Llogari elektorale: Basha vs. Berisha

Nga Eduard Zaloshnja

Në fushatën zgjedhore të 2011-ës Berisha fushatoi në të gjitha qytetet kryesore të vendit, përveç Tiranës. Dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve të mëdha ku ai fushatoi, kandidatët e përkrahur prej tij humbën thellë, megjithë ndihmën që patën nga votat e LSI-së. Ndërsa në Tiranë, ku Berisha nuk fushatoi asnjë ditë, kandidati i PD-së, Lulzim Basha, arriti të fitojë edhe falë ndihmës së 21 mijë votave të LSI-së, 1 mijë votave të Hysni Milloshit, si edhe 10 votave të Ristanit.

Por edhe sikur mos t’i marrim parasysh votat e LSI-së, Milloshit dhe Ristanit, votat që mori Basha pa ndihmën e tyre dhe të Berishës, shënojnë nivelin më të lartë të votave të djathta në kryeqytet, qysh prej vitit të largët 1992.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po ia rikujtoj lexuesit këto llogari, sepse kohët e fundit po qarkullojnë zëra se Berishës i është kthyer etja për të qenë edhe de juro kryetari i opozitës, me shpresën se do të rikthehet në zyrën e kryeministrit. Ai duket se mendon që, përderisa u fut në atë zyrë në 2005-ën, pas humbjes fatale të 1997-ës, mund të rikthehet në 2017-ën, pas humbjes ndoshta po aq fatale të 2013-ës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por ndoshta Berisha ka harruar sesi e fitoi garën e 2005-ës…

Për atë fitore, u desh përplasja e fortë mes Nanos dhe Metës, që ky i fundit të krijonte LSI-në, kandidatët e së cilës i hoqën nga duart plot 18 mandate PS-së. Dhe më pas u desh kalimi i ylberit nga ana e komunistit të vjetër Lefter Xhuveli, që me ndihmën e deputetëve agrarë të formohej një mazhorancë “antikomuniste” me 78 deputetë, nga 71 që duheshin për të qeverisur.

Për ata që s’e mbajnë mend, koalicioni i udhëhequr nga Berisha në 2005-ën mori vetëm 41.2% të votave në rang kombëtar, por falë përçarjes së të majtës dhe ndihmës së Xhuvelit, siguroi 56% të mandateve në Kuvend. Dhe duket se tani Berisha po shpreson për një rënie të dytë të dacit në kos…

Dikush duhet ta zgjojë Berishën nga kjo ëndërr, duke i kujtuar disfatat e tij personale në 2011-ën dhe 2013-ën. Ai humbi kudo ku fushatoi në ato dy zgjedhje, si me LSI-në përkrah, edhe me LSI-në përballë. I vetmi politikan i PD-së që, sado me siklet, ka arritur të paktën të fitojë një garë të rëndësishme elektorale në 4 vjetët e fundit është Lulzim Basha. Ai është sot zyrtarisht kryetar i PD-së. Berisha duhet ta lejojë që ai të bëhet edhe kryetari real i saj!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?