Lajmi i keq: Ndërkombëtarët vetëm 2 vjet te Byroja Kombëtare e Hetimit

Por historia shqiptare ka treguar se politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar e kanë gjetur gjuhën me këdo që ka qenë në prokurori apo gjykata, pavarsisht trajnimeve dhe përbetimeve të kujtdo që kanë qenë në krye të këtyre të fundit…

Nga Eduard Zaloshnja

Dje qarkulloi në mediat online një lajm se tri partitë kryesore kishin bërë një kompromis për të nxjerrë jashtë loje monitoruesit ndërkombëtarë nga funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe prandaj e votuan ligjin për krijimin e saj me 122 vota nga 124 deputetë të pranishëm në votim. Gjithashtu mediat raportuan se përfaqsuesi amerikan i OPDAT-it i kishte paralajmëruar ligjvënësit shqiptarë se, me këtë manovër, rrezikohej ndihma financiare amerikane dhe ndihma e FBI-së për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Sot JAVANEWS raporton se ka komunikuar me burime të sigurta brenda Kuvendit të Shqipërisë, të cilat kanë sqaruar se neni që lidhej me monitoruesit ndërkombëtarë thjesht ka kaluar në dispozitat kalimtare, dhe se kjo zhvendosje është rakorduar me partnerët ndërkombëtarë. Sidoqoftë, JAVANEWS nuk ka komunikuar me përfaqsues të këtyre të fundit.

Por pavarsisht sesi kanë rrjedhur ngjarjet që kanë çuar në miratimin me konsensus pothuaj të plotë të ligjit mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, e rëndësishme është ajo që është votuar me 122 vota në Kuvend. Dhe ajo që është votuar nuk përbën një lajm të mirë për Shqipërinë!

Në nenin 57, pik 9 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” shkruhet:

“Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.”

Siç shihet qartë nga ky tekst, ekspertët amerikanë dhe europianë do të ndihmojnë për ngritjen dhe trajnimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit vetëm në 2 vjetët e para. Më pas, ajo duhet ta vazhdojë punën “me forcat e veta”. Duke kujtuar se edhe ndihma ndërkombëtare për shoshitjen (vettingun) e sistemit të drejtësisë do të jetë e kufizuar në kohë, mund të thuhet se ndërkombëtarët kanë pranuar që ndikimi i tyre të kufizohet vetëm te reformimi i sistemit të drejtisisë dhe të mos shtrihet te funksionimi i mëtejsjhëm i sistemit të reformuar.

Por historia shqiptare ka treguar se politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar e kanë gjetur gjuhën me këdo që ka qenë në prokurori apo gjykata, pavarsisht trajnimeve dhe përbetimeve të kujtdo që kanë qenë në krye të këtyre të fundit. Që mosndëshkueshmëria të merrte vërtet fund në Shqipëri, do të duhej që misioni ndërkombëtar të vazhdonte të ndihmonte (nënkupto drejtonte) hetimin e dosjeve të mëdha të korrupsionit dhe të krimit të organizuar deri në antarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Ndoshta vetëm kështu do të ndodhte në Shqipëri ajo që ka ndodhur në Kroaci e Rumani, ku ish-kryeministra e ish-ministra të rëndësishëm kanë përfunduar në burg.

Në fakt, ka precedentë të një misioni të zgjatur ndërkombëtar në ndihmë të luftës ndaj pandashkueshmërisë në një vend pjestar të OKB-së. Në Guatemalë, një vend me antarësi të plotë në OKB, Komisioni Ndërkombëtar Kundër Pandëshkueshmërisë ka 9 vjet që ndihmon (nënkupto drejton) hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta, dhe mandati i tij përfundon në fund të 2017-ës, me të drejtë rinovimi. Gjatë këtyre viteve, presidenti që firmosi vajtjen e këtij komisioni në Guatemalë, si dhe ministri i brendshëm i atëhershëm e funksionarë të lartë të shtetit, kanë përfunduar në burg…

Një komision i ngjashëm ka filluar punë vjet edhe në Haiti, dhe mandati i tij është afatgjatë. Do të ishte një ndihmë e madhe për Shqipërinë që edhe monitorimi ndërkombëtar i Byrosë Federale të Hetimit të ishte afatgjatë! Respublica.al

SHKARKO APP