Lidhje Gjaku

Djemtë dhe vajzat e burrave të dënuar për krime lufte në Ballkan, tregojnë se si u ndikuan jetët e tyre nga akuzat – dhe pse mbeten besnikë ndaj baballarëve të tyre.

Një ditë pranvere, 26 vjeçarja Biljana mbërriti në shtëpinë e familjes së saj në Beograd e etur për t’i dhënë një lajm shumë të gëzuar prindërve të saj. Ajo pati zbuluar se kishte mbetur shtatzënë disa ditë më parë dhe sapo qe martuar në fshehtësi me të dashurin e saj.

Por babai i saj, Mico Stanisic, kishte gjithashtu një lajm për të dhënë. Atë mëngjes të muajit mars 2005, Gjykata e Hagës njoftoi se ai qe akuzuar për krime kundër njerëzimit të kryera ndërsa ai qe ministër i policisë i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës.

“Ajo qe dita më tronditëse në jetën time,” thotë Biljana.

Atë mëngjes, Biljava u ul në shtëpi duke qarë ndërsa babai i saj kaloi natën e parë në një qeli në Hollandë, i akuzuar se kishte përgjegjësi për përndjekjen, vrasjen dhe torturimin e myslimanëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë nga ana e forcave serbe në vitin 1992. Sipas aktakuzës finale ndaj tij, ai nuk i parandaloi krimet e luftës që sollën më shumë se 1700 vdekje.

Tetë vjet më vonë, ai u dënua bashkë me një zyrtar tjetër të lartë të serbëve të Bosnjës me 22 vjet burg për pjesëmarrje në një “organizatë kriminale” që synonte “përzënien e përhershme të myslimanëve të Bosnjës, kroatëve të Bosnjës dhe popullatës tjetër jo-serbe nga territori i planifikuar për shtetin e Serbisë.” Ai po pret rezultatin e apelit për vendimin ndaj tij.

Njësoj si Biljana, fëmijët e dhjetëra familjeve nëpër të gjithë Ballkanin kanë parë baballarët e tyre të akuzuar nga gjykata për krime të kryera gjatë luftërave të viteve ‘90, në të cilat më shumë se 130 mijë njerëz u vranë dhe miliona të tjera u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre ndërsa Jugosllavia u shkatërrua.

Por si i kanë prekur jetët e djemve dhe vajzave këto akuza të rënda dhe mendimet e tyre mbi baballarët? Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative kërkoi të intervistojë fëmijë të rritur të më shumë se 20 të dënuarve – serbë, kroatë dhe boshnjakë. Familjet e pesë prej tyre, tri serbëve dhe dy boshnjakëve, pranuan të flasin.

Disa nga këndvështrimet e tyre janë pasqyrë e sjelljeve të përgjithshme të grupimeve të tyre etnike. Serbët thonë se gjykata është e njëanshme kundër tyre; boshnjakët thonë se ajo ka akuzuar pa të drejtë anëtarët e bashkësisë së tyre thjesht si reagim ndaj kritikave të tyre. Por historia e secilës prej familjeve është e ndryshme.

Tronditje dhe mosbesim

Biljana dhe motra e saj më e vogël Bojana nuk e ndoqën gjyqin e babait të tyre në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë – me kërkesë të tij.

“Ne nuk morën pjesë kurrë në gjyq për shkak se babai ynë nuk na deshi atje,” thotë Biljana, një vajzë elegante, me flokë të zinj dhe që flet hapur, e diplomuar për gazetari dhe që po studion për PhD. “Ai na tha që ne të bëjmë më të mirën për jetët tona dhe na ndaloi të përdornim gjyqin e tij si justifikim për dështimet personale.”

Por Biljana dhe nëna e saj panë transmetimin e drejtpërdrejtë nga Haga kur vendimi u lexua në gjyqin e Stanisicit më 27 mars 2013.

Biljana thotë se ajo e pa vendimin në anën pozitive, duke e ditur se nuk qe vendimi final dhe se babai i saj do të apelonte. Nëna e saj humbi ndjenjat, pavarësisht se qe një psikoterapiste me eksperiencë dhe me reputacionin si më e forta e familjes.

Bojana, në atë kohë 19 vjeç, nuk e ndoqi dhënien e vendimit. Motra e saj i tha më vonë se babai i tyre qe dënuar me 22 vjet burg. Mendimi i saj i parë qe që vendimi qe aq i gjatë sa e gjithë jeta e saj deri në atë pikë.

E lindur në kulm të luftës së Bosnjës, më 1993, Bojana ka ngjashmëri të forta me babain e saj dhe qe shumë e lidhur me të. Me një buzëqeshje sentimentale, ajo përshkruan se si kaloi orë të tëra e ulur pranë tij në qendrën e paraburgimit të gjykatës ndërsa ai e përkëdhelte për ta vënë në gjumë.

“Qe sikur ata po flisnin për një njeri tjetër në Hagë,” thotë ajo, ndërsa është ulur në një kolltuk në apartamentin e motrës së saj. “Ajo që gjykatësi tha se ai i ka bërë njerëzve të tjerë është krejt e kundërta me atë që më ka mësuar mua – të jem një person i mirë.”

Ironikisht, në njësinë e paraburgimit për njerëzit në gjyq për krime lufte me motive etnike, nacionaliteti nuk është një pengesë për miqësinë.

“Ne pamë gjykimet e njerëzve të tjerë që takuam atje. Pavarësisht kombësisë, ne ndjenim dhembshuri,” thotë Biljana.

Babai si person në kërkim

Ndërsa Stanisic dhe të tjerët u dorëzuan pasi ndaj tyre u ngrit akuza, të dyshuar të tjerë për krime lufte ikën në arrati. Mes tyre qe Goran Hadzic, ish udhëheqësi politik i serbëve të Kroacisë, i akuzuar se qe përgjegjës për vrasje, tortura dhe shpërnguljen e kroatëve.

Gjatë një dreke familjare në korrik 2004, Hadzic doli nga dhoma për të folur në telefon. Ai u kthye për të njoftuar se ndaj tij është ngritur akuzë nga gjykata, i tha mirupafshim të gjithëve dhe iku brenda një ore, kujton djali i tij Srecko.

“Ai më tha mua dhe  motrës sime të kujdeseshim për veten, tha se çdo gjë do të shkonte mirë dhe nga ai çast nuk e pamë dhe as nuk dëgjuam për të deri më 2011, kur ai u arrestua,” thotë Srecko, një 27 vjeçar i qetë, student i juridikut.

Ulur në ballkonin e shtëpisë së familjes në qytetin e Novi Sadit në veri të Serbisë, Srecko dhe nëna e tij që flet shumë, Zivka, rikujtojnë vitet kur Hadzic qe një njeri i shpallur në kërkim.

Ata tregojnë histori me policë sekretë të maskuar si kamerierë në dasmën e motrës së Sreckos dhe për bastisje herët në mëngjes nga policë të armatosur të cilët i kërcënonin se nuk do të gjenin kurrë një vend pune për sa kohë Hadzic qe njeri në kërkim. Në mars 2010, familja u ndalua të vizitonte vendet e BE-së nga Bashkimi Europian.

Por Srecko thotë se ai nuk e dëshiroi kurrë arrestimin e babait të tij.

Bosnja dhe balanca

Në një lokal në qytezën e vogël të Visokos në Bosnjë, Adnani, një zyrtar i qeverisë në mes të të tridhjetave, thotë se ai humbi njëkohësisht dhe shokun më të mirë kur babai i tij vdiq më 2010. Adnani rikujton se ka kaluar shumë kohë me të duke luajtur basketboll dhe duke bashkëbiseduar.

Babai i tij qe Rasim Delic, Komandant i Stafit Kryesor të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Në vitin 2008, shpall i pafajshëm për vrasje por u dënua me tri vjet burg për keqtrajtim të të burgosurve serbë të lufës nga forcat nën drejtimin e tij.

Duke parë përmes xhamit në pjesën për publikun të gjykatës ndërsa vendimi po lexohej, Adnani rikujton se si u trondit. Ai priste që të merrte të atin pasi ai të shpallej i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe të ktheheshin sëbashku në Bosnjë.

“Është çmenduri të dënosh kreun e ushtrisë me tri vjet burg. Ai ose mund të shpallet i pafajshëm ose të marrë një dënim shumë të gjatë. Tre vjet burg është sikur ai ka vjedhur një biçikletë në Hollandë,” rikujton Adnan duke menduar se si u sorollat rrugëve të Hagës i hutuar.

Delic vdiq në shtëpi ndërsa dënimi i tij qe apeluar dhe për rrjedhojë vendimi fillestar u deklarua si vendim final. Adnani, një jurist, është i bindur se ai do të kishte fituar pafajësinë.

“Ah sikur të kishte jetuar deri në atë çast, thjesht për të dëgjuar shpalljen e pafajësisë; dhe nëse ai do të vdiste qoftë edhe një minutë pas pafajësisë, jeta ime do të qe më e lehtë,” thotë ai.

Ai është i zemëruar për mënyrën se si shteti i Bosnjës trajtoi familjen e tij. Ai thotë se autoritetet nuk ofruan mbështetje financiare apo logjistike gjatë gjyqit të të atit – gjë shumë e ndryshme kjo nga ndihma e bollshme që qeveria e Serbisë i jep të akuzuarve serbë.

“Shteti braktisi heroin e vet,” thotë Adnani.

Pakënaqësia e tij shtrihet edhe ndaj gjykatës, për të cilën beson se e akuzoi babain e tij për shkak se gjendej nën presion për të patur një balancë etnike mes të akuzuarve.

Semiri, një shkrimtar i ri nga Sarajeva, beson se babai i tij, Sefer Halilovic, u akuzua për të njëjtën arsye.

“Kushdo që nënshkroi aktakuzën në Hagë ka gjasa se kishte nevojë për një boshnjak të nivelit të lartë,” thotë ai. “Besoj se patjetër që bëhej fjalë për kuota etnike.”

Sefer Halilovic qe komandanti themeltar i Ushtrisë së Bosnjës dhe Herzegovinës. Bashkëshortja e tij u vra në një shpërthim bombe më 1993, duke e lënë Semirin dhe motrën e tij të jetonin në kazermat e ushtrisë gjatë adoleshencës.

Më 2001, Halilovic u akuzua për krime kundër civilëve kroatë në dy fshatra të Bosnjës tetë vjet më herët. Për katër vitet që pasuan, thotë Semir, jeta e tij qe pezull.

“Ne ndaluam së funksionuari si një familje normale,” rikujton ai gjatë drekës në një restorant të vogël në qendër të Sarajevës. “Ne i vumë të gjitha kursimet në mbrojtje të babait. Ne me të vërtetë u kthyem në një staf të vogël mbrojtjeje dhe mbështetjeje.”

Semiri përsërit ankesat e Adnanit mbi sjelljet e shtetit të Bosnjës. Ai thotë se avokatëve të Halilovicit iu desh t’i kërkonin gjykatës të urdhëronte autoritetet e Bosnjës të jepnin disa dokumente zyrtare për mbrojtjen e tij.

“Njerëzit e zakonshëm thjesht të rrihnin shpatullat në shenjë mbështetjeje. Shteti, i cili në fakt mund të ndihmonte, nuk donte të ndihmonte,” thotë Semir, i veshur me një bluzë tërheqëse dhe një xhaketë kostumi që ka një shami mëndafshi në xhep.

Semiri dyshonte se gjykatësit e huaj nuk mund ta kuptonin luftën dhe ndjente se prokurorët nuk qenë të interesuar në gjetjen e të vërtetës, por vetëm në fitoren e çështjes. Por gjykata e shpalli të pafajshëm babain e tij më 2005 dhe hodhi poshtë apelimin e prokurorisë kundër këtij vendimi.

Faj dhe përgjegjësi

Milan Koljanin, një kërkues i lartë në Institutin për Historinë Bashkëkohore në Beograd, ka kaluar shumë vite duke studiuar krimet e luftës nga një epokë më e hershme – ato të kryera në Serbi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Për më shumë se 10 vjet, ai ka qenë duke ndihmuar Beate Niemann, vajzën e një shefi të Gestapos në Beograd, që të zbulojë më shumë gjëra për babain e saj.

Koljanin thotë se Lufta e Dytë Botërore dhe konfliktet e viteve ‘90  nuk mund të krahasohen drejtpërsëdrejti në shkallë dhe pasoja, por Niemann dhe fëmijët e atyre të akuzuar në Hagë kanë gjithsesi eksperienca të ngjashme. Ata të gjithë kanë jetuar me një baba që u vu në gjyq për krime lufte.

Ai beson se çdo djali apo vajze në këtë situatë do i duhet kohë për t’u menduar mbi çfarë bëri babai dhe mbi çfarë gjykata shpalli si të vërtetë.

“Do apo nuk do, herët apo vonë, do të duhet të mbash një qëndrim për shkak se është pjesë e historisë tënde personale apo historisë së familjes,” thotë ai.

Në një ditë të nxehtë në Berlin, në tarracën e Muzeut Historik të Gjermanisë, sytë e Beate Niemann duket sikur mbushen me lot kur ajo flet për jetën e saj si vajza e një të dënuari për krime lufte, Bruno Sattler.

Ndërsa kërkonte në vitet ‘90 për dokumente që shpresonte se do të pastronin emrin e të atit, ajo zbuloi se ai qe përfshirë në shumë krime të rënda, përfshirë urdhërimin e përdorimit të gazit helmues që vrau rreth 700 apo 800 hebrenj që mbaheshin në kampin e përqendrimit Staro Sajmiste në Beograd.

“Unë nuk jam fajtore. Nuk mendoj se një fëmijë mund të trashëgojë fajin, por unë kam përgjegjësinë të zbuloj të vërtetën mbi përfshirjen e familjes time dhe të flas për të,” thotë Niemann.

Niemann beson se edhe në rast pafajësie, fëmijët e të akuzuarve në Hagë duhet të ndërmarrin kërkimin e tyre personal për të vërtetën.

“Historia ime është një shembull i mirë,” thotë ajo, duke shpjeguar se një gjykatë në Gjermaninë Perëndimore e shpalli babain e saj të pafajshëm pasi ai qe dënuar dhe burgosur në Gjermaninë Lindore.

Niemann thotë se i vjen keq që nuk e filloi kërkimin e saj më herët dhe shpreson që fëmijët e të akuzuarve në ish Jugosllavi nuk do të presin kaq gjatë.

“Fëmijët e rritur duhet të dinë dhe ata duhet të jenë të interesuar në historitë e asaj që ndodhi brenda familjeve të tyre,” thotë ajo.

“Unë e zbulova në moshë shumë të madhe, isha më shumë se 50 vjeç,” shton Niemann. “Dhe kjo qe tepër vonë sepse e gjithë jeta ime deri në atë çast kishte qenë e rreme.”

Në moshën 72 vjeçare, Niemann është ende duke kërkuar mbi veprimet e babait të saj në Luftën e Dytë Botërore.

Vladimir Petrovic, një kërkues që ka ndjekur nga afër punën e gjykatës së Hagës, thotë se ai nuk habitet që fëmijët në Serbi kanë zgjedhur të mos ngrenë pyetjen nëse prindërit e tyre qenë përgjegjës për krime lufte.

Ai thekson se autoritetet e Serbisë e kanë portretizuar prej kohësh negativisht këtë gjykatë – “fillimisht si inkuizicion anti-serb, pas kësaj si një e keqe e domosdoshme” që duhet pranuar si çmim për t’u bashkuar me arenën ndërkombëtare.

Vrojtimet tregojnë se serbët nuk janë të informuar mirë mbi punën e gjykatës dhe megjithatë kanë mendim shumë negativ mbi të, vëren Petrovic. Ai thotë se gjykatat, media dhe sistemi arsimor kanë dështuar të gjitha që të sfidojnë këtë mendim popullor mbi luftërat dhe krimet e luftës.

“Nëse i shtojmë të gjithë kësaj edhe modelin tradicional të mos ngritjes së dyshimeve ndaj autoriteteve, qoftë shtetit apo familjes, atëherë ne mbërrijmë këtu ku jemi,” thotë Petrovic, i cili ka punuar në Institutin e Studimeve për Luftën, Holokaustin dhe Gjenocidin në Hollandë dhe tani punon në Institutin për Historinë Bashkëkohore në Beograd.

Jovana Mihajlovic-Trbovc, një kërkuese në Institutin e Paqes, një organizatë jofitimprurëse nga Sllovenia, thotë se kërkimi ka treguar se serbët, kroatët dhe boshnjakët kanë tendencën të shohin veten si viktimat më të mëdha të luftërave të viteve ’90, gjë që e bën të vështirë për secilin prej tyre të pranojë se forcat e tyre kanë kryer krime lufte.

Është edhe më e vështirë për fëmijët e të akuzuarve për krime të tilla që të pajtohen me këtë ide, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tyre të ngushta me të akuzuarit, thotë ajo.

Kërkimi i përgjigjeve për Srebrenicën

Ndryshe nga fëmijët e të akuzuarve të tjerë të intervistuar për këtë lajm, Maja, një dentiste nga Beogradi, pyeti babain e saj drejtpërsëdrejti nëse ai qe fajtor për akuzat kundër tij.

Babai i saj, Radivoje Miletic, një gjeneral në Ushtrinë e Serbëve të Bosnjës, u akuzua për krime në lidhje me vrasjen masive famëkeqe të mijëra burrave dhe fëmijëve boshnjakë në Srebrenicë më 1995, për të cilin gjykata ka thënë se është një akt gjenocidi.

Ndërsa është ulur në një kafene të zhurmshme në parkun Sumice të Beogradit, Maja përdor një pako të tërë me facoleta për të tharë lotët e saj të shumtë ndërsa rikujton se aktakuza ndaj babait të saj erdhi pak pasi nëna e saj u diagnostikua me kancer.

Maja thotë se aktakuza i solli asaj ndër mend një film mbi një grua, e cila, njësoj si Beate Niemann, zbulon mbi të shkuarën naziste të babait të saj pas Luftës së Dytë Botërore. Por ajo u sigurua pasi babai i saj i tha se ai qe i pafajshëm.

“Unë i besoj atij tërësisht,” thotë ajo.

Maja madje doli edhe në gjyqin e babait të saj, duke i thënë gjykatës se ai pati qenë te festa për ditëlindjen e saj të 18 më 10 korrik 1995, dhe se ai qe ende në shtëpi ditën tjetër kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe. Pas dëshmisë së saj, ajo u rrëzua në dhomën e dëshmitarëve.

Në qershor 2010, ajo qe në Hagë sërish kur vendimi u dha. Maja qe kaq e sigurt që babai i saj do të shpallej i pafajshëm sa kishte marrë me vete edhe dy vajzat e saj, njëra tre vjeçe dhe tjetra tetë-muajshe.

“Kur ata lexuan 19 vjet për babain tim, mendova se ky qe një gabim,” thotë ajo, duke përshkruar efektin e vendimit si një shok elektrik.

Miletic u shpall fajtor për vrasje, përndjekje dhe akte çnjerëzore. Ai ka apeluar kundër këtij vendimi por më 30 janar të këtij viti vendimi i fajësisë së tij u la në fuqi ndërsa dëmimi i tij me burg u reduktua me vetëm një vit.

Maja kujton se si pyeti përsëri dhe përsëri avokatët e tij pas vendimit: “Më thoni nëse ai është me të vërtetë fajtor! Më jepni një provë se ai e dinte se çfarë po ndodhte!”

Kur avokatët i thanë se nuk kishte prova kundër babait të saj, ajo thotë se “shpërtheu”.

“Aty desha t’i vrisja që të tre sepse nëse nuk kishte prova, pse ai u dënua me 19 vjet?” thotë ajo.

“Unë nuk  mund ta pranoj këtë.”

Në një farë mënyre, thotë ajo, do të qe më e lehtë nëse ajo besonte se babai i saj qe fajtor.

“Unë me të vërtetë mund të jem në gjendje të jetoj me këtë. Nëse je fajtor, atëherë vuaj dënimin.”

BIRN

SHKARKO APP