Ky është kryebashkiaku i vetëm me ngjyrë i Evropës Qendrore

 

Peter Bossman është mjeku i qytezës sllovene Piran. Ai është afrikani i vetëm i cili është kryetar i bashkisë në këtë pjesë të botës, për të cilën arsye u bë edhe atraksion i mediave botërore

Qyteti mesjetar slloven Piran që ndodhet në majë të gjirit të vogël, piktoresk që mbanë të njëjtin emër, dhe i cili për shumë vite është subjekt i mosmarrëveshjes kufitare të politikanëve kroatë dhe atyre sllovenë, për kryetar të bashkisë ka zgjedhur afrikanin me ngjyrë me origjinë nga Gana. Ai është Peter Bossman, mjeku i cili tashmë prej tridhjetë vjetësh është i dashuruar me Slloveninë dhe me bashkëshorten e tij, po ashtu mjeke, për shkak të cilës pas studimit nuk u kthye në vendin e tij.

Gjatë bisedës me AA, Bossman në lidhje me termin i cili duhet të përdoret në lidhje me ngjyrën e tij të lëkurës, e të jetë politikisht korrekt, qesh dhe thotë se kjo sot nuk është më problem, cilado fjalë të përdoret, mundet edhe, siç tha, "zezak apo njeriu i zezë".

Mediat botërore i dhanë nofkën "Obama i Piranit", por se është i suksesshëm si politikan dëshmon fakti se tashmë për të dytën herë u zgjodh për kryebashkiak në qytetin me 16.500 banorë. Detyrën e kryebashkiakut e kryen që nga viti 2010, dhe për këtë arsye është dashur të lë anash praktikën mjekësore, por jo tërësisht.

 

I pyetur se me çfarë ka fituar besimin e qytetarëve të Komunës Piran, Bossman përgjigjet se problemi i madh i politikanëve është se nuk dinë të dëgjojnë popullin.

"U thashë: 'Piranët e mi, unë do t'ju dëgjoj.' Dhe një tjetër gjë, u thashë se nuk do t'i gënjejë. Njerëzit nga politikanët kërkojnë të vërtetën, e vërteta ndihmon", thekson Bossman.

Kryebashkiaku si ylli i mediave botërore

Peter Bosmman si njeriu i parë dhe i vetmi me ngjyrë të kësaj pjese të Evropës, ka tërhequr vëmendjen e madhe të mediave botërore. Siç thotë mediat për muaj e kanë ndjekur dhe kështu ishte mysafir i emisioneve dhe reportazheve të shumta nga Japonia deri në Amerikë dhe përreth.

"Kjo nuk ishte normale. Të njëjtën mbrëmje kur jam zgjedhur më kanë thirrur nga BBC-ja, pastaj CNN-i më bëri një intervistë me mua përmes Skype-it. Pastaj më kanë thirrur nga Franca, Japonia, Austria, Rusia… ky ishte lajmi se afrikani i parë dhe njeriu i parë me ngjyrë u zgjodh për kryetarin e një bashkie në territorin e Evropës Qendrore", thotë Bossman.

Është i popullarizuar dhe i njohur në qytetin e vogël të Piranit, zemra e të cilit numëron më pak se tre mijë banorë. Kalimtarët e përshëndesin ndërsa shëtitet nëpër sheshin kryesor, ndërsa turistët e ndalin për t'u fotografuar me të.

Bossman "famën" e pranon ngrohtësisht dhe me buzëqeshje, ndërsa pesë ditë më parë e kanë vizituar, përkatësisht qytetin e tij, gjashtë presidentët e rajonit të udhëhequr nga presidenti slloven, Borut Pahor.

Bossman, duke shëtitur me krerët e vendeve të rajonit përgjatë bregut të Piranit, i ka njoftuar ata me qytetin dhe historinë e tij, dhe i ftoi që të vijnë me familjet e tyre në pushim.

Nga Gana në Piran përmes Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës

 

Bossman nga Gana në Jugosllavinë e atëhershme erdhi në vitin 1978, si student i mjekësisë. Një kohë ka jetuar në Beograd dhe Zagreb, ndërsa në fund përfundoi si i diplomuari i Universitetit të Lubjanës.

"Kur kam ardhur në Slloveni, menjëherë u dashurova në Lubjanën. Gjatë kohës së studimit e njoftova bashkëshorten time të tanishme, e cila është po ashtu mjeke, dhe kur e përfunduam studimin vendosëm të vijmë të punojmë këtu. Dhe kështu erdhëm këtu në Piran. Kam thënë se këtu do të punoj dy-tri vite dhe më pas do të shkoj në vendlindjen. Atëherë gruaja ishte shtatzënë, dhe thamë, të presim edhe pak. Pas tre vjetësh, gruaja ime ishte përsëri shtatzënë dhe kështu mbetëm këtu gati dhjetë vite", përpiqet Bossman të shkurtojë tregimin e udhëtimit të tij nga kryeqyteti i Ganës, Akra deri në Piran,

Që kur mori detyrën e kryetarit të bashkisë, është dashur të shkurtojë praktikën e tij si mjek. Kur ishte zgjedhur në mandat të parë, thotë se ka punuar si mjek dy herë në javë. "Pastaj kam parë se kjo nuk shkon, dhe punova një herë në javë, ndërsa tani punoj çdo 14 ditë", tregon Bossman.

Konflikti kroato-slloven nuk është konflikt i qytetarëve të Piranit dhe atyre të Savudrisë

 

Në anën sllovene të gjirit ndodhet Piran, ndërsa në atë kroate qyteza Savudrija, kështu që gjiri në një anë quhet gjiri Piran, ndërsa në anën tjetër gjiri i Savudrisë. Problemi i demarkacionit territorial mes dy vendeve në fillim ishte çuar rreth kufirit në det, dhe pastaj për të drejtën e Sllovenisë të ketë qasje në det të hapur. Problemi është një trashëgimi e kohës së Jugosllavisë, gjatë së cilës kufiri detar nuk u shënua kurrë qartësisht.

Mesazhin më të mirë të paqes politikanëve u dërgojnë banorët e qytetit dhe kryetari i tyre i lindur në Afrikë.

"Kjo për ne nuk është problem, ky është problem politik. Shumë qytetarë të Piranit në anën tjetër të gjirit (në gjirin e Savudrisë) kanë familjen. Ata prej vitesh njihen mes tyre dhe asnjëherë nuk kanë patur probleme, derisa nuk erdhi politika", thotë Bossman në komunën relativisht të vogël, ku ndërthuren interesa të mëdha kombëtare.

"Këtu ka peshq të mjaftueshëm për të gjithë", ishte mesazhi i kryebashkiakut të Piranit Peter Bossman.

SHKARKO APP