Laviret e vërteta janë seksi dhe flasin vetëm për moral
Nga Lorenc Vangjeli
Policia në fillim, por edhe prokuroria dhe gjykata identifikuan, goditën dhe shkatërruan një rrjet kriminal që kërcënonte sigurinë morale të shoqërisë shqiptare. Ky rrjet i krimit të organizuar, nëpërmjet mashtrimit, kishte shndërruar në një yll fatal seksi një vajzë të zakonshme fshati. E kishte vizatuar si bionde dhe me numër të madh të gjimbajtëseve, fiks siç e kërkon ëndrra duarartë e mashkullorisë ballkanase.
Kjo është historia e ditës së sotme. Eshtë historia e javës, ndoshta e muajit. Deri sa të ndodhë një histori e ngjashme me të dhe kjo të harrohet. Detaji tjetër, se vajza nga fshati, Enertila e maskuar si bionde seksi, kishte shndërruar në derdimen, Barushin e saj edhe platonik, edhe virtual, është hollësi pa shumë rëndësi. Edhe fakti që ajo lloj dashurie i kishte kushtuar ditëziut Barush nja 60 milionë lekë të vjetra (çudi e madhe sesi e ka llogaritur këtë shumë të shpenzuar në emër të dashurisë në dy vite), është sërish një hollësi pa rëndësi. Problemi është që Enertila e Manzës nuk është i njëjti person me atë që i kishte huazuar fotografinë në Facebook.
“Edhe e shëmtuar, edhe morri gjithë ato lekë”; vendimi penal i gjykatës dhe gjykimi moral i shoqërisë tashmë është fiksuar.
Ajo do të jetë fajtore penalisht dhe moralisht.
Enertila e vërtetë nuk është seksi, nuk është bionde dhe as nuk është kliente në klubet e ish-bllokut gjatë mbasdites dhe në gjysëmerrësirën e tallavasë gjatë natës.
Nuk konsumon Cannabis për nevojë dhe kokainë e shampanjë për modë. Nuk është as modele, balerinë, këngëtare, “politikane”, me demek VIP, siç thuhet në gjuhë të jashtme, nga ato që veshin rrobat e banjos në mars dhe i mbajnë zhveshur plazheve të dynjasë deri për Vit të Ri.
Herën e parë që ajo u shfaq publikisht, nuk ishte as nga fotot që gjoja paparacët i kapin në plazh apo redaksitë e portaleve i gjëmojnë në instagram e gjetkë, por nga kronikat televizive në gjykatë. Historia e saj e dashurisë virtuale me Barushin real, nuk i ngjan telenovelave që ndjekin shtëpiakët/et shqiptare, që nisin me lule dhe përfundojnë me ndryshimin e statusin në Facebook.
Eshtë vështirë të gjendet kush është viktima e kësaj historie, kush duhet të qahet dhe me kë mund të qeshet?
Eshtë viktimë Barushi që jetoi dy vjet me ëndrrën se do të kishte shërbimet bashkëshortore dhe shpirtërore të një femre që e kishte parë vetëm në Facebook? Që në këmbim të tyre i kishte blerë dhurata, të cilat i kishte regjistruar në një defter një më një sikur të ishte taksidar osman?
Apo viktimë është Enertila që jeton në Manzë? Që lexonte në internet se të kishe fatin e gjoksit të madh nën sutjena, mund të bënte një jetë përrallash ajo dhe prindërit e saj të varfër. Domethënë, mund të kishin një televizor, mund të lanin rrobat me lavatriçe dhe të mbanin të ftohtë në frigorifer ujin e pusit të shtëpisë.
Për shtetin shqiptar nuk ka asnjë dilemë. Enertila duhet vrarë me gurë. Dhe gurët mbi të duhet t’i hedhë çdo drejtor policie, prokuror, gjykatës, politikan, çdo VIP nga Tirana, tatëpjetë e përpjetë saj, që nuk ka qenë asnjëherë në jetë edhe Barush, edhe Enertilë.
Vajza nga Manza duhet mbyllur në qeli se ka grabitur me mashtrim. Në një shoqëri hipokrite, thellësisht hipokrite në këto punë morali si shoqëria shqiptare, Enertila është djalli që duhet kryqëzuar sepse ajo gënjeu për pamjen e saj.
I vetmi ngushëllim për Enertilën duhet të vijë andej nga ajo nuk e pret, nga një proces i drejtë dhe i ndershëm gjyqësor, siç ja garanton kushtetuta. Në këtë rast, akuza ndryshon: nuk je e bukur dhe nuk i meriton ato para! Nëse ajo do të ishte seksi dhe e bukur, do të zgjidhte vetë se çfarë do të ishte, këngëtare, balerinë, modele, blogere. Madje edhe politikane. Dhe atëherë do të meritonte jo vetëm 60 milionë lekë emigrantësh që ja morri një drejtori naiv administrate, por shumë më shumë. Do të kishte nder. Do të kishte dinjitet. Dhe nëse dikush do ta quante “K..rvë”, mbas kurrizit të bukur me prepotencën e ballkanasit “maço” , gjithkush tjetër do të nxitonte ta mbronte: Eshtë alamet K..rve!
Dhe do të ëndërronte të kishte mundësitë për t’ja blerë ca çaste në shtrat. Me çdo çmim dhe me të gjitha mënyrat, me të cilat bëhet lekët për të marrë me koncesion hiret e lavires. I bindur se laviret e vërteta janë seksi dhe flasin gjithë ditën për moral. (Javanews.al)