Kushtetuta abrakadabra
Nga Edison Ypi/
Kushtetuta e Shqipërisë përmban gabime aq katastrofike të formës dhe përmbajtjes sa duket si e bërë me sy mbyllur, me tahmin, me abrakadabra.
Variantat më të frikëshëm të saj janë ato jo-zyrtare, por tepër të përhapura, ku në vend të 5470 ë-ve dhe 116 ç-ve të munguara figurojnë po aq "e" dhe "c".
Për shkak të mungesës së ë-ve dhe ç-ve, brenda Neneve ka një lëmsh llahtarisës;
5 raste dy nënpikash të njëpasnjëshme të të njëjtit Nen të cilësuara të dyja me "e" në vend të "ë" dhe 15 të tilla me "c" në vend të "ç".
Por edhe varianti zyrtar me "ë" me "ç" është plot me tmerre.
Ja disa syresh;
Në Nenin 8 thuhet;
"Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit…".
"Jashtë shtetit" është gjuhë e drunjtë, njuspik oruellian. "Jashtë shtetit", jo si preferencë subjektive por si detyrim logjik, gjuhësor, drejtshkrimor, duhet të jetë "Jashtë Shqipërisë".
Nenin 27 përmban një horror kuptimor tromaksës;
"shoqërimi në një organ kompetent"
Organe kishte diktatura. Demokracia nuk ka organe. Demokracia ka institucione.
Ndërsa "Shoqërimi" në një "organ kompetent", është një përbindshmëri grafologjike e denjë për librin "Ferma e Kafshëve" që i fut drithmat të gjithë shqiptarëve të cilët në vitin 1990 nuk ishin më pak se 10 vjeç.
Përsëri "jashtë shtetit" në Nenin 38.
Neni 41;
"Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me ç’do mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil".
E pabesueshme se si në kontekst të fitimit, dhurimit dhe trashëqimit të pronës nuk përmendet kryesorja e kryesoreve, puna.
Po aq absurde se si fitimi, dhurimi, trashëgimi, i pronës, u bëkan vetëm me mënyra klasike dhe jo edhe bashkëkohore.
Fjalë të fryra në Nenin 42 ku përmëndet; "një proçes i rregullt zgjedhor" në vend të "një proces zgjedhor" dhe "gjykim i drejte" në vend të "gjykim".
Sipas Nenit 47 "tubimet paqësore mund të bëhen në; "sheshe dhe në vëndet e kalimit publik".
Po në livadhe a lëndina, faqe kodrash a brigje lumenjsh, a mund të bëhen ato tubime ?
Nenin 66 nuk do ta formulonte dot as më i shquari magjistar a prestigjator;
"Kuvendi….ne rast lufte…kur eshte i shperndare….rithirret vetiu" !
Pse "rithirret" dhe jo "thirret" ? Si mund të thirret Kuvendi "vetiu" ? Me urdhër të peshkut, me Abrakadabra ?
Neni 125 të është një tjetër rrënqethje oruelliane;
"Gjyqtarët emërohen…..nga rradhët e juristëve".
"Rradhët e juristëve", "rreshtat e inxhinierëve", "armata e shkrimtarëve", "kolektivi i mjekëve", "repartet e puntorëve" etj, këto cilësime militare janë tmerre logjike-gjuhësore me ta ngjeth mishin.
"Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga rradhët e anëtarëve te saj…" vazhdon pa pik' turpi Neni 125. Në sa rradhë, rreshta, kolona, falanga, mund të vendosen gjithsej 9 anetarët e moshuar të Gjykatës Kushtetuese ?
Neni 134 e paraqet Gjykatën Kushtetuese si rrotë që "vihet në lëvizje".
Nenet 137 dhe 138 kane brenda edhe ato nga nje "Organ Kompetent" por këtë herë pa "shoqërim".
Cili moralist me nam ta ketë formuluar vallë të përvjellurin Nen 142 ?
"Vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara…."
A mund të jenë vendimet gjyqësore të pa arsyetuara ?
"Gjykata e Lartë duhet t’i botojë vendimet e saj….".
A mund të lihen pa u botuar vendimet e Gjykatës së lartë ? Ndoshta po, por vetëm në diktaturë.
"Organet (!) e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore".
Për çfarë tjetër mund të ekzistojnë vendimet gjyqësore veçse për të qënë detyrimisht të zbatueshme, jo nga "organet", por nga institucionet e shtetit ?
Avazi i rradhëve militare diktatoriale pëson një ngritje në Nenin 147 sipas të cilit;
"Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij…". Përsëri "rradhët", për gjithsej 15 individë.
Neni 150 ka grimca të pështira populisto-komuniste dhe ambiguitete gjuhësore.
Për Nenin 153; "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…verifikon të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet…". Pse "aspektet" dhe jo "çeshtjet" ?
"Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës’’ thotë i 168-i.
Ec e merre vesh nëse sipas këtij Neni është Presidenti që këshillon Këshillin e Sigurimit apo Këshilli i Sigurimit të këshillon Presidentin.
I 171-ti Nen paralajmëron se; "Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë…".
Mirë bën Kushtetuta që urdhëron masa ndaj një agresioni të armatosur. Por pse nuk thotë asnjë fjalë për ndonjë agresion të paarmatosur, për shembull ekonomik apo kulturor ?
Ja dhe e çuditëshmja pikë 2 e të pabesueshmit Nen 174;
"Zgjatja e gjëndjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit".
Fatkeqësi natyrore duhej të ishte mes thonjzave. Pa thonjza duket sikur kohëzgjatjen e shiut, breshërit, tufanit, tërmetit, vërshimit, shkatërrimit, e ka në dorë Kuvendi.
Përsëri "rradhët e prokurorëve" në Nenin 179.
E të tjera e të tjera, sa të duash broçkulla në dokumentin më të rëndësishëm të Shtetit. Ku Gjuhën e ka zhubravitur era dhe logjikën e ka marrë lumi. Ku atë që do duhej të ishte teksti më i përsosur i Shqipes moderne nuk e ka lexuar asnjë herë të vetme nga fillimi deri në fund asnjëri prej atyre që e kanë shkruar.
Marrë nga faqja në FB