Lamtumirat e trishta dhe Ngjarjet Kulturore më të komentuara të vitit 2017-të
Nga Albina Gjergji
Viti 2017 padiskutim ka qenë një vit shumë aktiv në sfera të ndryshme të jetës. Në Politikë, Media, Sport, Ekonomi, Teknologji, Religjion, etj.. Për Artin dhe Kulturën gjithashtu mund të themi të njëjtën gjë. Shumë aktivitete kulturore me kryefjalë Librin, Teatrin, Kinemanë, Festivalet, Ekspozita, etj., janë lakuar gjërësisht në media si suksese dhe që kanë ngacmuar kuriozitetin e publikut.
Duke mos e marrë si të mirëqenë, por parë me mprehtësi, një jehonë e këtyre sukseseve duket se kanë qenë edhe rrjetet sociale, në të cilat mijëra frekuentues online ndajnë opinionet e shumta mbi X aktivitet a personazh.
Sigurisht, veç sukseseve, për cilat vlen të shkruhet në çdo kohë ka patur edhe prej atyre ngjarjeve kulturore mesatarisht të mira dhe prej atyre që për arsye të ndryshme nuk kanë arritur pritshmërinë e duhur, megjithatë kjo i përket një site më të imtë kritike a diskutimi.
Më poshtë do të radhisim disa prej ngjarjeve kulturore më të suksesshme të vitit 2017 si një përmbledhje e përgjithshme, aspak me karakter selektues, veçues a diferencues.
Kurrsesi në këtë artikull nuk do mund të linim pa përkujtuar edhe Lamtumirat më të trishta të Artit Shqiptar; ndarjet nga jeta të disa prej figurave më me ndikim në Letërsi, Kinematografi, Albanologji, Mjekësi, Gazetari, Muzikë…
10 vjet pa At’ Zef Pllumin, konferencë shkencore në përkujtimin e tij
Shtatori i këtij viti shënoi 10 vjet pa At Zef Pllumin, një nga figurat më emblematike të Kishës françeskane dhe zërit më të fortë të antikomunizmit. Në përkujtim të tij, në qytetin e Shkodrës u mbajt një konferencë shkencore në Kishën Françeskane. Në këtë aktivitet referuan emra të njohur nga bota akademike, shkencore dhe ajo e religjionit, nga ku edhe u prezantuan për herë të parë 8 botime të plota të Pader Zefit, përfshirë edhe librin e tij të famshëm “Rrno vetem për me tregue”. At’Aurel Gjerkaj, (i cili i qëndroi pranë At’Zef Pllumit deri në momentet e fundit të ndarjes nga jeta), drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, akademiku, Sabri Hamiti, Mark Marku, Keda Kaceli, (përkthyesja ekskluzive e veprës së At Zef Pllumit në gjuhën italiane), Ledri Kurti, Evalda Paci, Pedagoge, etj.. ishin disa nga emrat që e nderuan me kumtesat e tyre figurën e ndritur të At Zefit. Me rrëfimin e saj, znj. Kaceli preku të gjithë të pranishmit, jo vetëm duke pasqyruar me detaje njohjen me At Zef Pllumit, por edhe me publikimin për herë të parë të korrespondecës së saj me fratin, i cili ia besoi dhe la amanet jehonën në gjuhën italiane të Biblës së dhimbjes, “Rrno për me tregue”.
“Panairi i Librit” dhe fituesit e vitit 2017-të
Me shumë nuanca të ngjashme nga Panairi i vitit të kaluar ka qenë edhe ky i sivjetmi i mbajtur si çdo edicion në hollin e Pallatit të Kongreseve. Me një numër të lartë vizitorësh, promovimesh të ndryshme, si dhe me ndarje çmimesh, ky edicion e uli siparin më datë 18 nëntor. Panairi i sivjetëm, “Tirana 2017”, ndër të tjerë figura u vizitua edhe nga presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili theksoi që në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës, të hiqet automatikisht çdo pengesë për qarkullimin e librave mes dy vendeve. Njëherësh vlen për t’u theksuar që, ky edicion i Panairit të Librit u hap me afishet që bënin thirrje për zbritjen e tatimit mbi librin dhe honoraret e shkrimtarëve. Fitues çmimesh në “Panairin e Librit 2017” (për autorë e shtëpi botuese) u shpallën Betim Muço “Autori i vitit 2017”, Agron Alibali për “Vepra më e mirë studimore”, Diana Çuli “Përkthyesi i vitit”, si dhe Persida Asllani për “Letërsia artistike për fëmijë.
Rikthimi dhe shkëlqimi i Reshat Arbanës në Teatër
Rikthimi në skenë i aktorit të madh, Reshat Arbana është konsideruar suprizë e bukur për spektatorin e Teatrit Kombëtar. Ka qenë pikërisht “Babai”, një vepër e jashtëzakonshme e romancierit dhe dramaturgut francez, Florian Zeller, ajo çka bëri të ngjitej sërish në skenë aktori i njohur, Reshat Arbana. Përkrah tij interpretuan; Elia Zaharia, Flaura Kureta, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi. Vepra “Babai” erdhi nën regjinë e Spiro Dunit dhe në qendër të veprës ishte historia e një burri të moshuar me demencë. Vepra “Babai” është fituese e çmimit “Molier” për vitin 2014. Drama “Babai” konsiderohet si “drama më e fuqishme botërore e dhjetëvjeçarit të fundit”.
Festivali i RTSH-së shpall fitues të padiskutueshëm talentin, Eugent Bushpepa
Ka qenë padiskutim një nga ngjarjet kulturore më të bukura të vitit 2017 dhe mund të thuhet me plot gojë që edicioni i 56-të renditet ndër më të shkëlqyerit në 27 vite demokraci. Të paktën si i tillë është parë nga organizatorët, nga media, publiku i gjerë dhe komentuesit e panumërt nëpër rrjetet sociale. I konceptuar si një festë notash muzikore dhe dritash, si dhe me një pjesëmarrje cilësore konkurrentësh, ky Festival në edicionit e 56-të të tij riktheu në skenën e Pallatit të Kongreseve këngëtarët BIG, si Elton Deda, Manjola Nallbani, Redon Makashi, Bojken Lakon, Akullthyesit, Orgesa Zaimin, etj.. Njëherësh artistëve të rinj ju dha hapësirë për të promovuar talentin e tyre dhe shijuar duartrokitjet e publikut. Por përveç prurjeve “bombë” në konkurrim dhe detajeve të tjera mjaft të gjetura nga ideatorët, Festivali i 56-të i Radio Televizionint Shqiptar do të mbahet mend edhe për mjeshtërinë e të prezantuarit të Adrian Krastës. Në këtë edicion ai nuk prezantoi i vetëm, por dyshe. Duke risjellë në vëmendjen tonë disa prej figurave më interesante, që jo domosdoshmërisht kishin lidhje me artin e të bërit muzikë, ai i ngjiti në skenë CV-i të tilla, si ajo e Zhaklina Dhimojanit, Rudina Magjistarit, Eni Vasilit, Enkel Demit, Adelina Ismailit, Klea Hutës, etj., me të cilët edhe bashkëprezantuan këngët. Në natën finale, Adi Krasta prezantoi përkrah moderatores së njohur, Jonida Shehu.
Pas tre netësh maratonë, fitues i padiskutueshëm i këtij edicioni u shpall Eugent Bushpepa me këngën “Mall, një kompozim i vetë artistit, sikurse edhe vargjet e tekstit, të cilat i ka shkruar po vetë ai. Siç kurrë më parë nuk kishte ndodhur, ky vlerësim i jurisë së Festivalit të RTSH-së ishte unanim dhe në po të njëjtën gjatësi vale me publikun dhe median në tërësi. Të gjithë donin Eugent Bushpepën. Një fitore shumë e merituar kjo, që e çon ekskluzivish atë në Eurovizion për të përfaqësuar Shqipërinë. Në vendin e dytë u rendit Redon Makashi, me këngën “Ekzistoj” dhe në vendin e tretë, 16-vjeçarja nga Elbasani, Inis Neziri.
Ndër disa befasi të Fest-56, shumë e duartrokitur ka qenë edhe ardhja në Shqipëri e këngëtarit italian, Riccardo Cocciante, përshëndetja e veçantë e Elsa Lilës, si dhe takimi i ish-trajnerit italian të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Gianni De Biasi me atë aktual, Christian Panucci. Festivali i 56-në RadioTelevizionin Shqiptar konsiderohet një sukses i madh i këtij viti sa i takon ngjarjeve kulturore më të komentuara për 2017-ën.
Kënga Magjike, Anxhela Peristeri merr çmimin e parë
Festivali, “Kënga Magjike” është gjithashtu një ngjarje e bukur e vitit që organizohet nga kantautori dhe prezantuesi i mirënjohur, Ardit Gjebrea. Një kompeticion që padyshim rrok rreth vetes artistët më të mirë të tregut muzikor. Pjesëmarrja e tyre ka qenë e lartë edhe këtë vit në “Kënga Magjike 2017”. Emra si; Stine, Elhaida Dani, Fifi, Stresi, Anxhela Peristeri, Samanta Karavella, Rovena Dilo, Çiljeta Xhilaga, etj. janë vetëm disa nga besnikët e kësaj ngjarjeje muzikore që u mbajt në muajin nëntor. Ky edicion i “Këngës Magjike” duhet thënë që ka shkëlqyer edhe në prezantim. I ideuar me disa bashkëprezantues kjo formulë pati një impakt pozitiv në audiencë. Publiku mirëpriti jo vetëm Ardit Gjebrean, i cili është babai dhe bërthama e “Këngës Magjike”, por mirëpriti edhe dy partneret e tij në prezantim, Nevina Shtylla dhe Arjola Shehajn. Spektakël dhe të qeshura pafund kanë shkaktuar edhe dy aktorët e humorit, Bes Kallaku dhe Erion Isai, të cilët janë konsideruar si lezeti i Festivalit.
Fituese e këtij edicioni të “Këngës Magjike” u shpall këngëtarja Anxhela Peristeri me këngën, “E çmendur”. Firmën për tekstin e kësaj kënge, e cila u mirëprit menjëherë në publik e mban Olti Curri, ndërsa për muzikën Kledi Bahiti. Në vendin e dytë u pozicionua shkodrania Elhaida Dani dhe në vendin e tretë Fifi. Një ngjarje brenda ngjarjes ka qenë edhe interpretimi për herë të parë i Gjebreas me Anën në skenën e “Kënga Magjike 2017” me këngën “Për ty”. Një dedikim ky i babait për të bijën.
Një vit i suksesshëm si ai i Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental
Teatri Kombëtar, i drejtuar nga Hervin Çuli dhe ai Eksperimental i drejtuar nga regjisori i mirënjohur Kiço Londo, këtë vit duket se kanë ditur si ta ndezin raportin mes institucionit dhe publikut.
Shfaqja, “Lukrecia Borgia”, vepër që mban firmën e Viktor Hygoit ka arritur të marrë vlerësime maksimale jo vetëm për ngjarjet që trajton, por edhe për lojën e mrekullueshme të aktorëve si; Luiza Xhuvani, Artan Imami, Xhino Musollari,Vasjan Lami, Indrit Çobani, Lulzim Zeqja, Genti Deçka, Gent Hazizi dhe Marsel Rupi. “Equus”, një ndër veprat me kontraversale të dramaturgut Petter Shaffer mund të thuhet se ka patur jehonën më të madhe nëpër rrjetet sociale. Emra shumë të njohur të artit shqiptar dhe të tjerë më të rinj si; Ema Andrea, Arben Derhemi, Krist Lleshi, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli dhe Ermir Jonka kanë bërë që shfaqja të renditet ndër më të ndjekurat. Për “Zbutja e kryeneçes”, një komedi nga William Shakespeare mund të themi gjithashtu se ka qenë një shfaqje e mirëpritur, pasi këtë vit ajo udhëtoi drejt Kinës. Regjisorja e kësaj shfaqjeje, Elma Doresi e ka shijuar në maksimum punën dhe suksesin që publiku i veshi “Kryeneçes”. Teatri Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli” numëron suksese të njëpasnjëshme teatrale. Nën drejtimin e mjeshtrit, Kiço Londo padyshim që edhe “Eksperimentali” ka lënë gjurmët e veta në këto 365 ditë të vitit. Ky teatër ka shfaqur për publikun vepra të mëdha autorësh vendas dhe të huaj, si dhe ka arritur të grishë kureshtjen e publikut me zgjuarsi. Më e fundit shfaqje, e cila po jepet edhe këto ditë është ajo e titulluar, “Rojat e Taxhit” e sjellë nën regjinë e Altin Bashës. E quajtur si komedi e zezë, me këtë vepër Basha riktheu në skenë pas kaq vitesh aktorin Gazmend Gjoka, i cili interpretoi bashkë me Lulzim Zeqjen. Shfaqje të tjera janë ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar dhe të atij Eksperimental këtë vit, të cilët gjithashtu meritojnë duartrokitje. Nuk mund të lëmë pa përmendur interpretimin e mrekullueshëm të aktorit, Arben Derhemi në “Rrrno për me tregue” të At Zef Pllumit. Në një njoftim të muajit tetor në Facebook, Derhemi shkruante: “Ju pres të gjithëve dhe sy më sy të përjetoni se çdo të thotë “Rrno për me tregue”. Sepse ne edhe pa pranga, asnjëherë në të vertetë nuk kemi qenë të lirë”!
Plot virtuozitet, Primo Shllaku promovon “Muzikantët”
Poeti i njohur shkodran, mjeshtër i penës, përkthyes e lektor i nivelit të lartë, pasardhës i një familjeje të nderuar shkodrane, i biri i regjisorit të madh, Artistit të Popullit Lec Shllaku dhe nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku, në nëntorin e këtij viti promovoi librin e radhës, të titulluar “Muzikantët”. Ky botim i Primo Shllakut solli një përmbledhje tregimesh që flasin për të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar. Novela “Muzikantët”, nga edhe ka marrë titullin vepra zë pjesën më të madhe të librit, ndërsa tregimet e tjera janë: “Loja”, “Unaza”, “Pema në mes të sheshit” dhe “Të nesërmen e barbarëve”.
Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16 dhjetor të vitit 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi shqipe, me propozim të Pr. Dr. Eqerem Çabej, emërohet pedagog pranë këtij universiteti, por më pas emërimi anulohet. I propozohet një vend në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit (sot Universiteti, “Aleksandër Xhuvani”), por ai detyrohet të refuzojë për arsye se familja e tij transferohet në Shkodër. Punon si mësues në zonën e Shllakut – Shkodër, prej aty në shkollën pyjore e më pas në atë industriale.
Ai është djali i Artistit të Popullit Lec Shllaku dhe nip i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku. Që në fillimet e viteve ‘90, Primo ka jetuar dhe punuar si mësues frëngjishteje në Greqi, ndërsa sot jeton dhe punon në Tiranë. Është autor i disa veprave poetike, por ndër më të më të rëndësishmet janë vëllimet poetike, “Lule nate” dhe “Hana e njelmët e ditës”.
Ismail Kadare dhe ëndrra e tij për një Nobel
Ndarja e çmimeve “Nobel” si çdo vit edhe këtë herë është komentuar jashtëzakonisht shumë. Kështu, të gjithë kemi patur mundësinë të njihemi me komente, preferenca e qëndrime te ndryshme nga lexuesi më i thjeshtë der tek ai kritik. Kjo edhe falë impaktit të gjerë që rrjetet sociale kanë në publik. Në Letërsi këtë vit Akademia suedeze u duk se e suprizoi lexuesin botëror me çmimin që i dha novelistit britanik, Kauzo Ishiguro. Kjo ndoshta edhe për faktin se emra të tjerë lakoheshin si konkurrentë më të fortë, sesa Ishiguro. Kandidat për çmim “Nobel” ishte edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, për të cilin ky çmim do të vazhdojë të ngelet ende një ëndërr. Të paktën deri vitin e ardhshëm në edicionin e radhës, ku shpresa edhe mund të ringjallet. Kandidatë të tjerë për çmimin prestigjioz ishin edhe autorja kanadeze, Margaret Atëood, Jon Fosse nga Norvegjia, Antonio Lobo Antunes nga Portugalia, Javier Marias nga Spanja etj.. Në deklaratën zyrtare, Akademia suedeze shkruan se Ishiguro është autor i disa romaneve me fuqi të madhe emocionale dhe se ka zbuluar humnerën mes ndjenjave njerëzore dhe botës.
LAMTUMIRAT – IN MEMORIAM
Ikja e këngëtares së madhe, Anita Take
Në janarin e këtij viti u shua edhe këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, Anita Take. Vdekja e një këngëtareje si znj. Take ishte padyshim një lajm që dëshpëroi dashamirësit e këngës së saj, të cilët nuk i përkisnin vetëm brezit të viteve ‘60-‘70, por edhe gjeneratave më të reja. Këngëtarja e madhe Anita Take me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare. Ajo u ngjit në skenë para 50 vitesh, por vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën e saj artistike. Përveç zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër, sepse u njoh dhe lidhi jetën me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga Presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.
Ndërron jetë në moshën 85-vjeçare shkrimtari i madh, Dritëro Agolli
Të premten e zezë të datës 3 shkurt të vitit 2017, një lajm i trishtë pushtoi mediat shqiptare, “Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare, shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli”. Lajmin e bënë të ditur familjarët e shkrimtarit, të cilët gjithashtu sqaruan që ditët e fundit të jetës së tij, Agolli fatkeqësisht i kaloi i shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Me veprimtarinë e tij, Agolli konsiderohet pa frikë një ikonë e letrave shqiptare. Lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petërsburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për 30 vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj.. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur për lexuesit bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ‘60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën. Ai mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.
Françesk Radi, hemoragjia cerebrale i merr jetën artistit të madh
Në muajin mars, pas disa javësh i shtruar në spital këngëtari dhe kompozitori i njohur Francesk Radi humbet betejën me sëmundjen. Ai u shua pas një hemoragjie cerebrale që pësoi më 27 mars. Radi iu nënshtrua një kujdesi intensiv, por shpresat për mbijetesë u fikën dalëngadalë. I diplomuar në Akademinë e Arteve, Françesk Radi është i mirënjohur për publikun shqiptar jo vetëm si këngëtar, por edhe si kompozitor dhe instrumentist. Ai i përket brezit të arstistëve të viteve ‘70, të cilët në kundërshtim me dogmat e regjimit komunist u përpoqën të sillnin një erë të re në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht pop-rrokut. Dy këngët që e bënë të njohur për dashamirësit e muzikës ishin “Adresa” dhe “Biçikleta”. Me zërin e tij fantastik, Radi u bë pjesëmarrës i shumë festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, përfshirë këtu edhe Festivalin e 11-të në vitin 1972, ku interpretoi këngën “Kur dëgjojmë zëra nga bota”. Françesk Radi kreu Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve, në Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Tiranës me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht edhe si kantautor. Në vitin 1992 filloi punë në Radio Tirana si solist, instrumentist dhe gjatë kësaj kohe ka kompozuar e kënduar shumë këngë në festivale të ndryshme. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ‘90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët; “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o”, etj., të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Pas një lufte të gjatë me sëmundjen, shuhet aktorja Hajrie Rondo
Pas një lufte të gjatë me sëmundjen e rëndë dhe pas terapive intensive, më datë 9 shtator ndërroi jetë, aktorja e jashtëzakonshme, Hajrie Rondo. Në moshën 66-vjeçare ajo i dha lamtumirën kësaj bote, për t’u kujtuar gjithmonë nga ne si aktorja me plastikë të veçantë dhe për interpretimet gjithë class të karaktereve të ndryshme. Rondo ka një karrierë të gjatë në kinematografinë shqiptare. Ajo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma. Ka lindur më datë 1 mars 1951 në Delvinë. Një ndër rolet e spikatura të Rondos, është ai i Tanës tek filmi “Përrallë nga e kaluara”, ose siç njihet ndryshe “14 vjeç dhëndër”. Disa nga shprehjet më të bukura që aktorja ka thënë janë ato si, “Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur”, “Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë”.
Lamtumirë Adelajda Xhamani, gazetare dhe mike e mirë
Ka qenë një nga lajmet më tronditëse dhe që për ditë me radhë ka mbajtur nën gjendje shoku familjarët, miqtë, kolegët dhe gjithë shqiptarët që mësuan lajmin e ndarjes nga jeta të gazetares së njohur, Adelajda Xhamani. Një ikje e beftë dhe e padrejtë, një ikje nga ato më të pabesat dhe të nxituarat. Gazetarja Xhamani u nda nga jeta si pasojë e një arresti kardiak rreth orës 4:00 të mëngjesit të datës 29 tetor. Prej vitesh Adelajda punonte në shtypin rozë. Ajo mbante aktualisht postin e kryeredaktores në një revistë, ndërsa së fundmi kishte nisur edhe një projekt të ri televiziv. Adela ka punuar edhe pranë “Focus Media Group”, fillimisht pranë suplementit “Bluetooth” dhe më pas në emisionin e mëngjesit “Vila 24” në News 24.
Një ikje e papritur si ajo e mjeshtrit, Aleksandër Lalo
Edhe ikja e virtuozit, Aleksandër Lalo ka qenë një nga ato të papriturat që lënë me gojë hapur. Kjo edhe për faktin, se një natë para se të përcillej për në banesën e fundit, transmetohej spektakli “C’est la vie”, ku Lalo ishte edhe anëtar jurie. Për disa orë publiku nuk po e besonte lajmin e keq që pushtoi portalet shqiptare, sepse në ekranin e tv Klan vazhdonte të transmetohej spektakli, i cili më vonë u mësua se ishte me regjistrim dhe se Lalo kishte ndërruar jetë atë të diel, të datës 19 nëntor 2017. Aleksandër Lalo mbetet një nga kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë, i cili ka kompozuar muzikë për filma të njohur të kinematografisë shqiptare. Ai lindi më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë dhe vinte nga një familje me origjinë nga Leskoviku. Gjatë konkurrimit me kompozimet e tij në festival të ndryshme, kryesisht ka arritur vende të dyta edhe pse meloditë e tij janë ndër më të preferuarat e publikut.
Robert Elsie, paqe për albanologun e mirë dhe dashnorin e gjuhës shqipe
Në moshën 67-vjeçare u nda nga jeta albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie. Ai vdiq mëngjesin e datës 2 tetor të këtij viti në qytetin e Bonnit në Gjermani. Elsie ndërroi jetë për shkaqe natyrale. Ai ishte dhe mbetet padyshim emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit 21. I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët fillimisht gjatë viteve ‘70-të, kur si student në Gjermani vizitoi për herë të parë bashkë me një grup studentësh Tiranën. Ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike, ku mbaroi studimet e filologjisë klasike dhe të gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor, në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku mbrojti doktoraturën më 1978. Që nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e takimeve shkencore midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. Ishte anëtar i Shoqatës së Evropës Juglindore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të prehej në Shqipëri.
Në moshën 92-vjeçare ndërron jetë Kasem Trebeshina
Pena e hollë dhe e njohur, Kasem Trebeshina ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare më datë 6 nëntor të këtij viti në Ankara, ku edhe jetonte tek vajza e tij. Trebeshina lindi më 8 gusht të 1926. Studimet i filloi në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu përkushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Kasem Trebeshina ishte nëngjyqtar, student i regjisë, dramaturg, poet e romancier shqiptar. Cilësohet si personazh “problematik”, veprat, thëniet dhe qëndrimet e të cilit kanë ndjellur mjaft debate publike.
Ndahet nga jeta në gushtin e këtij viti, kardiologu Ylli Popa
Mjeku i njohur kardiolog dhe akademiku i mirënjonjur, Ylii Popa u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare. Për një periudhë 10-vjeçare ai drejtoi Akademinë e Shkencave. Humbi jetën pas një gjendjeje të rënduar kronike të shëndetit më 16 gusht të këtij viti. Për vite me radhë Ylli Popa ka qenë edhe mjek i ish diktatorit famëkeq, Enver Hoxha. Ylli Popa u lind në një familje me tradita intelektuale dhe kombëtare në qytetin e Elbasanit në vitin 1930 dhe konsiderohet si një nga intelektualët që ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm në reformimin e shkencës shqiptare.