Liberalët apo social-demokratët? Vlera e një debati, për mirëqenien

Nga Aranit Muraçi

E ndërsa për dekada me radhë Europa Perëndimore dhe vendet e zhvilluara nuk i kanë dhënë zgjidhje debatit se kush është politika më e mirë ekonomike që duhet ndjekur dhe kujt duhet t’i besojnë njerëzit votën, të majtës  (taksa më të larta) apo e djathta (më liberale), apo  siç edhe njihen ndryshe forcat liberale e socialdemokrate, është pretenduar të vihen pikët mbi “i” në Tiranë.  

E djathta në Shqipëri, që qeverisi vendin në tetë vitet e kalura (2005-13’), pretendohet se ka një mbështetje më të madhe në shtresat e varfra të shoqërisë, si askund tjetër në Europë. E majta në pushtet, po ashtu, ka një mbështetje më të gjerë se e djathta deri në parlament me shtresat e larta të shoqërisë dhe me biznesmenët ndër më të njohurit në vend, çka është paradoksale për çdo teori botërore të hartuar deri tani, ekonomiko-politike.       

E ndërsa kërkimet shkencore dhe niveli akademik në Shqipëri lënë shumë për të dëshiruar, në një kohë kur Reforma e Arsimit të Lartë nuk po kuptohet as nga studentët e pedagogët e universitetit publik, madje kundërshtohet nga disa prej tyre dhe akoma sot nuk po jepet një ide e qartë si të përmirësohet sistemi arsimor shqiptar, çdo diskutim tjetër mund të konsiderohet “teori pa vlerë.”      

Shqiptarët janë në periudhë zgjedhore, vigjilentë në takimet elektorale se kush po bind për më shumë punë dhe mirëqenie dhe më pak taksa, në qytetin e gjithsecilit.

Në botën akademike, për 2 muaj studentët e universiteteve publike e private janë përfshirë në një konkurs, që përball teoritë dhe ofertat që do të ngjallnin shpresë tek qytetarët.

Studentët finalistë zhvilluan debatin e tyre të fundit, duke i dhënë dhe tone mbi aktualitetin shqiptar, secili ekip duke mbrojtur sistemin prej ku beson se do të vijë zgjidhja më e mirë më shumë vende pune, investime dhe zhvillim biznesi. Socialdemokracia apo liberalizimi.

Besart Kadia është entuziast për debatin e dytë kombëtar të organizuar nga forumi për liri ekonomike

Ndërsa alternativat përplaseshin.

Juria me njohës të mirë të debatit në nivelin e lartë politik, ekonomik  dhe mediatik nuk ua kurseu vështrimet vlerësuese debatuesve të rinj, por  edhe duke i disiplinuar për një përballje korrekte dhe të matur me kronometër.

Pabarazia në shoqëri në këtë takim mori zgjidhje më efikase nga teza liberale, dhe ekipi i saj fitoi edhe falë evidencave që solli në funksion të debatit dhe bashkëpunimi në ekip.

Por megjithatë, respektimi i të drejtave të njeriut, vlera e punës, meritokracia, zbatimi rigoroz i ligjeve në fuqi të shtetit, janë disa nga parimet themelore të demokracisë, pavarësisht se cila forcë politike e qeveris vendin, parime këto që nuk zbatohen në Shqipëri dhe përdhosen nga të gjitha forcat politike për interesat e tyre të çastit.

SHKARKO APP