Liza në botën e re të Edi Ramës
Qeveria shqiptare po propogandon me të madhe testimin masiv të mbi 80 mijë mësuesve, si një symbol të aftësisë së saj për tu vetëkorrigjuar. Vetë kryeministri Rama megjithëse ka folur disa herë për këtë temë, vijoi me dy postime në Facebook, ku e etiketonte këtë proces:“fund
të emërimeve të mësuesve me rryshfete” dhe “ditë të shënuar në luftën kundër korrupsionit dhe betejën për konkurrencën e lirë e meritën”. E gjithë kjo zhurmë lindi pas rastit skandaloz të Lushnjes, ku një drejtoreshë arsimi e kishte shndërruar ne një biznes 5 mijë eurosh për kokë, emërimin e “komisarëve të dritës së rilindjes”. Faktet e dala më pas i bënë të qartë publikut se zyra e drejtorisë arsimore të këtij qyteti ishte shndërruar në kuplara ku kërkohej seks në këmbim të punës dhe ku rrinin stivë listat e partive që po ashtu, kërkonin emërime në vende pune për militantët e tyre.
Tani kur kanë kaluar disa ditë nga kjo ngjarje tronditëse (që pohon edhe njëherë vërtetësinë e kritikave të të gjithë atyre që parathanë kostot e kualicionit të 1 prillit me LSI-në) kryeministri dhe propaganda e tij po mundohen të veshin kostumin e një ekipi që është i pa kompromis dhe i gatshëm të luftojë kundër së keqes, abuzimeve dhe korrupsionit.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se në disa raste qeverisja e majtë ka reaguar ndaj abuzimeve të njerzve të saj. Pas denoncimeve të opozitës apo të shtypit, ata i kanë shkarkuar të përzgjedhurit e tyre të kapur me presh në duar. Në një sërë rastesh ata nuk kanë bërë veshin e shurdhër ndaj emërtimeve të zyrtarëve me të shkuar kriminale, ndaj policëve të lidhur me drogën, ndaj drejtorëve që vidhnin energjinë apo ndaj drejtuesve arsimorë që shisnin vendet e punës.
Duhet pranuar gjithashtu se në ndryshim nga qeveria paraardhëse ata janë përpjekur të ruajnë një sens realiteti dhe një koherencë në lidhje me atë që aspiron publiku. Të vënë përballë sakandaleve, ata nuk kanë shfaqur tendencën e luftës me faktet, por janë munduar t’i shfryrjnë ato sa më shpejt, duke dhënë imazhin e një qeverisjeje që korrigjon vetveten.
Por, më shumë sesa ky imazh, për publikun e rëndësishme është dicka tjetër. Eshtë pyetja, nëse kjo është një mazhorancë që përpiqet ta korrigjojë të keqen, apo nëse në të kundërt, ajo është pjesë e një sistemi që e prodhon atë?
Rasti i Drejtorisë Arsimore të Lushnjes është rasti më i mirë për ta ilustruar këtë dilemë. Natyrisht në favor të hipotezës së dytë.
Drejtoresha që sot gjendet në burg u zgjodh pa konkurs në kundërshtim me të gjitha përbetimet e qeveritarëve se një gjë e tillë nuk do të ndodhte më në epokën e Rilindjes. Vetëm një mendësi e tillë mund të bënte që një arkëtare apo postiere komune të drejtonte trupën e arsimtarëve të një rrethi. Vetëm një mënyrë e tillë emërimi, mund të sillte ato pasoja ku i gjithë sistemi i nënshtrohej jo meritokracisë, por pagesave 2 deri në 5 mijë euro për tu futur në punë. Zbulimet e mëpasme të prokurorisë, që treguan se në zyrat arsimore gjendeshin edhe listat rekomanduese të PS-së dhe LSI-së për punësim në bazë të kritereve partiake, e bëjnë edhe më të rëndë këtë ngjaje. Ato rrëfejnë për instalimin e një sistemi. Liza e Lushnjes nuk banonte në botën e cudirave, ajo jetonte në realitetin e ri të Rilindjes. Për mënyrën se si u zgjodh, se si veproi, se si i merrte paratë dhe se nga i vinin kërkesat me listë, ajo është shembulli tipik që na bën të mendojmë për vërtetësinë e tezës që Edi Rama e përsëriti me dhjetra herë në fushatë: atë se njerzit nuk janë në vetvete hajdutë, por se ata i bën të tillë sistemi. Nëse i besojmë kësaj teze atëherë drejtoreshës sot të burgosur, i’u dhanë të gjitha mundësitë nga qeverisja e sotme, për të bërë atë që bëri. Historia e saj tregon se ajo nuk është një rast i vecuar. Ajo është simbol i një mënyre funksionimi që ka qenë e njëjtë edhe për emërimet e njerzve me precedent penalë apo me të shkuar prej trafikantësh. Ndaj, pikërisht për këtë, përpara se të mburret për aftësinë e vet për vetëkorrigjim, kjo qeverisje duhet të ulë kokën, për sistemin cerekshekullor që vazhdon të mbajë të instaluar. Vetëm ai mund të vazhdojë të promovojë mostra të tilla, si shembuj meritokracie.
(Lapsi.al)