Lista e zezë dhe rubrika, qytetari dixhital denoncon!

Nga Ilir Levonja

Për herë të parë denoncimin si akt qytetar, e ndesha këtu ku jetoj sot. Në Amerikë. Një mëngjesi herët. Nxitoja për në punë…, fqinja ime si zakonisht në atë orë nxjerr shëtitje qenin. Ajo është në pension, por punon me kohë të pjesshme, ose privatisht, kryesisht mbrëmjeve. Si fizoterapiste që është, ruan akoma një numër klientësh të kufizuar dhe u bën masazh. Përpara se t’i përgjigjej mirëmëngjesit tim, më kërkoi llogari duke më kujtuar me pyetje se, unë me patjetër që kisha gjetur një njëri që të kujdesej për tim bir. Nuk e lija vetëm në shtëpi? Po ta lija, veproja kundër ligjit. Dhe ajo, jo që nuk përtoi të ma kujtonte, por shtoi se do të merrte në telefon, pasi rreth e qark nesh ka edhe një liqen. Dhe nuk ia mbante zemra të dëgjonte ndonjë gjëmë mbytje.

Mbeta si i shushatur. Pasi e kisha ndihmuar disa here. I nxirrja koshat e plehrave. I kisha pastruar makinën. Rregulluar ndonjë bravë dere. Im bir e donte gjithashtu. Lozovitej me qenin e saj. Rrokulliseshin barit. Ndërkohë që ne bisedonim. Ime shoqe e respektonte gjithashtu. Flisnin. U kujtova se një here i kisha folur për koston e lartë të çerdheve a kopshteve. Ajo më ishte përgjigjur se, kjo është Amerika. Nëse nuk të mjafton një punë, bën dy a tri. Ndërsa unë prisja pak mëshirë. Nuk e di pse e dëshiroja një lloj qaravitje timen. Dhe një mëshirë prej tjetrit. Punë mentaliteti, a punë kurbetlliu. Akoma nuk i kam dhënë përgjigje? Por mbeta si i pa gojë. Dhe nxitova. Im bir flinte. Ashtu e lija gjithmonë. Fjetur. Ose ashtu e linim. Megjithëse kishte pasur raste që edhe ai të ishte pjesë e turneve tona. E shkëmbenim diku në rrugë. Ia dorëzonim shoqi-shoqit. Nga ana tjetër mora time shoqe në telefon. Ajo kthehej nga turni i natës. Ishte duke ardhur. Pra nuk qe hera e parë që vepronim kështu. Ajo vinte e unë ikja. Takimi bëhej në telefon. Kurse djalin e linim në gjumë. Kujdeseshim me turne. Jetonim me turne. Punonim me turne.

Mirëpo fqinja, fqinjët, si qytetarë në vendin e tyre, atë punë kishin. Një e më dy telefonin. Qoftë edhe për një ngritje zëri të televizorit. A një grindje familjare. Mbaj mend që erdhi policia vringthi kur ca shtëpi më poshtë një nënë i grishej së bijës. Vendi ra qetësi. Edhe mua më erdhën vringthi pse po tentoja të mbidhja ca lule tek porta. Më kujtuan kontratën, rregullin, nuk mund të bëja asgjë më shume se çfarë ishte aty në bazë të projektuesve. Ndaj dhe paguaja kuotën mujore për çfarë kisha përreth. Po ku dija unë nga këto… shikoja qiellin dhe thosha nga e morën vesh këta?! Përqark qe zbrazëtirë dhe këmbë njeriu se çapitej. Unë vija nga ajo botë, kur dikush në oborrin e tij bën çfarë i do kokrra e qejfit. Dhe aq i plas për fqinjin. Madje si e si ta shtrydhi tjetrin nervash. Si ta bëj që ta vdesë nga marazi. Vija nga ajo botë ku fqinji ta zbras kamionin e zhavorrit tek dera e shtëpisë. Dhe nëse i thua gjë, të tregon çiften me dy gryka. Nga ajo botë, ku gjithçka hidhej në rrugë, në daç ato të bahçes, në daç plehrat e brendshme, ujërat e lavamanit, të halesë etj. Gjithçka i ha rruga. Rruga shtrydhet, shtypet, ngjeshet, dredhohet, kthesohet, kurbëzohet, bllokohet. Rruga e shkretë, edhe pse e gjora ajo… atje në krye, ka një tabelë me emrin e një të shquari. Rruga i ha të gjitha. Kurse ti mender mu*tin t’i hash atij tjetrit. Fol po ta mbajti. Pra për kësisoj problemesh, se për të tjerat. Se me kë e lë ti fëmijën, ligjin. Probleme sociale që ia shpall koha njeriut të saj… as që duan t’ia dine. Ose po denoncove. Të quajnë spiun.

Aktualisht kjo po ndodh në Shqipëri. Aq sa sot një shoqëri e tërë është brenda një kolapsi social dhe e ka të vështirë të bëj dallimin midis aktit qytetar dhe spiunllëkut. Ose e ka pasur prej kohësh të vështirë. Për rrjedhojë shqiptarët presin gjithçka nga shteti. Ndërkohë që shtetarët luftojnë ashpër njëri-tjetrin. Me të njëjtat mjete, me të njëjtat strategji. Gjithçka duhet ta bëj shteti. Kjo është mendësia jonë. Madje jemi gati ta mallkojmë vetveten. Se pse ky shtet nuk na jep dhuntinë që të reagojmë si qytetarë. Ashtu siç bën bota. Të denoncojmë. Por në vend të këtij akti qytetar, mallkojmë vetveten. Sa të pafat që jemi?! Na u ngjit kjo sëmundja e spiunit dhe s’ka karantinë trajtimi ta mposhti. Nuk ndodh kështu në Gjermani përshembull. Në Zvicër. Në Francë…., se në Amerikë jo.

Unë nuk e di se sa seriozisht e ka Rama me këtë rubrikën e qytetarit që denoncon. Dhe që i fton të qeverisin kështu. Dhe këtë mund të na i provojnë vet shqiptarët në një të afërme, javësh, a muajsh. Por kaq gjë ua them me bindje se, të denoncosh, është akt qytetar, jo spiunllëk. Unë nuk e di pra se sa seriozisht e ka Rama. Me listat. Këtë që shumë kanë filluar ta quajnë si listë e zezë. Dhe që dikush tjetër e krahason me listat e Shindlerit. Janë shembuj të pa krahasueshëm. Pasi listat e Shindlerit, i përkasin sakrificës, sublimes, shpëtimit të jetëve nga një njeri. Kundrejt pambarimsisë së listave të shfarosjes së hebrjve në Poloninë e viteve të Hitlerit. Kohë lufte. Luftë midis shteteve. Dhe është tjetër lufta brenda gjakut. Dhe nuk e kuptoj përse shumë nga ata që gjejnë emrat aty ndihen të fyer. Flasin për persekucion publik. Luftë breznish, shkollash etj. Dy janë shkollat në Shqipëri… komunizmi revolucionar. Dhe e patriotizmi me metodat komuniste. Dhe një është mendësia administrative tek ne. Gjej një vend pune për të rrjepur të tjerët. Jo për të shërbyer. Dhe po një është mendësia intelektuale. Nxë, a studio, a mëso…, për t’u mburrur, për t’u dukur, për të sunduar. Dhe jo për t’i shërbyer popullit tënd. E tërë jeta jonë është lufta e klasave që shqiptarët nuk duan të përfundoj asnjëherë.

Unë nuk e di pra, se, sa seriozisht e ka, por di që Rama tallej me denoncimet, përshembull të shqiptarëve. Të cilët nga halli që nuk ua shikon, nuk ua beson kush statutet në Facebook. I dërgojnë ato tek rubrika qytetari dixhital denoncon, e Sali Berishës. Por di të them se, si Rama, si Sali Berisha…, janë dy ideatorët e denoncimit dixhital. Dhe gjykoj se nuk e kanë për të mirën e shqiptarëve. Dy burra shteti që ecin në gjurmët e njëri-tjetrit, nuk ka si mendojnë për qytetarët. Njëri e quan shantazh, njëri spiunllëk. Të dy të njëjtin avaz. Me të njëjtën strategji. Deri sot shqiptarët njohin vetëm një arritje, nga kjo. Nxjerrjen e syve njëri-tjetrit. Pasi askush nuk është dënuar nga denoncimet e njëshave. Veçse kanë plotësuar para kohe planet, a normën e organeve të akuzës. Me dosje, me letra, që pluhur janë bërë. Askush. Veç votave sa në një krah në tjetrin, sa për Berishën, sa për Ramën. Dhe jo për veten tuaj.

Është koha të denonconi nga muret tuaj, jo nga Facebook-u i Ramës a Berishës. Pasi vendi vërtet ka nevojë për qytetarë.

SHKARKO APP