Kuvendi i Arbrit, në Mërqi të Lezhës, më 14-15 janar 1703 i dha udhë emrit të shqiptarëve

Nga Mark Uci –

Kuvendi që i tha:“ Ndal! emrit të Arbërit, dhe nxorri nga mfshehtësia shekullore, anonimatin shqiptar, duke vu në lëvizje emrin e shqiptarëve. Aty u tha troç e shqip priftërinjëve; ‘’A e dinë gjuhën e shqiptarëvet?’’ Eshtë vazhdim i kuvendeve të mëdha, që u bë në krahinat e Lezhës së sanxhakut të Dukagjinit për lirinë e Shqipërisë. Por janë edhe disa rrethana të reja nxitëse për klerikët katolikë të dioqezave shqiptare, që të mblidhen në Kishën e Mërqisë së Lezhës , siç ishin ndryshimet e raporteve fetare që u bënë gjatë shek. XVI-XVII në vendin tone, si dhe forma të rezistencës së katolikëve shqiptarë duke deformuar traditen kristiane dhe shkelur kanunoren kishtare për t’i shpëtuar konvertimit islam. Një formë e rezistencës, ndaj asimilimit islam ishte ( kriptokristianizmi). Kristianizmi i fshehtë përfaqësonte një gjendje kalimtare dy besimesh, përmes së cilës individë të krishterë e pranonin islamin vetëm formalisht, me qëllim që t’u shmangeshin taksave të rënda të gjizjes e detyrimeve të tjera që u vinte besimtarëve katolikë shteti islam turk, ndërsa publikisht mbaheshin si myslimanë me emra të sferës islamike, shkonin në xhami, por në familje fshehtas ata ushtronin ritet kishtare. Kjo formë besimi laramane ishte e papranueshme për Vatikanin. Ky shqetësim del qartë në relacionin që ipeshkvi i Sapës së Zadrimës, Frang Bardhi, në muajin qershor 1638 i bën relacion propogandës FIDE në Romë, ku ndër të tjera shkruan :
“…shumë të krishtenë në këto anë i kanë ra mohit besimit katolik dhe janë bamë turq, dhe pastaj janë pendue e mfshehtas kërkojnë sakramenet, për të mos vu në rrezik pasuninë e jetën për t’u kthye botnisht në gjendjen e par.”
Dhe më poshtë vë në dije Romën : “ Edhe vjetin e kaluem, në relacionin që bana për vizitën në malësi, u shtova Naltësive tueja çka do bahet me disa gra të kshtena që kanë marrë turqit për burra…Ka kalue tashma vjeti dhe s’kam marrë ndoj përgjigje të kësaj pyetje, e cila çashtje na nevoitet shumë, sepse turqit, burrat e atyne (grave) na kërcnojnë se do t’na dëmtojnë shumë randë, sepse nuk ua japim sakramenin e shenjta grave te tyne të krishtena, si u tha. Deri tash na keni mbajtë tue thanë se nuk kemi pushtet meu dhanë sakramen, por se këto punë ja keni tregue Papës së shejtë tonë dhe të gjithë ata që kanë për të urdhnue ai na, edhe me humjen e jetës sonë, duhet ta zbatojmë, dhe me kaq janë qetësue. Por në qoftë se nuk do të na vijë brenda një fare kohe përgjigja për me u dhanë sakramenin, të gjitha gratë duen meu ba bulla ( myslimane).’’
Vëmendje të veçantë kësaj çështjeje i kushtoi Koncili i Arbërit ( Kshilli Kishtar i Arbërit), i mbledhur në Kishën e Shën Gjon Pagëzorit të Mërqisë, në afërsi të Lezhës, me 14 dhe 15 janar1703, me nxitjen e drejtpërdrejtë të papës Klementi XI me origjinë shqiptare nga Kelmeni i Malësisë së Madhe.

Ky forum i lartë, që u mbajt në Kishën e Shën Gjon Pagëzonit, e njohur në të kaluarën me emrat si “ Kisha e Shën Gjon Kryepremit ” apo “ Kisha e Kuvendit të Arbrit,’’ u kryesua nga arqipeshkvi i Tivarit i Kryeqendrës së kishës katolike shqiptare, Vinçens Zmajoviç, kryepeshkvi i Durrësit, Pjetër Zumi; kryepeshkvi i Shkupit, Pjetër Karaxhië me Lekën dhe Pjetër Dodën; Gjergj Totrri ipeshkvi i Sapës; Nikoll Vladani ipeshkvi i Lezhës; Ndue Babi, ipeshkvi i Shkodrës; Marin Gjini, ipeshkvi i Pultit; Frat Exhidio, prefekti apostolik i misioneve të Arbërisë, Frat Frano a Lycio, profeti apostolik i misioneve të Maqedonisë, Frat Mertini a Gionima, i pari i trojeve të fretërve.’’ Morën pjesë edhe prelatë të tjerë të përmendur të vreshtës së Zotit.’’ Përmes “ Historia e Popullit Shqiptar ” evidentohet : “ Këshilli i Peshkopëve të Shqipërisë, i cili u mblodh në Mërqi të Lezhës, i njohur me emrin “ Koncili i Arbërit ” vendosi të përhapej letërsia fetare në gjuhën shqipe.”Për herë të parë, Kuvendi i Arbënit i vitit 1703(botimi i vitit 1706) (thotë)…a e dinë gjuhën e shqipëtarëvet.’’ (H.P. Shqiptar, V.I, Toena 2002, f.694). Dokumenta më të plota për Kuvendin e Arbërit na paraqet studjuesi gjerman Johan Georg fon Hahn, i konsideruar si dekani i studimeve shqiptare për shekullin e 19-të. Ai në librin e tij “ Studime shqiptare ” ka nxjerrë disa pjesë, nga vendimet e Kuvendit të Arbërit, të cilat japin informacione të plota për gjendjen e atëherëshme të çdo kishe , si dhe për doket e vendit. Autori ka botuar katër pjesë dhe thelbin e tyre po e parashtrojmë më poshtë. Pjesa e parë (Para prima) është e ndarë në dhjetë kapituj, ku prezantohet gjendja e vështirë që po kalonte kisha katolike në Shqipëri, si dhe ndalimi i zbatimit të kriptokatolikut dhe marrja e masave të rrepta ndaj tyre, madje në këtë kontekst dënimi i çdo lloji betimi të rremë. Pjesa e dytë (Pars secunda), ndahet në nëntë kapituj. Këtu flitet kryesisht për ceremonitë fetare. Pjesa e tretë ( pars tertia), ndahet në tetë kapituj. Këtu përveç ceremonive fetare, të lindjes e martesës, koncili ndalet dhe për mosmarrëveshjet mes dioqezave, për kufijtë kishtarë. Për këtë çështje ndalet veçanërisht në kapitujt e IV-VII të pjesës së tretë, për të cilin dokumenti ndër të tjera rezulton: “ Përmban kufijtë e dioqezave të ndryshme. Grindjet e vazhdueshme dhe të idhta për punë të kufijve midis ipeshkëve të ndryshëm, kanë qenë në kohna të hershme një ndër të këqijat më të mëdha të kishës shqiptare. Në një marrëveshje të tillë për rregullim kufijsh ishte arritur në vitin 1638, midis ipeshkvit të Lezhës dhe arqipeshkvit të Durrësit, si përfaqësues i ipeshkvisë së mëparshme të Albanos…’’ Ndërsa pjesa e katërt ( pars quarta). Koncili ndalet në zakonet shqiptare, respektimi i tyre si dhe mësimi e respektimi i gjuhës së shqiptarëve.’’
(J. Hahn ‘’Studime shqiptare’’f. 59 pika 79 )
Siç del, Kuvendi i Arbnit i vitit 1703 ( botimi i vitit 1706, faqe 76), tha troç e shqip : “ A e dini gjuhën e shqiptarëve”. Prelata shqiptare e mbledhur në Kuvendin e Mërqisë në Lezhë, vuri re se gjithnjë e më shumë nga vatrat tona, po dilte nga anonimati, emri i vërtetë i popullit tonë, që në shekuj ishte mbartur në fshehtësi dhe kjo po tregonte se këtu në gadishullin e Ballkanit kishte marrë udhë, formimi i një kombi të ri që quhej shqiptar. Pas Kuvendit të Arbërit të vitit 1703, e gjatë gjithë shek. XVIII, shkallë-shkallë erdhi duke u shuar emri i arbërve dhe po zëvendësohej me emrin e vertetë të tyre, shqiptarë, aq sa në shek. XIX, studjuesi gjerman J.Hanh, do të deklaronte : “ Emri i arbërit pjesërisht përdoret edhe sot (1840), por gjithkund flitet për Shqipëri e shqiptarë.’’1 Gjatë shek. XIX , ndodhi konsolidimi i plotë i emrit të shqiptarëve, ndërsa emri i Arbërit u venit. Kështu doli nga anonimati në tërë hapësirën e Ballkanit perëndimor, një popull unitar me emrin e vërtetë të tyre, shqiptarë. Kjo ka të bëjë me formimin e konsolidimin përfundimtar të kombit tonë, për të cilin në vitet 80-të të shek. XIX, Pashko Vasa do të deklaronte : “ Feja shqiptarit asht shqiptaria”. Kuvendi i Arbërit ka merita të veçanta në historinë e popullit tonë, se krahas vendimeve kishtare të rëndësishme që mori, ndau përfundimisht dy “ botët ” : “ Botën” e kaluar të Arbërit me “ Botën” e shqiptarëve dhe u tha meshtarëve katolikë troç e shqip “ A e dini gjuhën e shqiptarëve ? ” si dhe porositi që të mësohej gjuha shqipe.
Që emri i shqiptar është përdorur me shekuj nëpër shtëpitë e vatrat e popullit tonë, ( “që moti ” siç thonë rilindasit), t’pakten në mesjeten e hershme, në tranzicionin iliro-shqiptar, kjo është e argumentueshme dhe se ky ishte i vetmi emër i vërtetë i tyre, edhe kjo sot gjithnjë e më tepër po merr udhë. Megjithëse rrallë, për këtë fakt flasin edhe dokumentat e Mesjetës. Kështu fjalën shqip e ndeshim një herë të vetme qysh në “ Mesharin ” e Gjon Buzukut ( 1555 f. XXV)… “…qi vjen me thashun shqip’’ … Siç shprehet vetë Buzuku, i vjen me e thanë shqip dhe nuk thotë se më vjen me thanë arbënisht. Fjala shqip, me vlerë ndajfoljore, ndeshet pastaj katër herë në veprat e Budit (1618-1622), tek i cili ashtu si te Buzuku, nuk ndeshet fare fjala arbënisht. Ndajfoljen shqip e gjejmë të përdorur dy herë edhe në veprën e Bogdanit të vitit 1685. Por paralel me të te Budi, Bogdani dhe Bardhi gjejmë të përdorur rregullisht dheu i Arbënit dhe gjuha arbëneshe…’’.Ndërsa Johan Thunmanni, në vitin 1774, do të pohonte: “ Albanët e quajnë veten Skipatar, por burimin e kësaj fjale ata nukë e dijnë.’’2
Shumë para Budit, Bogdanit, Bardhit, madje edhe Buzukut, Milan Shufflaj, na shfaq një dokument të G. Mayerit, i cili përmend emrin e shqiptarëve që në Mesjetën e mesme, për të cilin ai shkruan: “ Ndërgjegjja për bashkësinë e të gjitha atyre fiseve nuk ishte aq e fortë. Megjithatë shek. XIV dhe XV edhe te ato vihen re përpjekje që veten ta quajnë me një emër të përbashkët. Njëri prej tyre është Shqipëtar, kurse gjurmët e para mund të hetohen nga fundi i shek. XIV. Ky qet krye në qytetin e Drishtit si emër familjar Schepudar (Shqipëtar). Ky interpretim i G.Mayerit, sipas të cilit Shqiptar do të thotë, sipas të gjitha gjasave, njeriu
‘(gjuhën) e të cilit kupton.’’2 Pra një gjuhë ndryshe nga të tjerët që e flasin dhe e kuptojnë vetëm shqiptarët ( kuptoj=shqiptoj, flas shqip). Sç u tha, sipas Shufflaj : “Gjurma e parë e këtij emri del në mbarim të shekullit XIV, del në dritë në veri, në qytetin e Drishtit, si emër familjeje (1368-1402); Schipudar, Schapudar, Schapuder.’’ 3 Matriali dokumentar që analizon Shufflaj është bërë në Raguzë dhe mban datën 11 gusht 1370. Bëhet fjalë për një shkresë shitblerjeje, që mbyllet me frazën: “çka tepron t’i dorëzohet Dom Pjetër Schipudar-it prej Drishtit.’’ Kurse i ati i këtij Pjetrit, quhet Andreas Schipudar. Profesor Çabej duke analizuar këtë ide të Shuflajt do të shkruante: “ Mendimi që emri shqiptar të ketë ekzistuar në Shqipërinë Veriore që në shekullin XIV e të jetë identik me emrin familjar Schipudar …të një banori në qytetin e Drishtit afër Shkodrës, që përmendet rreth vitit 1368-1402 në arkivat e Raguzës, mbetet në hipotezë që meriton të gjurmohet më tej.’’ 4 Lind pyetja se Andrea Schipudari që s’ka kryer asnjë rol të jashtëzakonshëm apo ndonjë rol në historinë e popullit tonë, ky njeri i rëndomtë t’i japë emrin popullit tonë si etnonim-shqipëtar dhe Shqipëri është e pamundur. Madje edhe princat e principatave feudale të Arbërit nuk arritën të bënin emërtimin e popullit dhe të mbarë atdheut me një nga emrat e familjeve të tyre. Kështu Muzakajt, edhe pse kishin titullin e lartë të despotit, arritën t’i jepnin vetëm principatës së tyre emrin e familjes Muzaka. (Myzeqeja). Edhe Dukagjinët emërtuan vetëm krahinën e tyre, por nuk arritën ta shtrijnë emrin e familjes shumëdegëshe në të gjithë Arbërinë. As Kastriotët e famshëm me Skënderbeun, që arritën të bëjnë lidhjen e të gjithë princave të vendit në Kuvendin e Lezhës, nuk e emërtuan dot popullin me emrin e familjes Kastrioti, me përjashtim të emrit të ndonjë fshati apo malet Skënderbeg, ku pati luftuar komandanti legjendar. Atëhere del thjeshtë e qartë se marrëveshja me Raguzën e Pjetër Schipudarit, ka qenë një identifikim që s’ka të bëjë me llagapin e këtij prifti Dom Pjetër Schipudarit, por me emrin e një prifti që u shërbente shqiptarëve të Drishtit për t’u dalluar nga ata sllavë, venecianë apo raguzianë që rrethonin popullin shqiptar, dokumenti e evidenton atë me llagapin Schipudar, që do të thotë Dom Pjetër shqiptari. ( prifti i shqiptarëve.) Në të vërtetë, çështja e zëvendësimit e të etnonimit më të hershëm (i) arbënesh/ arbëresh me shqiptar është ajo që thotë Mayeri, sepse edhe në Mesjetë e më parë përdorej fjala shqiptoj ( gjuhën që kuptoj). E ky zëvendësim është bërë nga vetë shqiptarët në tërë truallin shqiptar, sepse dhe në Mesjetë nëpër familjet e shqiptarëve përdorej fjala shqip, flas shqip-kuptoj-shqiptoj etj si dhe emri i popullit –shqiptarë (Schipudar). Rilindasit tanë, veçanërisht J. de Rada, P. Vasa, N. Frashëri, S. Frashëri, na pohojnë se shqiptarët janë quajtur gjithmonë shqiptarë, “ që moti ”. Po alban, arvanitas dhe arnaut etj, janë identifikuar nga të huajt për t’u dalluar nga popujt e tjerë të Ballkanit, si një popull unitar me gjuhë e zakone të veçanta. Ata janë nisur nga emri i Ptolomeut shek. II (Albanët), si dhe i kronistëve bizantinë, veçanërisht Ana Komnena, ( Arbanitasit). Ndërsa tek vetë shqiptarët, në Mesjetë, (Arbëria Venedikase) u përhap me shpejtësi emri Arban për gegërinë dhe Arbër për toskërinë. Arbanët apo arbërit sipas rilindasve, nuk janë një popull, aq më tepër një komb, por një shtresë shoqërore. Janë ata që bajnë (bëjnë) –punojnë arën, punëtorë mëditës që u përhapën në Shqipërinë bregdetare, në Mesjetën e mesme. Për këtë le t’ia lëmë fjalën mendjevistit të madh Sami Frashëri, i cili koncepton: “ Le të vimë tek etimologjia e emrit (Arban), Ar në shqip do të thotë arë (tokë), kurse fjala ban, ashtu si në persishten do të thotë ai që bën (punon). Kështu Arban do të thotë bujk (çifçi). Siç dihet , në Kontinentin e Evropës bujqësinë e sollën së pari popujt arjanë të shpërngulur nga Azia Qendrore dhe është e vërtetë gjithashtu se shqiptarët janë më të vjetrit e këtyre popujve. Edhe në gjuhët e vjetra ariane fjalët “Ar ”, “Agër ”, ose “Arg ” do të thonë – arë (shqip tokë). Për këtë arsye emri i përgjithëshëm që u është dhënë këtyre popujve rrjedh nga kjo fjalë…Toskët nuk e kanë tingullin hundor, prandaj për nevoja të gjuhës, shumica e tyre tingullin n e shndërrojnë në r (dukuria e rotacizmit në gjuhë) dhe fjalën Arbanija e transformojnë në Arbërija.’’ 5 Të dy vëllezërit Frashëri janë të mendimit se Arbanët janë bujq (çifçi), pra një shtresë shoqërore e shqiptarëve e jo popull, ndërsa emri i vërtetë i tyre ka qenë gjithmonë shqiptarë. Për këtë dëshmi, poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri vlerëson : “ Shqiptarët këtë emër e kanë pasur qëmoti, po të huajtë emrin’ e bashkë s’ua dinin , andaj kanë shkruar emrat e filirravet, e t’vendevet veçan si; Maqedhonas, Iliri, Ilirinj, Epirë, Epirot, Thesprotinj, Mollosinj., etj.’’5 Ndërsa në kapitullin “ Gegëria” Naimi na sqaron se: ‘’Shqipëria dhe Shqiptarët zirenë n’gojë n’histori me këtë emërë. Të huajt ua dhanë këtë emër , Alban, Arvanitas, Arnaut, pa shqiptarët. Shqiptarët e quanin mëmëdhen’ e tyre Shqipëri dhe vethenë Shqiptarë gjithmonë.’’7 Askush më saktë se Rilindasit nuk mund ta saktosonte prejardhjen e emrit të popullit tone, sepse ato kanë jetuar në periudhen e tranzicionit të emrit të shqiptarëve. Disa studjues e hedhin poshtë këtë me mendimin se tek arbëreshet e Italisë, nuk përdoret asgjëkundi emërtimi shqiptarë apo fjala shqiptoj, flas shqip, por vetem Arbër-arbëresh dhe flas abërisht. Ata gabojnë rëndë sepse në mesjeten e mesme, në shekullin e n14-15 shqiptarët e jugut shkuan në Peloponez (More) e më tej si bujq (arbën , arën-bën) dhe nuk e mbarten me veten emrin e vertetë shqipëtarë. Aq më teper pas një rezistece sublime ndaj pushtuesve turq, në shekullin e XV-XVI, arbanët e Moresë u detyruan të çkapërcejnë Adriatikun, duke harruar përfundimisht emërin e Shqiperisë që dikur t’parët e tyre e kishin përdorur në shtëpiat e tyre si anonimat. Arbëreshet edhe sot në këngët e tyre të përmallëshme nuk i këndojnë Shqiperisë, por Arbërisë dhe së bukres More. Është Kuvendi i Arbënit, që u zhvillua në Mërqi të Lezhës, me 14-15 janar 1703, që i tregoi popullit tonë se ne jemi vetem shqiptarë dhe u tha prelatës katolike të Kuvendit: “A e dini gjuhën e shqiptarëve?” Kuvendi i Arbërit tregoi përfundimisht se populli ynë kishte marrë udhën e formimit të kombit shqiptar, i cili u saksionua plotësisht në shek XIX. Si apelativi për banorët shqiptarë, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri. Pasi doli nga anonimati, nag vatrat tona, u përhap në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë.

1-J. Hanh “Studime Shqiptare’’ , f. 422
2-Histori e Popullit Shqiptar ,V.I, f. 694
3-Milan Shuflaj “ Historia e shqiptarëve të Veriut’’, f.23
4-B. Demira “ Shqiptar’’ Fondacioni kulturor “ Saadi Sirazi”,Tiranë 2010, f.29
5-S. Frashëri “ Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë ”, f. 40
6-N. Frashëri “ Vep.V ” botim Toena 2007 f.195
7-N. Frashëri , “ Vepra V ”,botim Toena, 2007, f.211

SHKARKO APP