Liam Neeson dhe e liga brenda nesh
Nga Mustafa Nano –
Aktori i njohur Liam Neeson është duke promovuar filmin e tij të ri që pritet të dalë shumë shpejt, në mos ka dalë. Është filmi me titullin Cold Pursuit. Dhe gjatë një bisede me shtypin, ai foli për një ngjarje të kohëve të shkuara, kur atij i kishte shkuar në mendje të vriste një njeri me ngjyrë, pasi mori vesh se një i tillë i kish përdhunuar shoqen e vet. Pas kësaj ai doli në programin Good Morning America, të televizionit ABC, për ta ndriçuar ca më shumë këtë ngjarje. Ja çfarë tha ai, mes të tjerash. Le ta ndjekim: “Mua më erdhi në mendje një incident që ka ndodhur afro 40 vjet më parë, në të cilin një shoqja ime shumë e ngushtë u përdhunua në mënyrë brutale. Unë isha jashtë vendit në atë moment, dhe kur u ktheva, ajo më tregoi se çfarë i kishte ndodhur. Ajo e përballoi këtë situatë me një kurajo të jashtëzakonshme, por unë po ndjeja brenda vetes diçka që nuk e kisha ndjerë më herët, një cytje parake, një gjakim për dhunë. Unë e pyeta atë, nëse ajo e njihte përdhunuesin, dhe kur ajo më tha “jo”, unë e pyeta se i ç’race ishte. Ishte me ngjyrë, tha ajo. Pas kësaj bisede, unë zura të vija vërdallë në zonat e banuara nga njerëzit me ngjyrë, me një hu që e mbaja fshehur, dhe e bëja këtë qëllimisht, me shpresën se ndonjë banori të atyshëm do t’i binte në sy prania ime aty, dhe do vinte të më binte në qafë, dhe kështu unë do kisha arsye të zbrazja tërbimin tim. E bëra disa netë me radhë këtë gjë, derisa i thirra trurit. Dhe më duhet të them se ky gjakim parak për dhunë, që unë zbulova se e kisha, më tronditi dhe nuk më la të qetë. Kërkova ndihmë pas kësaj. Shkova te një prift, dhe iu rrëfeva. Iu hapa edhe dy miqve të mij të ngushtë lidhur me këtë gjë. Dhe sado e pabesueshme që mund t’ju duket, unë fillova të bëja ushtrime fizike, si një mënyrë për të nxjerrë dufin që kisha brenda”. Tani, pas kësaj janë të shumtë ata që i janë vërsulur Liam Neesonit. Një pjesë duan që atij t’i hiqet e drejta për të luajtur filma në Hollywood. Është një histeri e tërë kundër tij, të cilën unë vetë nuk kam fuqi ta kuptoj. Ai është duke denoncuar një moment të keq të jetës së vet, ai është duke akuzuar veten publikisht për diçka që i ka ndodhur 40 vjet më parë. Ai nuk është krenar për atë gjykim dhune që ka provuar. Përkundrazi, i vjen turp. I ka ardhur turp qysh në momentin që i ka ndodhur, prandaj ka shkuar dhe është rrëfyer te prifti. Me fjalë të tjera, ai ka dalë dhe thotë: Hej njerëz, unë po ju tregoj një përvojë timen, një moment të jetës sime, në të cilin unë isha gati të bëja një krim, unë isha gati që drejtësinë ta vendosja nëpërmjet një vetëgjyqësie kuturú. Ai mund të ketë qenë i sulmuar edhe nga ndonjë pulsion i brendshëm racist, ndonëse ai e lë pak të mjegullt këtë fakt. Sidoqoftë, përsëris, ai nuk ka dalë në këtë rast për t’u mburrur. Ka dalë për të qortuar veten, dhe nëpërmjet kësaj mea culpa-je, t’u thotë të tjerëve, se pulsione e gjakime të tilla janë brenda nesh, janë brenda gjithësecilit, e keqja dhe e liga në përgjithësi janë brenda nesh, dhe ne duhet të bëjmë luftë me veten, gjithë kohën, për ta egzorçizuar veten, për ta nxjerrë të keqen jashtë. Mirëpo, ka njerëz që duan t’ia shfrytëzojnë këtë moment sinqeriteti. Sipas këtyre, Liam Neesoni duhet ndëshkuar për këtë parantezë ligësie të dyzet viteve më parë. Mua këta njerëz nuk më duken në rregull. Madje, më duken të liq. I ligu në këtë mes pra nuk është Liam Neeson. Përkundrazi, janë të tjerët që janë të liq, janë ata që duan ta linçojnë Neesonin, ata që duan ta linçojnë pse ai u rrëfye për atë që i ka ndodhur. Ata do donin që Neesoni të mos e kishte bërë këtë rrëfim. Hëm! Çfarë llogjike është kjo? Në çfarë bote jetojmë? Unë jam i prirur të besoj se këta njerëz duan ta ndëshkojnë Liam Neesonin ngaqë ai është i ndershëm, ngaqë me këtë që ka bërë u ka trazuar ndërgjegjet e tyre të prishura e të ndotura. Shpjegim tjetër nuk ka. Do kish qenë mirë që të kishin qenë sadopak të krishterë në këtë rast, sepse kështu, para se ta hapnin gojën kundër Neesonit, do t’u vinte në mendje ai pasazhi i Ungjillit sipas Gjonit, në të cilin Jezu Krishtu u tha skribëve dhe farisejve, që donin që një grua të goditej me gurë derisa të vdiste për shkak të tradhëtisë bashkëshortore që ajo kishte bërë: Le ta marrë gurin i pari, dhe ta qëllojë këtë grua, ai që ndihet i pamëkat./abcnews.al