Ligji i mbetjeve në dorën e BE-së

Ky debat që ka vijuar për dy muaj vetëm sa ka tensionuar më shumë situatën politike. Ligji kaloi në Kuvend, Presidenti nuk e dekretoi me argumentin se shkel Kushtetutën dhe ka paqartësi. PS-ja pritet ta vendosë në rend dite këto javë në Kuvend, duke testuar dhe një herë votat e maxhorancës…

Nga Qamil Xhani

Lëvizja Socialiste për Integrim ka dhënë dje shenjat e para se nuk do të mbështesë Kryeministrin Edi Rama në rivotimin e ligjit për importin e mbetjeve, pas kthimit që i bëri Presidenti në Kuvend. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta tha kur nismat ligjore kërkojnë konflikte me një pjesë të shoqërisë është e nevojshme të ketë hapësirë për diskutime.

Ndryshe nga çështja e reformës në drejtësi, ku konsensusi ishte i domosdoshëm, Meta tha dje se jo çdo ligj duhet të jetë konsensual. Por ai theksoi nevojën e sqarimit të opinionit për ligjin e mbetjeve. Një sqarim që nuk mund të vijë nga maxhoranca dhe as nga palët që kundërshtojnë ligjin.  Ilir Meta propozoi dje një palë të tretë, Bashkimin Europian, institucionet e të cilit mund të ndajnë të vërtetën në debatin pro dhe kundër për ligjin e importit të mbetjeve.

 “Jemi në një situatë, ku kemi një interpretim të ndryshëm dhe të direktivave të BE-së. Unë nuk jam ekspert i mjedisit, as i Shqipërisë dhe as i BE-së. Por derisa të gjithë e kemi pranuar BE-në, përsëri nuk ka asnjë arsye përse, nëse nuk jemi të aftë që të zgjidhim dhe të shterojmë çdo arsye për të qenë mosbesues”,- tha kreu i Kuvendit.

Kreu i LSI-së i mëshoi idesë se miratimi i ligjeve konfliktual si kur kundërshtohen nga opozita, ashtu dhe nga shoqëria civile nuk i shërbejnë vendit. Aq më tepër kur flitet për një çështje të ndjeshme që i kalon arsyet partiake siç është ajo e mjedisit.

Në debatin dy mujor të ligjit për importin e mbetjeve, ky është qëndrimi më i qartë i LSI-së. Më herët, kur ligji u diskutua në komisione, LSI-ja propozoi që importi i mbetjeve të kontrollohej nga shoqëria civile në pikat doganore. Një nismë e tillë edhe pse shmangte disa paqartësi, sërish u cilësua e paplotë nga ana e shoqatave ambientaliste.

Por pse ka shkaktuar kaq debate ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili njihet ndryshe si ligji i importit të plehrave? Ligji u propozua nga qeveria “Berisha” në vitin 2011 dhe lejonte importin e mbetjeve nga vendet e BE-së dhe të tjera për t’u përpunuar apo asgjësuar në Shqipëri. Në atë kohë, kur PS-ja ishte në opozitë, ky ligj u cilësua si një masakër për ambientin dhe qytetarët. Opozita e drejtuar nga Rama nisi protestat dhe mblodhi firmat për një referendum kombëtar për anulimin e tij. Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, vendimi i parë i Kryeministrit, Edi Rama ishte anulimi i këtij ligji.

Tre vjet më pas situata ndryshoi krejtësisht. Socialistët nga kundërshtuesit më të ashpër të importi të mbetjeve u kthyen në mbështetësit dhe promovuesit e kësaj industrie në vend. Ligji u rikthye në Kuvend dhe u votua më 22 shtator nga vetëm 63 deputetë. Shumë ligjvënës, të PS-së dhe LSI-së, përfshi edhe kreun e kësaj partie Ilir Meta nuk morën pjesë në votim.

Argumentet për rikthimin e këtij ligji janë dhënë nga vetë Kryeministri Edi Rama. Ligji i ri, sipas Kryeministrit, shmang falimentimin e kompanive të importit dhe përpunimit të mbetjeve në Shqipëri. Hap rreth 3 mijë vende pune dhe garanton rritje ekonomike me gati 1 për qind në vit.

Shoqëria civile akuzon se pas kësaj nisme fshihen interesa të dyshimta dhe pazare mes mafias së plehrave dhe qeveritarëve. Ligji do të sjellë në Shqipëri mijëra tonelata mbetje, në kohën kur ende vendi ka probleme me pastrimin e ambientit. Ajo që është më e rrezikshme, sipas shoqatave dhe opozitës, është se bashkë me mbetjet më pak të dëmshme mund të vijnë dhe kimikate dhe elemente radioaktive.

Sipas Kryeministrit dhe mbrojtëseve të kësaj nisme, nuk ka asnjë rrezik për mbetje të dëmshme, pasi ligji lejon vetëm importin e një numri të reduktuar plehrash që përdoren për lëndë të parë. Nga ana tjetër, Qeveria dhe institucionet premtojnë se në dogana do të bëhet kontroll i rreptë për çdo import mbetjesh.

Por në situatën kur doganat nuk kontrollojnë dot mallin e zakonshëm kontrabandë, është pak vështirë që të mund të kapin në kohë mbetjet e rrezikshme.

Ky debat që ka vijuar për dy muaj vetëm sa ka tensionuar më shumë situatën politike. Ligji kaloi në Kuvend, Presidenti nuk e dekretoi me argumentin se shkel Kushtetutën dhe ka paqartësi. PS-ja pritet ta vendosë në rend dite këto javë në Kuvend, duke testuar dhe një herë votat e maxhorancës.

Prej disa ditësh pritej qëndrimi i qartë i LSI-së për këtë pikë. Dje Meta dha sinjalin se duhet një palë e tretë. Institucionet e Bashkimit Europian janë të vetmet që mund të ndajnë “mbetjet” nga “plehrat e rrezikshme” që synon të fusë ky ligj.

Ilir Meta e kaloi topin në zyrat e BE-së.

SHKARKO APP