Librat me Zë në Shqip, ose Audiobooks.al
Nga Mal Berisha
Para disa kohësh është lëshuar në internet në gjuhën shqipe një program që njihet me emrin “Audiobooks” ose i shqipëruar “Librat me Zë? Kjo është bërë falë kontributit që i ka dhënë publikut pronari dhe drejtuesi i kompanisë së sigurimeve Sigal Uniqa Group Austria, z Avni Ponari.
Ky program në internet iu jep mundësinë shqiptarëve, por edhe të huajve që dëshirojnë që ta shfrytëzojnë, njërën prej teknologjive më të përparura të kohës: Internetit. Nëpërmjet të saj shqiptarët mund të marrin jashtëzakonisht shumë njohuri nga literatura e të gjitha llojeve në gjuhën tonë. Mbledhja e materialit, sigurimi i të drejtës së autorit, provat paraprake, rregjistrimi i zërit dhe më në fund lëshimi në internet bëhët nga vetë kompania Sigal, në Tiranë. Aty gjëndet studio e paisur me mjetet më bashkëkohore zanore elektronike.
Çfarë është Audiobooks Albania në të vërtetë?
Sot në çdo cep të botës, çdo kush që përdor një telefon celular Android, Apple ose Samsung apo ndonjë markë tjetër, një lap top, një kompjuter personal apo një iPad, mjafton të jetë i lidhur në internet dhe të kërkojë tek Audiobooks.al dhe menjëhere i shfaqet një ikonë e cila e pwrcjell drejt titullit të librit që ai ose ajo dëshiron. Fillimisht bën rregjistrimin duke vendosur të dhënat personale dhe adresën në e-mail. Më pas klikon mbi librin që dëshiron duke ndjekur përshkrimin kapitull pas kapitulli. Kështu do të dëgjoni të rregjistruar tekstin e librit me zërin e njohur të aktorëve që kanë shumë vite përvojë në gazetari, në jetën publike, folës të radios dhe televizionit, aktorë të shquar si dhe studentë të artit dramatik. Ata me profesionalizmin dhe zërin e tyre unik përcjellin tek çdo dëgjues tekstin e librave më të mirë të epokës moderne, si dhe të historisë e kulturës së vjetër mesjetare e të rilindjes. Në listën e librave tashmë të rregjistruar gjenden ato të kategorive më të ndryshme që kapin tërë sferat e jetës së sotme: Letërsi artistike shqiptare dhe të huaj, romane dhe novela, biografi njerëzish të shquar, njohuri për sigurimet, përralla për fëmijët, shkenca politike, sociale dhe psikologjike, filozofi dhe sociologji, historinë e Shqipërisë dhe të njerëzimit, ekonomi dhe biznes…
Gjatë një periudhe dy tre vjeçare, që kur ka filluar ky program, është arritur që t’i japë dëgjuesit, rreth 100 tituj. Ato mund të dëgjohen në çdo orë të ditës dhe të natës në mjetet e sipërpërmendura.
Historia e Audiobooks në Shqipëri
Mënyra se si na e sjell në Audiobooks librin, ka edhe ajo historinë e vet se si erdhi deri sot. Kjo ka nisur në forma embrionale që në fillimet e transmetimeve të Radio Tiranës. Mesazhi i parë në Radio Tirana u transetua më 28 Nëntor 1938 nga Mbretëresha Geraldinë. Që prej asaj kohe përkrah emisioneve të tjera transmetoheshin edhe komente dhe pjesë nga librat. Por dy pararendës, nësë mund ti quajmë kështu të Audiobooks Albania, mund të quhen Teatri në Mikrofon dhe Prrallat për Fëmijë. Megjithatë, deri në vitet ’90, në mungesën e plotë të tregut të manjetofonëve, kasetave apo formave tjera të përdorimit personal, ato mbeteshin pronë e Radios në transmetimet ose ritransmetimet e saj.
Si mund të lidhemi me Audiobooks.Al?
Dëgjuesi sapo të lidhet në internet, ashtu siç bën kur lexon portalet ose diçka tjetër, kërkon për Audiobooks.Al ose drejtpërdrejt në shfletuesin e faqes së internetit (browser) ose edhe në google.com. Menjëherë aty dalin ikonat e këtij websiti. Dëgjuesi zgjedh opsionin – “Dëgjo pa limit”, ose “më shumë”. Pas kësaj do të shfaqet një ikonë me titullin: Rregjistrohu! Dëgjuesi rregjistrohet duke shkruar në kutine e duhur emrin dhe mbiemrin si dhe adresën e vet në e-mail. Më pas zbret poshte dhe klikon mbi librin që ai dëshiron.
Aty shfaqet lista e librave me imazhet e kopertinave të tyre, autori, botuesi, ISBN dhe një shenjë për ta lëshuar atë në transmetim, kapitull pas kapitulli.
Librat janë të inçizuar nga zëra të njohur si Shpresa Ukcama, Florida Bonjo, Alda Çibukaj, Erion Ciku, Mirela Naska, Virgjil Kule, Blendi Nase, Emiljan Islami etj.
Pak Histori për Audiobooks ose Librat me Zë në botë.
Një libër që “flet” është në fakt thjesht inxhizimi i leximit me zë të tekstit të një libri të shkruar. Ato mund të gjenden në forma të shkurtuara apo edhe të plota që nga faqja e parë tek e fundit.
Për të ardhur deri tek forma e sotme e përdorimit të internetit njerëzimi ka bërë përpjekje të hershme duke shfrytëzar arritjet teknologjike të kohës sipas periudhave. Emri “Talking books”, ose libri që flet është përmendur për herë të parë në vitin 1930. Ai filloi si një program për individë me mungesë shikimi të cilëve ua kompensonte atë vështirësi shqisa e të dëgjuarit. Kjo erdhi duke u perfeksionuar me kalimin e kohës. Por ajo kishte filluar shumë kohë më parë. Këtë e tregon një gravurë e 2 Prillit të vitit 1878, thuajse një vit pasi Thomas Edison kishte shpikur fonografin e parë. Ai arriti që me atë aparat të rregjistronte dhe të riprodhonte zërat. Aty e ka zanafillën edhe kjo për të cilën po flasim, dmth Audiobooks. Fjalët e para të rregjistruara ishin ato të këngës Mary had a Little Lamp, (Maria kishte një llampë të vogël) që fëmijet tanë të vegjël tani i dëgjojnë në programet televizive për fëmijë. Kjo formë rregjistrimi u zhvillua pastaj në formën e gramafonit. Megjithatë, deri në vitin 1930 nuk gjenden libra të rregjistruar me zë përveç ndonjë pasazhi të shkurtër që zgjat tre katër minuta. Në vitin 1931 Fondacioni Amerikan i të Verbërve dhe Libraria e Kongresit ndërmorën një projekt i cili synonte të ndihmonte veteranët e Luftës së Parë Botërore që kishin humbur shikimin. Një ndër rregjistrimet e para ishte poezia e Edgar Poes “Korbi”. E njejta gjë u përsërit pas Luftës së Dytë Botërore për veteranët amerikanë që morën pjesë në luftë dhe që kishin humbur shikimin. Më pas në vitin 1952 në shtete si New Jersey në Amerikë filluan të shfaqeshin libraritë e para ku lexuesi tani kthehej në dëgjues dhe i ndiqte të inçizuara librat. Kjo dalngadalë u kthye në një industri fitimprurëse. Kompania e parë që e ushtroi këtë biznes ishte Caedmon Records. Industria e librave të lexuar ka ecur paralel me zhvillmin e radio – difuzionit dhe të televizionit. Në vitet ’70 në Amerikë filloi shitja e librave të inçizuara me kaseta zanore. Kaseta zanore të shpikura në vitin 1962 dalngadalë po merrinin format e përdorimit nëpër aparate të vogla dhe praktike të cilat morën emrin “Walkman”. Në vitin 1975 në Kaliforni u shfaqën “Librat në Shirit” për njerëz që i blenin ose i merrnin me qera. Këto merrnin rëndësi për ata që ecin në këmbë, që shetitin ose udhëtojnë shumë. Në vitin 1984, njëmbëdhjetë kompani të publikimit të këtyre librave vendosën të inxhizojnë 200 libra të përzgjedhur. Ajo u kthye në një industri mjaft fitimprurëse. Në fundin e viteve ’90 Walkmani filloi të zëvendësohej me një paisje më të vogël e të thjeshtë, jo me shirita por me atë që njihet tanimë si CD-ROM. Por edhe atij po i vinte fundi shpejt kur teknologjia solli internetin. Bashkë me internetin u zhvillua edhe libri i lexuar. Ajo që e transmetoi menjëherë dhe që i dha një shtytje përpara këtij procesi ishte vënia në përdorim e atyre që njihen si Smartphone, Android. Kështu lindën disa lloje të transmetimit të librave ose edhe materialeve për të cilat interesohet lexuesi: Podcast, Audiobook dhe YouTube. Telefonat që mbajmë në dorë sot na japin mundësinë që të dëgjojmë programe radiofonike dhe audiovizive në shumë gjuhë dhe në shumë forma, tashmë edhe në gjuhën tonë të ëmbel – shqipen. Sot në Amerikë një pjesë e madhe e librave sidoms ato që tregtohen në Burns & Noble, kanë një “xhep” në kapakun e pasmë të librit në të cilën gjëndet një CD më inxhizimin e vetë librit që e mbart atë.
Audiobooks.Al në kuptimin më të thjeshtë është një formë e cila ndihmon njerëzit të mësojnë, edukohen, kulturohen dhe profesionalizohen duke shfrytëzuar cdo minutë të kohës së tyre edhe kur janë në ecje apo në udhëtim me makinë. Për më tepër, fëmijët shqiptarë jashtë vendit, të cilët tanimë janë ndoshta mëse një million, kanë mundësinë që të mësojnë gjuhën amtare përkrah gjuhës së vendit që mësojnë në shkolla dhe ta përfeksionojnë atë. Kjo, përbën edhe një nga vlerat e veçanta dhe patriotike që përmban kjo sipërmarrje.
Mal Berisha
Tiranë 14 gusht 2019