Lëmosha që vret, si na kërcënojnë donacionet?

Nga ERGYS MËRTIRI 

Qeveria e trumbetoi si një sukses të jashtëzakonshëm grumbullimin e 1.15 miliardë eurove për tërmetin. Mbështetësit e saj u shprehën të ekzaltuar për këtë arritje, ndërsa Kryeministri shpërtheu në mallëngjim gjatë konferencës, duke përfshirë Kuran e Ungjill, në oratorinë e tij të re të mirënjohjes, në stil lypsari. Propaganda, më tej, u angazhua fuqishëm ta paraqesë gjithçka si fitore, të arritur falë një njeriu të vetëm, aftësisë së tij për të bindur botën të na ndihmojë. Në ditët e tij më të zeza, Kryeministri gjen kurajën të marrë poza heroi, duke u rrekur të na bindë se ai bën mrekullira, pa na shpjeguar dot se nëpërmjet cilës magji.

Në fakt, gjithçka është krejt ndryshe, përtej propagandës. Mbi 80 për qind e shumës që qeveria thotë se na u dhurua, është vetëm borxh, të cilin do të duhet ta paguajmë, ndërkohë që aktualisht jemi të zhytur deri në grykë në borxhe. Pyetja që duhej të shtrohej në mënyrë serioze këto ditë është: Cili do të jetë efekti i këtij borxhi në ekonominë shqiptare?

Ka shumë mundësi që e gjithë kjo të rezultojë një kërcënim i madh për ekonominë në kushtet e vështira ku ndodhemi dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë këdo.

Kur Rama erdhi në pushtet, u ankua një vit rresht se Berisha ia kish lënë arkën bosh, duke e zhytur vendin në borxhe. Në fakt, qeveria e mëparshme arriti ta mbajë borxhin publik në një nivel të moderuar, i cili, përgjatë katërvjeçarit të dytë, është sjellë rrotull 60 përqindëshit të PBB-së. Vetëm në vitin 2013, duke qenë një vit zgjedhor, borxhi shkoi në rreth 65 për qind, gjë që u përdor si refren nga Rama, për të justifikuar paaftësinë e për të shfaqur ndryshimet e thella të premtuara.

Por, në vend që ta ulë borxhin, Rama e thelloi atë, duke e çuar në mbi 72 për qind deri në vitin 2016, çfarë e ekspozon ekonominë ndaj rreziqesh të shumta. Por nuk u mjaftua me kaq. Ai krijoi një skemë koncesionesh, PPP-të, ku figurojnë miliona euro, të cilat i shtohen barrës si borxh i fshehur. Llogaritet që me gjithë këto borxhi të shkojë në mbi 80 për qind, të cilat janë vërtet një kërcënim serioz.

Kjo situatë bëhet edhe më problematike kur këto shpenzime duket se nuk kanë shkuar aspak në sektorë që stimulojnë rritjen e ekonomisë. Në një kohë kur kemi një atrofizim të investimeve të huaja, kur kemi një demotivim të biznesit për të investuar, një nivel të lartë taksash dhe informalitet të madh, thuajse asnjë lek nuk ka shkuar në infrastrukturë, e cila mund t’i rikthehet ekonomisë. Paratë kanë shkuar kryesisht për mobilime zyrash, ndërtime bulevardesh, sheshesh e një politikë dekori, të hartuar sipas vizionit të projekteve të rilindjes urbane.

Lajmi se kësaj skeme do t’i shtohen edhe 800 milionë euro të tjera, jo vetëm që nuk është aspak një lajm i mirë, por është një kërcënim që do të duhej të ngrinte peshë gjithë ekonomistët. Kjo do të rriste në mënyrë drastike barrën që qytetarët do të duhet të paguajnë për vite me radhë më pas, duke penguar mundësitë për zhvillim e investime në sektorë të rëndësishëm. Qeveria ka vazhduar të tregojë të njëjtën papërgjegjshmëri edhe në përballimin e situatës së tërmetit. Në vend që të marrë masa për të zbutur peshën e dëmeve në ekonomi, ajo bën të kundërtën, projekton rritjen e shpenzimeve. Logjikisht, ajo do të duhej të reagonte duke ulur shpenzimet, për t’i kaluar disa prej tyre në kompensimin e dëmeve. Ajo mendon se kompensimi nuk bëhet duke ndryshuar fokusin e shpenzimeve, por duke shtuar para të reja në qese, të cilat, në fakt, thjesht ia faturon publikut në kohë, në formën e borxhit që do të duhet ta lajmë për vite me radhë.

Rama nuk heq dorë as nga shpenzimet e luksit. Në mënyrë të papërgjegjshme, menjëherë pas tërmetit, qeveria miratoi një nga koncesionet luksoze më të mëdha dhe më të dyshimta në historinë e investimeve publike në Shqipëri, ndërsa pohoi se asnjë nga koncesionet e parashikuara nuk do të anulohet. Problemi qëndron se në një plan afatgjatë, gjithçka do rëndojë mbi qytetarët, të cilët do të paguajnë faturën, pa llogaritur se kjo situatë mund të shpjerë vendin drejt falimentimit. Por qeverisë shqiptare nuk i intereson kjo, i intereson vetëm politika e ditës, sot për sot. Asaj i duhet një gjithmonë një kamerdare për t’ia hedhur lumit të momentit, pa menduar se po rrezikon vendin.

SHKARKO APP