Lazarati në epokën post kanabis
Rrugëve të Lazaratit takon më së shumti gra dhe të moshuar. Shumica të shohin si një të huaj që nuk ka vend mes tyre.
Të moshuarit, mes lojës me letra dhe dominosë, bisedojnë për fshatin, shtetin, policinë dhe të arrestuarit. Sinan Gaba, i cili ka nipin në burg, i shikon të qëllimshme arrestimet e një viti më parë, një frymë kjo që duket se është tek të gjithë.
“Më arrestuan nipin për 300 gramë hashash. Përse..? Edhe unë e pi hashashin”, shprehet Sinan Gaba.
“Mbjellja e hashashit është lënë nga qeveritë e mëparshme. Nuk kishte pse t’i arrestonte njerëzit, të asgjësonte hashashin”, shprehet një banor i Lazaratit.
Prokuria ka nën hetim 116 banorë. Aktualisht në burg janë 90 persona dhe në kërkim 20 të tjerë, jo vetëm për drogë, por edhe për armë dhe kundërshtim të policisë.
Bibo Llakatura, 78 vjeçe, lindur në një lagje, e maruar në lagjen tjetër të Lazaratit, ka djalin në burg.
“Policia gjeti disa fishekë dhe një sasi të vogël hashashi. Për vetëm këto më arrestoi djalin”, shprehet 78-vjeçarja.
Pas viteve ‘90, e moshuara e ndan kohën në dy pjesë, para dhe pas hashashit.
“Mbjellja e hashashit kishte shumë punë. Pastaj farën e tij e blenim me lekë edhe uji ishte me lekë. Një diferencë e pakët na mbetej nga shitja e tij”, shprehet Bibo Llakatura.
Ajo ka ardhur për vizitë tek komshia e saj, e moshuar po ashtu, e cila ka probleme me drejtësinë për shkak të drogës.
“Edhe sikut të na thonë ta mbjellim tani, trembemi pasi na merr policia. Kjo plaka këtu, kishte mbjelle nja dy rrënjë dhe kanë ardhur disa herë ta marrin”, thotë 78-vjeçarja.
E ndërsa kanë mbetur në vend fuçitë e dikurshme ku mbillej hashash, kurse ato pak metra tokë janë mbjellë tashmë me perimet e stinës. Një automjet grumbullon tashmë bimët medicinale që mblidhen në mal nga gratë.
Edhe në qendër të fshatit, shitësja tregon një fletore, ku sipas saj janë shënuar borxhet.
“Kam për të mblehur 12 borxhe. Edhe kjo nëna e mori kafen pa lekë. Na keni bërë si Gërdeci”, shprehet shitësja.
E ndërsa të gjithë dënojnë vrasjen e efektivit Ibrahim Basha, në mure janë shkruar parrulla kundër policisë (fuck police).
Ata pak të rinj që gjen në fshat nuk pranojnë të flasin, pasi siç thonë jashtë kameras nëse flet, në darkë shpallesh në kërkim e në mëngjes arrestohesh. Por një banor mendon se për të rinjtë duhet menduar se si ata të riintegrohen.
Pas përfundimit të epokës së kanabisit, lazaratasit gjenden përballë detyrimit për t’iu përshtatur një tjetër mënyre jetese, e cile duket se më e vështirë është për të rinjtë. Nga tregtia e hashashti është e vështirë që ata të përshtaten me tregtinë e bimëve medicinale apo të perimeve, ku mungesa e tokës dhe ujit e bën realisht të vështirë jetesen.
Epoka e kanabisit për Lazaratin ka mbaruar dhe derisa banorët të gjejnë të tjera mënyra jetese, dikush ka vendosur të mbjellë pa frikë një bimë të vetme kanabisi, si për të mbajtur gjallë kujtimin e një kohe të shkuar./TCH