Ky nuk ishte triumvirat, ky ishte ‘treshi përsheshi’

Në muajin qershor, fill pas zgjedhjeve, një koalicion i lidhur në mes të Mustafës, Haradinajt dhe Limajt, për shumëkënd, e pothuajse edhe për mua, ishte një lajm i jashtëzakonshëm për vendin.

Tre kryetarë partish, ishin bërë bashkë për të rrëzuar nga pushteti Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçi, i cili për shtatë vjet qeverisje, kishte irrituar edhe përkrahësit e tij më besnikë – si bie fjala mua. E posaçërisht në mandatin e dytë, me një qeverisje sharllataneske. E posaçërisht me qeverisje skandaloze në arsim, shëndetësi, drejtësi…, dhe më gjerë. Tetë vite pushtet e kanë deformuar në sytë e opinionit publik edhe një lider si Barack Obama, e lëre më një politikan ballkanik, si Hashim Thaçi.

Pra, nuk isha vetëm unë që po i gëzohesha dëbimit të Hashim Thaçit nga Qeveria. Qoftë edhe duke e zëvendësuar atë me politikanë, gjithashtu të diskutueshëm dhe me plot vrima të zeza, si Haradinaj, Limaj dhe Mustafa. Sipas mendimit tim, më mirë është ta qeverisin vendin tre politikanë politikisht të lëndueshëm por të dobët, se sa një politikan gjithashtu i dobët në qeverisje, por politikisht katil, si Hashim Thaçi. Pse e them këtë? Ose përse sipas meje ‘tri të këqija bashkë, janë më e mirë se sa një e keqe e madhe?’. Sepse Hashim Thaçi, në njërën anë, duke treguar paaftësi shembullore për të udhëhequr me problemet jetike të vendit tonë, si shëndetësia dhe arsimi, ai në anën tjetër po tregonte zotësi të jashtëzakonshme për ta korruptuar një trup votues që do ta nxirrte të parin në zgjedhje.

Me rritje idioteskte të pagave, apo me shtrim të pafundmë të rrugëve, Thaçi kishte arritur, ose ka arritur, t’i bëjë për vete pak mbi 30 për qind të votave, që i mjaftonin të dilte disa pikë mbi partinë e dytë më të madhe në vend. Kjo i ka mjaftuar atij që të na traumatizojë si shoqëri, si miq të tij, si armiq të tij, si të njohur, si të panjohur, duke na rikujtuar, sa herë që i jepej mundësia ta kishte një gazetar përpara syve, dhe kjo mundësi i jepej sa herë që ai dëshironte, se ai ishte dhe është Kryetari i partisë më të madhe në vend dhe se ai ishte/është lideri më i votuar politik në vend.

Prandaj, sipas meje, një lider, edhe nëse e bëjmë zemrën guri ta quajmë të mirë, si Hashim Thaçi, ishte më i keq se sa tre liderë të tjerë, gjithashtu mediokër, si Mustafa, Haradinaj dhe Limaj. Sepse këta tre të fundit, gjasat ishin të mëdha që t’i ndërronim pa problem çdo katër vite, ose edhe më shpesh. Ndërsa për Thaçin, edhe dekada dukej si plan afatshkurtër.

Por, me Thaçin në pushtet, gjasat sa vinin e po bëheshin më të mëdha, që ai t’i fitonte zgjedhjet, edhe nëse në spitalet tona njerëzit do të vdisnin nëpër korridore, e edhe nëse do ta jetonim ditën, që nuk dukej e largët, që magjistrat e shkencave të mos dinin shkrim e lexim. Nëse keni pasur nerva të më lexoni deri këtu, siç po e vëreni, edhe unë isha militant i një ndërrimi qeverisës. Jo pse dëshiroja ta shihja me çdo kusht PDK’në në opozitë dhe Ramushin Kryeministër, por përse doja me çdo kusht të përfundonte epoka kur edukimi të udhëhiqej nga ministra si Ramë Buja dhe shëndetësia prej ministrave ultrapolitikë, si Agani.

Dhe gjasat ishin të jashtëzakonshme se një gjë e tillë po ndodhte. Se po përfundonte koha e liderëve autoritarë, si Thaçi. Triumvirati, Mustafa, Haradinaj dhe Limaj, në një afat rekord ishin ulur dhe ishin pajtuar që t’i jepnin fund një epoke dhe të nisnin një tjetër. Bukuri e rrallë. U ndanë edhe pozitat. Edhe më bukur. Kishim ngelur duke fërkuar duart në mes të këmbëve nga gëzimi. Tashmë Blloku, si sinonim i unitetit dhe bashkëpunimit po përçonte mesazhe shpresëdhënëse për të gjithë ne. Shpresa më e madhe nuk ishte se Haradinaj po bëhej Kryeministër, por sepse Thaçi nuk do të bëhej më Kryeministër, e bashkë me të do të ikte edhe koha e Bujës, Aganit…

Ky entuziazëm nuk ishte e thënë të zgjaste. Pengesa e parë politike, ose juridike, ketë bllok politik e transformoi në një tullë. Momentumi që ishte krijuar rreth tyre, u zbeh sapo ata dështuan që ta përmbushnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që PDK’në ta pajisnin me pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa për vete ta merrnin atë për të cilin edhe ishin angazhuar – Qeverinë. Pak a shumë, peshku reagon ashtu siç kishte reaguar blloku, kur u përball me krizën e parë serioze. Pra, peshku, si torollak që është, peshk ma!, në momentin që e prekë rrjetën me hundë, në vend se të kthehet mbrapa, ai e vazhdon rrugën më në thellësi të rrjetës, derisa ngatërrohet fatalisht në kurthin e gjuetarit. Ngjashëm vepruan edhe tre peshqit e bllokut.

Në vend se të reflektonin në momentin kur Gjykata Kushtetuese ua dha zgjidhjen dhe kur Bashkësia Ndërkombëtare e përkrahu atë, Blloku vendosi të mos reflektonte. Por e vazhdoi rrugën drejt rrjetës. Për më tepër, në një formë shantazhi, posaçërisht për Bashkësinë Ndërkombëtare, vendosi që t’i jepte një hapësirë të madhe në aleancën e tyre Lëvizjes Vetëvendosja. Për hir të ca pak numrave më shumë, për shembull, vendosën që ta trembnin Washingtonin dhe Brukselin, duke ua garantuar negociatat me Serbinë, ekstremistëve të Lëvizjes Vetëvendosja.

Një hap të tillë, kaq fatal, Bllokut ka mundur t’ua sugjerojë vetëm Hashim Thaçi. Duke pasur numra më bollëk, e një fleksibilitet arab, Blloku, prej shtatorit e tutje, të vetmet armë që përdorte ishin kërcënimet. Dhe ky ishte momenti, kur të gjithë miqtë e Bllokut, ku e shihja edhe veten me të dyja këmbët, filluan të shqyrtonin aleancën me ta. Tek e fundit, pjesëtarët e Bllokut bëheshin edhe më komikë, sa herë provonin të na bindnin se flirti i tyre me LVV’në ishte i përkohshëm; se LVV’ja nuk do të jetë në Qeveri, e marrina të tjera.

Nëse ishte kështu, atëherë përse fare u nevojiteshin këta ekstremistë? Përse i duhej anëtarëve të Bllokut të futeshin në një aventurë përplot gënjeshtra dhe intriga? Kënd po e gënjenin ata? Ne, shumicën shqiptare; bashkësinë ndërkombëtare, Ambasadën? Apo Lëvizjen Vetëvendosje? Pra, derisa në korrik dhe në gusht, loja ishte shumë e thjeshtë: mjaftonte që ta kishin votuar në krye të herës kandidatin e parë të PDK’së për Kryetar të Kuvendit, Agim Aliun dhe të kërkonin të implementohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese që herën e dytë për Kryeministër të nominohej Ramush Haradinaj, ose Isa Mustafa. Duke synuar që të kapnin çdo gjë, edhe Kryetarin e Kuvendit, edhe Kryeministrin e edhe Presidentin, Blloku, sipas mendimit tim, tashmë pothuajse e ka humbur edhe teorikisht shansin që ta marrë, qoftë edhe Kryeministrin. Kështu, tre strategët: Haradinaj, Mustafa dhe Limaj, një lojë të thjeshtë e komplikuan banalisht, kur si formë kërcënimi ndaj të gjithëve i ftuan në valle edhe ekstremistët e LVV’së.

Dhe dihej që në fillim se LVV e ka vetëm një synim, që krizën ta zgjidhë në rrugë, siç e bënë të ditur edhe tash së fundmi. E tash? Asnjë lajm të mirë për Bllokun. Në vend se ta argëtonin PDK’në me një pozitë krejtësisht simbolike, si ajo e Kryetarit të Kuvendit, tash përfaqësuesit e Bllokut e kanë rrasur veten në një krizë të tmerrshme. Kundër tyre, më shumë se kushdo tjetër, është duke luftuar koha. Atyre u kanë ngelur edhe pak ditë në dispozicion, hajde të themi edhe nja 15 ditë në maksimum, ose t’i formojnë institucionet, ose të përballën me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga Presidentja e vendit.

Ekspertët tregojnë se afati i fundit kur duhet të mbahen zgjedhjet duhet të jetë 31 dhjetori, në mënyrë që pastaj të arrijmë në kohë që të kemi institucione që do të merreshin me buxhetin. Presidentja, nuk duket që do të rrezikojë të presë më gjatë se sa 15 nëntori për t’i shpallur zgjedhjet. Shto këtu ofendimet që asaj i janë bërë nga Blloku, nuk duket që e njëjta do të ketë ndonjë simpati shumë të madhe që t’u japë më shumë kohë.

Gjatë gjithë këtyre muajve, pjesëtarët e Bllokut, pa kurrfarë takti, krijuan armiq gjithandej. Dhe tash kur atyre më së shumti i duhen, ata nuk mund të llogarisin në askënd. Para vetes i kanë edhe këto 15 ditë. Dhe këto janë absolutisht pak, kur kihet parasysh se si i çuan poshtë këta 4 muaj. Tashmë nuk kanë kohë as për t’ia dhënë PDK’së Kryetarin e Kuvendit dhe për të marrë Qeverinë. Tash kanë kohë vetëm për t’u nënshtruar para PDK’së. Kanë kohë vetëm për të arritur një koalicion të gjerë.

SHKARKO APP