, kur flet Bode për konçesionet në fushën financiare, sidomos ato në dogana, të kujtohen milionat që na merr Zeni pa i hyrë gjemb në këmbë, kur flet Basha për marrëdhëniet shqiptaro-greke, na kujtohet pakti detar, e kështu me radhë. Paradoksalisht, na duket më normale një opozitare radikale si Topalli, që ka qenë pjesë e strukturave qeverisëse, sesa opozita e koordinatorëve të Bashës, që i ngrejnë nervat të gjitha palëve. Kjo nuk ndodh rastësisht, por se ata nuk kanë qenë pjesë e qeverisë dhe nuk kanë firmosur si Basha, Bode, Pollo, Imami etj, mbi gjëra, të cilat tani nuk i mbrojnë dot si opozitarë. Që dikush të përballet me Bashën në PD duhet të jetë i lirë nga e shkuara qeverisëse. Jo se ata nuk janë fajtor, pasi ata kanë mbështetur atë qeveri, por nuk janë përgjegjës direkt të saj.

Në këtë gjendje ku është PD-ja dhe si po e menaxhon Basha, Bashën do ta mundë vetëm Lulzim Basha, i cili do ta rrënojë çdo ditë atë parti nën peshën e klientelizmit të tij dhe bashkëfajësisë në shumë tema të nxehta, që duhet të trajtojë opozita. Kur ta rrënojë edhe më keq se më 21 qershor, të gjithë do të kujtohen se ishte gabim, që kjo parti nuk shkoi një orë e më parë drejtë rithemelimit, për t’i shpëtuar jo vetëm asaj çfarë i ka bërë shoqërisë si parti, por mbi të gjitha për ta shpëtuar PD-në nga klientelizmi i Lulzim Bashës, i cili është e vetmja vlerë që ka dhe e vetmja rrugë, me të cilën ai ka arritur deri aty.

TEMA

SHKARKO APP